Krimi në familje, kambanë alarmi! Dom Artur Jaku: Shkak analfabetizmi e teknologjia! Komunitetet fetare në Shkodër: Të ashpërsohen ligjet

3 Mars, 15:54| Përditesimi: 3 Mars, 16:14

  • Share

Dhuna në familje këtë vit ka nisur me shifra të frikshme. Gjatë dy muajve të para policia e Shkodrës raporton për 26 raste dhune. Përballë shifrave në rritje të dhunës në familje, komunitetet fetare vënë gishtin tek largimi i shoqërisë nga themelet e besimit.

“Mungesa e besimit, që e lidh njeriun me zotin është shkaku kryesor. Propagandat e vazhdueshme që e duan individin të zhveshur nga besimi e çojnë njeriun në këtë gradë të papranueshme”, tha Imam Muhamed Sytari, myfti i Shkodrës.

“Analfabetizimi rritet çdo ditë dhe nga ana tjetër avancon teknologjia, të cilat kanë një hendek në mes. Të rinjtë dhe fëmijët kanë një bombë (telefonin) në dorë. Është detyrë e shtetit për të krijuar kushtet për edukimin e brezave të rinj”, u shpreh Dom Artur Jaku, Kryetar i Gjykatës Kishtare.

Përfaqësues të komunitet fetare kërkojnë nga shteti të ashpërsojë ligjet për të parandaluar dhunën në familje.

“Ka nevojë të shihet kuadri ligjor”, tha Imam Muhamed Sytari.

Edhe Denada Shpuza, drejtuese e qendrës “Hapat e Lehtë” flet me shqetësim për numrin e lartë të grave të dhunuara.

“Vetëm në janar kishim 11 raste të reja dhune. Gratë jo gjithmonë gjejnë mbështetje në institucione”, tha Denada Shpuza.

Ndër shkaqet e dhunës në familje, janë varfëria, shoqëria patriarkale maskiliste, mungesa e arsimit, padrejtësitë dhe korrupsioni. Ndërsa tek te rinjtë, si faktor shihet ndikimi i rrjeteve sociale.

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?