Krijohet Aleanca për Media Etike, 19 'firmëtarë' STOP piraterisë dhe joprofesionalizmit...me vetërregullim (VIDEO)

12 Shkurt 2020, 14:54| Përditesimi: 12 Shkurt 2020, 19:04

  • Share

TIRANE - Nëntëmbëdhjetë media shqiptare krijuan këtë të mërkurë Aleancën për Media Etike, qëllimi i të cilës është luftimi i piraterisë, informacioni korrekt, etik dhe profesional përmes formulës së vetërregullimit.

Me iniciativë të Këshillit të Medias, mbështetur nga Bashkimi Evropian, UNESCO, Këshilli i Europës dhe ambasada holandeze në vendin tonë, kjo aleancë do të zgjedhë një bord etik me përfaqësi të mediave pjesë të aleancës, jurist, përfaqësues nga Departamenti i Gazetarisë në Fakultetin e Histori-Filologjisë dhe vetë Këshillit të Medias.

Çdo media online dhe audio-vizive do të identifikohet me një logo që tregon 'certifikimin' nga Aleanca për Media Etike. Të gjithë qytetarët që pretendojnë se janë sulmuar në shkrime të botuara nga 19 mediat e Alencës, apo se ka përmbajtje që cenojnë etikën kanë mundësinë për të adresuar shqetësimin e tyre. Ankesat do të merren në shqyrtim nga redaksitë përkatëse, e nëse do të jetë e nevojshme do të kalojnë në 'gjykimin' e Bordit të Etikës ku vendimi duhet të merret me 3/5. Megjithatë, kreu i Këshillit të Medias, Koloreto Cukali, tha se në çdo rast të pazgjidhur mes ankuesve dhe Bordit, fjalën e fundit do ta thotë gjykata.

19 media, mes të cilave edhe Shqiptarja.com dhe Report Tv, dakordësohen për të respektuar të drejtën e autorit, përmes nenit 80 ligji 35/2016 sipas të cilit, shkrimet nuk mund të riprodhohen pa autorizimin e autorit.

I pranishëm në prezantimin e kësaj aleance, ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, tha se përmes vetërregullimit, gazetarët do të shkojnë drejt profesionalizmit, besueshmërisë dhe lirisë së fjalët. Kjo aleancë sipas kryediplomatit është në kohën e duhur, duke iu referuar edhe faktit që debati për nismën ligjore të qeverisë është ende i hapur, përsakohë paketa-antishpifje pret opinionin e Komisionit të Venecias me shpresën për të reflektuar rekomandimet e Këshillit të Europës, siç ai u shpreh.

"Ne e konsiderojmë vetërregullimin si një hap shumë të rëndësishëm i cili do të promovojë cilësinë e informacionit do të luftojë dizinformin dhe shpifjen, ndërkohë që do të ruajë dhe lirinë editoriale  dhe do të fuqizojë kredibilitetin e medias.  Vetërregullimi është po ashtu mënyra që gazetarët të përfitojnë pronësinë e standardeve të tyre profesionale duke e bërë këtë gjë vetë pa përfshirë, qeverinë, partitë apo influencave të tjera. Kjo është një iniciativë që ka ardhur në kohën e duhur, ndërkohë ligji i medias është në diskutim dhe sipër. Kemi kërkuar që kjo iniciativë të  marrë parasysh dhe rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe në veçanti të jetë në harmoni me standardet e lirisë së shprehjes, një gjë  që ende duhet siguruar. Është e rëndësishme që ky debat të jetë i hapur dhe ne do çojmë fort zërin tonë", tha Soreca.

Bordi Etik i do të ketë 5 anëtarë ndërsa “Aleanca për Media Etike” do të drejtohet me rotacion për çdo periudhë kohore gjashtë mujore. 2. Detyrat e sekretarisë teknike të “Aleancës së Gazetarisë Etike” i kryen Këshilli Shqiptar i Medias. Marrëveshja pritet të zgjerohet edhe me përfshirjen e mediave të tjera, ndërsa efektet juridike i shtrin për një afat kohor të pacaktuar.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?