Kristo Frashëri “Vetëm një
diktaturë ndërhyn tek historia”

25 Tetor 2012, 14:03| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Në moshën 92-vjeçare, historiani i shquar Kristo Frashëri thotë se ka parë shumë. Dhe do të shohë: pas një muaji do të jetë dëshmitar i jubileut të katërt të pavarësisë. Ai jo vetëm i ka përjetuar, por edhe ka shkruar për to, duke sjellë për shqiptarët, libra jo vetëm historikë, por që tregojnë për këto 100 vite të pavarësisë së vendit.

Por ndryshe nga jubiletë e mëparshëm, profesori nuk e fsheh dëshpërimin që problemi shqiptar, ka mbetur i realizuar përgjysëm, ndërsa nga ana tjetër politika po kërkon të ulë figurat historike që i kanë dhënë shumë vendit.

Profesor këtë vit shënohet 100 vjetori i shpalljes së pavarësisë së shqipërisë. Si po e përjetoni këtë datë të rëndësishme?

Mund tju them se kam përjetuar 25 vjetorin e pavarësisë më 1937, kam përjetuar kur u bë 50-vjetori i pavarësisë në vitin 1962, kam përjetuar 75 vjetorin e shpalljes së pavarësisë. E tani po përjetoj 100 vjetorin. Pra janë katër jubile të mëdha, që janë kremtuar në epoka të ndryshme. E seicili nga këto jubile ka bukuritë e veçoritë e veta. 25 vjetori ka qenë një moment madhështor, sepse pak vetë po e përjetonin Shqipërinë e pas 1912, shumica e popullsisë, vazhdonte ta krahasonte me kohën e pushtimit osman. Për ta ka qenë një ditë e mrekullueshme. Tani pavarësia na duket shumë normale. Po e përkujtojmë me vepra që mund të jenë bërë, por jo me ato ndjenja kaq mallëngjyese, kaq të prekshme që kishin përjetuar shumica e popullsisë me rastin e 25-vjetorit të pavarësisë.
Si po e përjetoj unë.. unë po e përjetoj në një moshë shumë të thyer, 92 vjet. Nuk kam gjë tjetër veçse kujtime dhe kujtimet janë shokët më të pandarë të pleqërisë. Më kujtohet entuziazmi me të cilin i kam kremtuar këto përvjetorë, por edhe tashmë ky entuziazëm nuk më ka lënë, unë vazhdoj të punoj. Shpresoj e uroj të kem fuqi e të punoj edhe më tej në fushën që unë kam preferuar t'i kushtohem, historisë.

Ju keni realizuar disa botime këtë kohët e fundit. Por mjaft interesant është ai për Ismail Qemalin...e kishit botuar edhe më parë, por këtë herë është më i pasuruar apo jo?

Shpallja e pavarësisë është një nga temat që ndodhet e pranishme në shumicën dërrmuese të veprave të mia. Unë kam botuar për herë të parë një broshurë mbi shpalljen e Pavarësisë me rastin e 35 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë më 1947, një broshurë modeste, me aq mundësi sa kisha atë kohë. Katër vjet më parë kam botuar një punim gati të plotë së bashku me disa dokumente mnbi Shpalljen e Pavarësisë. Ndërsa albumi për Ismail Qemalin, që është figura më përfaqësuese e historisë së Shqipërisë, është një botim i veçantë, ku Ismail Qemali prezanton vetveten. Të gjitha ilustrimet shoqërohem me citate nga shkrimet e Ismail Qemalit për momentet, episodet, kthesat, pikëpamjet, kundërshtimet e ndryshme.
Pavarësinë e Shqipërisë e kam pasqyruar edhe përmes albumeve të tjera. Kam albumin "Rilindja kombëtare", të cilën e kam konsideruar si ajo ngjarje e madhe, revulucionare që e çoi Shqipërinë te Shpallja e Pavarësisë. Tema e pavarësisë së Shqipërisë është edhe në veprën "Historia e qytetërimit shqiptar", po ashtu shpalljen e pavarësisë e kam trajtuar si shfaqjen e parë edhe në punimet e tjera, "Lidhja e shqiptare e Prizrenit", "Historia e Tiranës", "Historia e Dibrës", etj. Po ashtu edhe në shkrime përkujtimore rreth figurave kryesore të Shpalljes së Pavarësisë.

Ka disa shtylla që mbajnë një shtet, ushtria, financat, diplomacia, etj...Cila prej tyre ka patur një zhvillim të kënaqshëm me të cilin mund të krenohemi sot?
Unë po i zë me rradhë, këto që i përmendët ju. Po e filloj me ushtrinë. Ushtria shqiptare në rrafsh shtetëror nuk ka dhënë ndonjëherë prova se nuk ka qenë në luftë me ndonjë armik, e që të ketë dhënë prova se e ka mbrojtur Pavarësinë. Në kohën e regjimit të monarkisë së Zogut, nuk shkrehu asnjë pushkë kundër okupatorit. Ndërsa në vitet e regjimit komunist ushtria me përjashtim të një momenti që quhet provokacioni grek i gushtit 1949, nuk ka pasur ndonjë rast të tregojë se është e aftë për të mbrojtur vendin, nuk ka pasur rast, aq më pak në kohët e sotme kur kemi hyrë në NATO, dhe ushtria shqiptare është e lidhur në një aleancë euroatlantike, kur nuk ka rast ta tregojë, pasi luftërat tani janë të ndërprera.
Financat... vazhdimisht, shteti shqiptar ka qenë defiçitar. Ka organizuar financat, por s'ka arritur ta ekuilibrojë financiarisht buxhetin shqiptar. Gjithmonë ka qenë pasiv siç është edhe sot. Kështu që detyrohet të marrë hua, të marrë borxhe, dhe një shtet që merr borxhe, do të thotë se nuk ka ende financa të shëndosha.

Diplomacia...deri më sot nuk është një shtyllë që ka korrur suksese të veçanta. Diplomacia jonë ka qenë gjithnjë e varur pas diplomacisë së një fuqie tjetër. Kështu që edhe sot diplomacia jonë është e lidhur ngushtë me diplomacinë e SHBA-ve dhe Evropës.

Unë mendoj se shtylla që ka mbrojtur dhe ka shpëtuar Pavarësisë, e që ekziston edhe sot, është patriotizmi popullor. Ai e ka mbrojtur e vazhdon ta mbrojë këtë shtet të gërmuar nga shekujt, të varfëruar nga shekujt, e megjithatë ai është i gjallë me patriotizmin e vet, dhe kur ka pasur momente të vështira si në luftën e Vlorës apo atë Nacional-Çlirimtare, e ka mbrojtur pavarësisë e Shqipërisë. Kjo është porosia kryesore që unë në këtë moshë ia jap elitës politike shqiptare, që ta kultivojë e forcojë patriotizmin popullor.

Cilat janë dilemat historike që ende s'kanë gjetur zgjidhje edhe sot e kësaj dite?


Unë mendoj se është fjala për shqetësimet më të mëdha, e që nuk kanë gjetur ende zgjidhje. Kam parasysh Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, kur shqiptarët dolën për herë të parë në rrafsh evropian, me kërkesat e tyre politike, shoqërore, diplomatike dhe kulturore. Atëherë cili ishte shqetësimi kryesor? Ishte bashkimi i gjithë trojeve shqiptare në një shtet të vetëm dhe ndërtimin e shtetit mbi baza demokratike. Këto ishin dy nga ato orientimet kryesore që ka përcjellë historinë e shqipërisë që nga kohët e lashta e deri më sot.
Çfarë është arritur? Deri më sot, e para bashkimi i trojeve shqiptare nuk u realizua përkundrazi deri më 1913 diplomacia europiane në vend që t'i bashkonte gjithë këto troje, i ndau, një pjesë Serbisë, një pjesë Greqisë, një pjesë Malit të Zi dhe Shqipërinë e cungoi në një rrip të ngushtë buzë Adriatikut. Abdyl Frashëri i ka lënë porosi diplomacisë europiane në vitin 1873 ka thënë: "në rast se shqiptarët nuk do të bashkohen në një shtet të vetin dhe në rast se ky shtet nuk do të ndërtohet mbi bazamente demokratike Evropa do të ketë vazhdimisht probleme. Dhe në të vërtetë probleme pati. Kosova në rrugë më vete, shqiptarët në rrugë më vete, shqiptarët e Greqisë, Çamëria u katandis vend i shkretëm, sepse u dëbuan çamët.
Më 1999 u hap një shpresë, sepse Kosova u çlirua bashkë me shqiptarët e Maqedonisë. U krijua një shtet më vete. Kjo është nëj fitore historike, por jo ajo fitorja që kanë ëndërruar e shpresuar shqiptarët ndër vite. Janë dy shtete vëllezër të ndarë dhe po ecin në të njëjtën rrugë, por të ndarë. Ka mbetur problemi i realizuar përgjysëm. Sipas meje ky është shqetësimi kryesor. Bashkimi bën fuqinë. Nëse të gjithë këto troje ku banojnë shqiptarët do të jenë nën një çati të vetme politike të përbashkët, Shqipëria do të ecë më shpejt, sepse do të ketë vetëm nëj detyrë, të ecë, të përparojë, të përmirësojë e të pasurojë vendin.

Profesor ju keni qenë kundër asaj që është kërkuar thuajse me forcë deri në instancat më të larta shtërore, sidomos vitet e fundit, për rishikimin e historisë. Pse?

Më falni t'ju them se unë s'kam thënë kështu. Unë kam thënë ndryshe. Më vjen mirë që kam rast ta sqaroj. Nuk jam kundër rishikimit të historisë. Unë mendoj se historia që kur ka lindur ka rishikuar vetveten. Çdo brez që vjen e shikon ndryshe historinë, jo si brezat e kaluar. Madje edhe i njëjti brez nuk e shikon njësoj të njëjtën ngjarje historike. Kemi shembuj plot, që nga koha antike ka pikëpamje të ndryshme. Dhe për luftën e Trojës ka pikëpamje të ndryshme. Dhe është e natyrshme pasi ajo shikohet nga kënde të ndryshme, nga breza të ndryshëm. Unë kam thënë se qeveria nuk duhet të ndërhyjë në rishikimin e historisë. Nuk i takon qeverisë. Ajo ka për detyrë tu krijojë historianëve kushte që të kenë mundësi të pasurojnë historinë, ta përmirësojnë jo ta ndryshojnë. Me këtë s'jam dakord. Duhet t'ju krijojë kushte historianëve, pasi ju takon atyre detyra që ta rishikojnë historinë. Duhet që tu krijojë kushte që të venë nëpër arkiva, të grumbullojnë materiale, të krijojnë institucione ku ata të punojnë me nëjri-tjetrin, të shkëmbejnë mendime, dhe t'i ndihmojë për botimet e tyre. S'ka pse të ndërhyjë qeveria në këtë punë. Nëse ndërhyn qeveria atëherë është diktaturë. Qeveria komuniste ndërhynte, jo vetëm në shkrimet historike, por në tërë fushën kulturore.
S'ka pse të ndërhyjë. Qeveria duhet të rrijë rehat aty ku është të shohë punët e veta, të shikojë tu japë mundësi historianëve e t'i ndihmojë, t'i ndihmojë që të bashkëpunojnë e jo t'i përçajë.
Këtë kam kërkuar unë. Vjen vetvetiu pastaj rezultati që të shikojnë historinët ç'është pozitive e ç'është negative. Jo të na thotë qeveria se ky vlen e ai s'vlen.
Para Luftës së dytë botërore Franca kishte një kryeministër historian Édouard Daladier. Ai atë kohë ishte kryeministër as që u përzie në problemet e historisë, as i detyroi historinët që të shkruanin sipas mentalitetit të tij. Ata mund të shkruajnë kujtimet e tyre, por jo të japin porosi herë pas here: shkruajeni historinë kështu, Fan Noli nuk bën, Bajram Curri, është kështu, ai tjetri ashtu, nuk i takon. Të japë dekorata historike, vlerësime sa janë gjallë njerëzve që kontribuojnë për shtetin, por jo të bëjë vlerësime historike, të anatemojë Fan Nolin. S'ka as një të drejtë. Atë e gjykojmë ne historianët. Unë mund ta gjykoj keq, por është kolegu im që më kritikon. Jo një kryeministër, që edhe sikur të ishte historian, por ja që nuk është, nuk ka të drejtë.
(marre nga Shqiptarja.com (print) datë 25 tetor 2012)

(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?