Kreu i PD në Elbasan akuzon kryebashkiakun dhe deputetët socialistë: Asnjë ceremoni zyrtare për 28 nëntorin, e kanë kompleks nga regjimi totalitar

29 Nëntor 2022, 11:39| Përditesimi: 29 Nëntor 2022, 12:02

  • Share

Kryetari i partisë Demokratike në Elbasan, Blendi Himçi në një deklaratë për mediat ka akuzuar kryetarin e bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja  për mungesën e një ceremonie zyrtare për festën e 28 nëntorit.

Ai tha se asnjë aktivitet zyrtar nuk ishte organizuar nga bashkia e Elbasanit që sipas tij ishte mjaftuar me ngritjen e flamurit në qendër të qytetit nga ana e deputetëve socialistë dhe kryebashkiakut.

“Për të mos i prishur solemnitetin një dite dhe një date të veçantë si ajo e 28 nëntorit u rezervova të reagoj dhe të mbaj një qëndrim ndaj bashkisë së Elbasanit dhe drejtuesve të saj. Por sot kur kanë kaluar 24 orë nga ajo ngjarje e madhe për kombin dhe qytetin dua të shpreh keqardhjen dhe të pëbuz aktin e rëndë të shpërfilljes nga ky institucion të ngjarjes më solemne të shtetit tonë. Në 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, bashkia Elbasan nuk denjoi të organizojë asnjë aktivitet zyrtar për të nderuar një ngjarje kaq të madhe në historinë e kombit tonë. Kryetari i bashkisë dhe deputetët socialist besojnë se ata përfaqësojnë gjithçka në këtë qytet. Sipas tyre, Elbasani, qyteti që shpalli i pari pavarësinë 110 vjet më parë i mjafton një aktivitet ku kryetari i bashkisë dhe deputetët e PS ngrejnë flamurin në mes të qytetit”- u shpreh Hinçi.

Më tej kreu i PD në Elbasan, tha se mungesa e ceremonisë zyrtare vinte si pasojë e kompleksit të përhershëm që sipas tij drejtuesit socialistë e kanë trashëguar nga regjimi totalitar.

“Rrënimi ekonomik dhe moral që i ka bërë institucioni i bashkisë Elbasan këta 24 orë është përshfaqur edhe në rrënimin njerëzor dhe identitar. Pasi ka lënë në gjendje të mjerueshme institucionet arsimore që mbajnë emrat e dijetarëve më të shquar, bashkia e Elbasanit nuk denjon të mbajë asnjë aktivitet që t’u tregojë brezave të rinj se nga kemi ardhur, historinë dhe kush ishin firmëtarët e shpalljes së pavarësisë. Unë e di kompleksin e përhershëm të drejtuesve socialistë. Unë e di që ata janë trashëgimtarë të një regjimi totalitar që persekutoi çdo firmëtar të pavarësisë dhe që mundohen të deformojnë fakte historike”- u shpreh kryetari i PD në Elbasan.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?