Prokuroria Speciale e Kosovës

Kosovë, serbit nga Peja i ngrihet aktakuzë për krime lufte! Ishte pjesë e ushtrisë serbe që në 1999 vranë 19 shqiptarë

23 Qershor 2023, 17:14| Përditesimi: 23 Qershor 2023, 17:25

  • Share

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë kundër një banori nga fshati Vitomiricë, Komuna e Pejës,  të nacionalitetit serb, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale krimi i luftës kundër popullsisë civile.

I pandehuri M.GJ,akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, prej muajit Janar 1998 deri me 21 qershor 1999, në fshatin Ozdrim të Komunës së Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe me datë 07.05.1999 fillimisht e rrethuan fshatin Ozdrim, e pastaj filluan një ofensive ushtarako-policore  duke shtënë me armë në drejtim të popullsisë civile me ç ‘rast u vranë (19) civilë të nacionalitetit shqiptarë. 

Hetimet kanë siguruar prova të mjaftueshme relevante juridike që dëshmojnë dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në kryerjen veprës penale për të cilën po akuzohet" thuhet në njoftimin e prokurorisë së Kosovës.

Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.

I pandehuri i cili u arrestua në fund të qershorit të vitit të kaluar gjendet nën masën e sigurisë - paraburgim, sipas vendimit të Gjyqtarit të procedurës paraprake deri në një vendim të ri nga ana e gjykatës.

 Nga përfundimi i luftës në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare të drejtësisë.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë u hetuan nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) ishte përgjegjës për hetimet e krimeve të luftës. Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar dokumentet në Prokurorisë Speciale të Kosovës.

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?