Një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës

Kosovë/ Kuvendi miraton dërgimin e Forcave të Armatosura në misionin e dytë jashtë vendit

30 Nëntor 2022, 16:46| Përditesimi: 30 Nëntor 2022, 16:48

  • Share

Me 77 vota për, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar që pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës të dërgohen në misionin e dytë paqeruajtës jashtë vendit.

Sipas një marrëveshjeje me Mbretërinë e Bashkuar, disa pjesëtarë të FSK-së do të dërgohen në Ishujt Falklands. Një ditë më parë, Qeveria tha se në këtë mision do të dërgohen deri në shtatë pjesëtarë të FSK-së dhe se “ky mision mund të zgjasë deri në tre vjet, me mundësi vazhdimi”. Ky mision jashtë vendit financiarisht do të mbulohet nga buxheti i Kosovës, ndërkaq pjesëtarët e FSK-së do të jenë nën komandën e forcave të armatosura të shtetit pritës.

Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar në shtator të këtij viti nënshkruan marrëveshjen për bashkë-zbarkimet e forcave të tyre në misionet ushtarake jashtë këtyre dy shteteve.

Marrëveshje të ngjashme Kosova ka edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si rezultat i bashkëpunimit me forcat amerikane, një kontingjent i FSK-së kishte marrë pjesë në misionin e parë jashtë vendit më 2021, përkatësisht disa pjesëtarë u dërguan në Kuvajt.

FSK-ja numëron afër 2.500 trupa të rregullt dhe 800 rezervistë. Numri i forcave të saj të rregullta pritet të dyfishohet kur të mbarojë procesi i transformimit. Forca e Sigurisë së Kosovës ka nisur procesin e transformimit të plotë në ushtri më 2018. Ky proces pritet të zgjasë dhjetë vjet./REL

S.C/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?