Krijohet pranë Akademisë së Shkencave Njësia kërkimore e përkohshme e Bioteknologjisë dhe Gjenetikës

29 Shkurt 2020, 09:41| Përditesimi: 29 Shkurt 2020, 09:46

  • Share

Në vijim të reformës së thellë që ka përfshirë Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe në funksion të përmbushjes së rolit pararendës në përcaktimin e nevojave kryesore të kërkimit në fushën e së ardhmes, dje u krijua pranë ASH-së Njësia kërkimore e Bioteknlogjisë dhe Gjentikës. Kjo njësi është e treta në radhë pas asaj të Sizmikës dhe Gjeoshkencës dhe pas asaj të Nanotekonologjisë. Krahas tyre janë ngritur e vijojnë të ngrihen seksionet e fushave të ndryshme të dijes si ai i trashëgimisë kulturore, etj.

Vetëm pak ditë më parë, Njësia kërkimore e studimit të tërmeteve dhe gjeoshkencës paraqiti raportin për futjen e Eurokodit 8 në ndërtime dhe dha rekomandime për Komitetin e Rindërtimit për ndërtime rezistente e të qëndrueshme. Ndërsa prof. Arben Merkoçi që drejton Njësinë e Nanoteknologjisë ka vijuar me aktivitete në Universitetet e Japonisë, Indisë dhe disa shteteve të Europës.

Krijimi i Njësisë kërkomore të Bioteknologjisë dhe Gjenetikës plotëson kështu një hapësirë të rëndësishme në fushën e një prej dijeve që janë më aktuale se asnjëherë tjetër.

Kështu, u zhvillua dje në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, veprimtaria përuruese e krijimit të Njësisë kërkimore të përkohshme të Bioteknologjisë dhe Gjenetikës.

Veprimtarinë e hapi Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi, i cili pasi përshëndeti pjesëmarrësit foli mbi rëndësinë e krijimit të kësaj njësie pasi "është një nga detyrimet dhe funksionet e Akademisë për të nxitur, mbështetur e propozuar ringritjen e kërkimit shkencor në tërësi e në fusha të veçanta të dijes në veçanti”.

Bërthama e njësisë përbëhet nga prof. dr. Ilia Mikerezi, akad. Efigjeni Kongjika, prof. dr. Ariola Bacu, prof. as Grigor Zoraqi dhe prof. dr Genc Sulçebe.

“Nuk e fshehim - u shpreh në fjalën e tij akad. Gjinushi dhe ia kemi thënë edhe Qeverisë se synimi ynë në fushën e nanoteknologjisë dhe bioteknologjisë është ngritja e një qendre reale kërkimi”

Më pas duke u uruar suksese në punën e Njësisë së sapokrijuar, akad. Gjinushi ia dha fjalën prof. dr. Ilia Mikerezit për të bërë një paraqitje të platformës dhe objektivave mbi të cilat do të zhvillohet veprimtaria e kësaj njësie.

Në këtë paraqitje, prof. dr. Mikerezi shpalosi objektivat e Njësisë, dha një pasqyrë të gjithë departamenteve dhe laboratorëve që punojnë në fushën e bioteknologjisë dhe gjenetikës duke dhënë në fund edhe veprimtaritë që njësia do të zhvilljë deri në fund të vitit.

Më pas fjalën e mori prof. as. Valbona Sota e cila në bashkëpunim me akad. Efigjeni Kongjikën dhe dr. Elektra Papakostën kishte përgatitur një përshkrim të gjendjes së studimeve në fushën e bioteknologjisë bimore in vitro në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e krijimit të rrjetit të kërkuesve në fushën e Bioteknologjisë Bujqësore për prodhimin e produkteve cilësore.

Prof. dr. Ariola Bacu, përgjegjëse e gruplëndëve të bioteknologjisë molekulare foli mbi kontributin aktual dhe perspektiv të departamentit të bioteknologjisë, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës në aplikime të bioteknologjisë molekulare.

Duke marrë fjalën prof. dr. Anila Hoda kumtoi mbi arritjet e kërkimitnë fushën e gjenetikës dhe bioteknologjisë së aplikuar në bujqësinë departamentet dhe laboratorët e Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Gjithashtu fjalën e morën edhe prof. dr. Anila Babameto, prof. dr. Vlash Mara dhe prof dr. Hajri Haska. Duke mbyllur veprimtarinë, akad. Neki Frashëri, Kryetar i Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike të Akademisë së Shkencave theksoi edhe njëherë detyrat që dalin para kësaj Njësie për vitin e parë të funksionimit të saj.

Në këtë veprimtari ishin të pranishëm pedagogë e studentë nga universitetet e Tiranës si dhe kërkues nga institucionet e ndryshme kërkimore në Shqipëri.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?