Kostot e ndërtimit u rritën me 3.1% në vitin e kaluar! Shifër rekord në 2021, u dhanë 1396 leje ndërtimi

4 Mars 2022, 16:15| Përditesimi: 4 Mars 2022, 16:18

  • Share

Ndërtimet e reja pritet të jenë edhe më të kushtueshme, për shkak se kostot janë shtuar. Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2021, çmimet në sektorin e ndërtimit u rritën me 3.1%, duke dëshmuar për një shtrenjtim më të lartë se çmimet e konsumit.

Në tremujorin e tretë të 2021 INSTAT thotë se transporti pati shtrenjtimin më të madh me 4.5% në raport me vitin 2020, duke reflektuar menjëherë rritjen e çmimit të transportit në tërësi dhe jo vetëm të karburantit. Më pas vijnë materialet e ndërtimit që u shtrenjtuan me 4,1 %, dhe rritja më e madhe është reflektuar tek hekuri.

Në vend të tretë për rritjen më të lartë janë shpenzimet për paga me 2,9 %, më pas energjia është rritur me 1.5% dhe në fund janë shpenzimet për makineritë që janë shtrenjtuar me 0,6 %.

Ekspertët e këtij sektori thonë, se kostot e rritura janë ndër shkaqet kryesore për rritjen e çmimit të apartamenteve për shitje dhe qira.

Ndërkohë, vitin e kaluar ka regjistruar rekord numri i lejeve të miratuara, për ndërtesa të reja. Sipas të dhënave të INSTAT, deri në fund të dhjetorit 2021, u dhanë 1.396 leje ndërtimi, duke arritur shifrën më të lartë në 10 vitet e fundit.

Ndikim në rritjen e numrit të lejeve të ndërtimit ka dhënë edhe procesi i rindërtimit, pasi lejet e miratuara vjet ishin në rritje me 45.3%, në raport me 2020. Në 2021, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike ishte 99,2 miliardë lekë.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?