Kredia e keqe, ndërkombëtarët
gati planin 3-vjeçar për zgjidhje

27 Shtator 2014, 07:20| Përditesimi:

  • Share
TIRANE - Ka filluar programi për të përmirësuar sistemin e aftësisë paguese në Shqipëri, i cili pritet të reduktojë risqet e huadhënies dhe të rrisë nivelin e huadhënies në vend. Programi për Zgjidhjen e Borxhit është një projekt i IFC, pjesë e Grupit të Bankës Botërore, dhe Ministrisë së Drejtësisë në Shqipëri, në partneritet me Qeverinë e Zvicrës.

Kredia e keqe
Në tremujorin e dytë të 2014, përqindja e huave të këqija në portofolet e bankave në Shqipëri llogaritet në një rekord 23.9% të totalit, ose 69 miliardë lekë (670 milionë dollarë). Me një rritje të jashtëzkonshme nga niveli 6.7% në 2008, përqindja e kredive të këqija në Shqipëri është një nga më të lartat në rajon. Përqindja në rritje e kredive te keqija ka ndikuar negativisht ne fitimet e bankave, kapitalizimet, si dhe në aftësinë dhe gadishmërinë e tyre për të dhënë hua të tjera në Shqipëri.

Falimenti
Pavarësisht nga niveli i lartë i kredive të këqija, Ligji Shqiptar i Falimentit është zbatuar shumë pak që nga viti 2002. Në përgjithësi të gjithë bien dakort që procedurat e falimentit të parashikuara me ligj janë shumë komplekse dhe të vështira. Ne Shqipëri janë 45 kompani në proces falimenti, por deri tani asnjë prej tyre nuk ka falimentuar, për shkak të procedurave të stërzgjatura. Gjithashtu, ka pak profesionistë të kualifikuar që të venë në zbatim legjislacionin në Shqipëri, si dhe mungon ndërgjegjësimi në komunitetin e biznesit dhe tek disa nga aktorët kryesorë, si për shembull avokatë e gjyqtarë. Për pasojë, në vend që të kërkohet ristrukturim i borxhit dhe i biznesit, kompanitë thjesht nuk paguajnë borxhet që kanë dhe mbyllin veprimet, pa përdorur asnjë instrument ligjor.

Reforma
Programi i IFC për Zgjidhjen e Borxhit do të zbatohet në tre vitet e ardhshme. Ai përfshin reformën ligjore dhe rregullatore dhe sigurimin e shërbimeve për ngritjen e kapaciteteve njerëzore në lidhje me zgjidhjen e borxhit në Shqipëri. Ministri Nasip Naço, i pranishëm në takim, ka vënë theksin e tij tek mangësitë në ligj për procesin e falimentit dhe se ky fakt, çon më tej në zvarritje të procedurave. Për më tepër, që shpesh herë, sipas tij, nuk zbatohen procedurat e duhura ligjore për falimentin. Ndër zotimet që do ndërmarrin, sipas ministrit Naço, do të jetë edhe riformimi i rolit të agjencisë së falimentit dhe adresimi i një pakete të re për këtë çështje. Gjithashtu ambasadori zviceran Graf shprehu shqetësime lidhur me falimentin si proces dhe gjithashtu, bëri të ditur mbështetjen e tyre për rregullimin e mirëvajtjes së këtij procesi. Së fundmi, ministri Naço deklaroi edhe se duhen ndihmuar edhe bizneset e ndryshme, në mënyrë të tillë që të ulen kreditë e këqija.

*Shkrimi u botua ne gazeten e perditshme Shqiptarja.com (print) dt.27 Shtator 2014

Redaksia Online
Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?