Kostot e prodhimit dhe ndërtimit u rritën, u ulën çmimet e produkteve të importit

5 Mars, 18:20| Përditesimi: 5 Mars, 18:34

  • Share

Viti 2023 është mbyllur me rritje të kostove të prodhimit dhe të ndërtimit. Referuar raporteve të fundit të INSTAT, në tremujorin e fundit të vitit të shkuar çmimet e industrisë prodhuese janë rritur me 3.1%.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, rritja më e madhe e çmimeve është regjistruar tek grupi i energjisë elektrike me 7.5%, ndjekur nga industria nxjerrëse me 4.5%, më pas është furnizimi me ujë me 1.7% dhe Industria përpunuese me 1,5%.

Brenda grupit të “Industrisë përpunuese” rritja më e madhe e çmimeve ka ndodhur tek “Përpunimi i produkteve ushqimore” me 5,8 %, dhe prodhimi i pijeve me 4.5%. Por rritje ka pasur edhe tek produktet e tjera.

Me 4% thotë INSTAT në tremujorin e katërt vjet u shtrenjtuan edhe kostot e ndërtimit, dhe shkaqet kryesore janë energjia elektrike dhe rritja e pagave.

Ndërsa sa i takon çmimeve të importit ato kanë rënë me 0.5% në këtë periudhë krahasuar me vitin 2022, duke dëshmuar që çmimet e mallrave të importuara kanë qenë më të lira në tremujorin e fundit të vitit. Sipas raportit rënia më e fortë e çmimeve ka qenë në industria nxjerrëse me -3.6%. Me 3% janë reduktuar edhe çmimet në seksionin e furnizimit me ujë apo 2.1% më lirë ishte energjia elektrike.

“Gjithashtu, çmimet në seksionin “Industria përpunuese”, me peshën më të madhe prej 90,6 % ,shënuan një ulje prej 0,3 %. Brenda këtij seksioni ulja më e madhe e çmimeve vërehet në produktet e aktivitetit “Prodhimi i produkteve të duhanit” me 3,9 %, pasuar nga “Prodhimi i lëkurës dhe produkteve prej lëkure” me 3,2 %, “Përpunimi i tekstileve” dhe “Prodhimi i produkteve optikë, elektronikë, kompjuterikë” me 2,9 % secili, “Prodhimi i produkteve të kauçukut dhe plastikës” me 2,8 %, “Përpunimi i produkteve dhe preparateve farmaceutikë” me 1,8 %, etj. Nga ana tjetër çmimet në aktivitetin “Përpunimi i koksit dhe rafineria e nënprodukteve të naftës” shënuan rritje me 3,1 %”, thuhet në raport.

Edhe më herët në raporte të Bankës së Shqipërisë, është vlerësuar se inflacioni i brendshëm i shkaktuar nga rritja e pagave për të mbajtur punonjësit apo kërkesa e lartë për mallra, po shtrenjton produktet pasi rriten kostot e bizneseve.

G.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?