Kostot e ndërtimit u rritën me 6.2% në prill-qershor! INSTAT: Shkak shtrenjtimi i materialeve të ndërtimit! Nuk ndikoi në lejet e ndërtimit

7 Shtator 2022, 16:34| Përditesimi: 7 Shtator 2022, 21:22

  • Share

TIRANË- Ndërtimet e reja pritet të jenë edhe më të kushtueshme, për shkak se kostot janë shtuar. Sipas të dhënave të INSTAT në tremujorin e dytë të këtij viti, kriza e çmimeve edhe në sektorin e ndërtimit ka qenë më e fortë. Indeksi i çmimeve në këtë periudhë ishte 6.2%, ku ndikimin më të madh e ka pasur shtrenjtimi i energjisë elektrike me 15.5%. 

Duke qenë se kompanitë e ndërtimit ose e blejnë energjinë në treg të lirë, ose e marrin me çmimin e rritur në janar me 18 lekë për kilovat, edhe kostot për ndërtimet e reja kanë qenë më të larta. 

Pas energjisë elektrike, shpenzimet për materiale kanë pësuar rritje me 6.6%. Brenda këtij grupi sipas INSTAT, janë shtrenjtuar me 7.8% hidro-sanitaret, janë rritur me 6.9% çmimet e materialeve të ndërtimit si dhe janë shtuar me 4,7 % kostot e materialeve elektrike dhe të komunikimit.

Sipas raportit, rritje të çmimeve ka pasur edhe në kategoritë e tjera të nevojshme për këtë sektor si për shpenzime për makineri, për paga apo për transport. 

Si pasojë e krizës, qeveria vendosi të japë 14.3 milionë euro për kompensimin e të gjithë ndërtuesve që kanë një kontratë publike për çmimet e rritura gjatë këtij viti të materialeve të ndërtimit. Kompensim nga 5-30% do të marrin kompanitë për hekurin, çimenton, bitumin, tubat plastike, aluminin, bakrin dhe zinkun në varësi të peshës që ata zënë në investimin e tyre.

Por pavarësisht kostove në rritje, ndërtimet jo vetëm që nuk janë frenuar, por në 6 mujorin e parë të vitit janë rritur, pasi janë miratuar 736 leje që është numri më i lartë që prej vitit 2006 për të njëjtën periudhë.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?