Kosova themelon Institutin për krimet e kryera gjatë luftës, Kurti: Nuk mund të ketë amnisti për krimet e kryera nga Serbia

8 Nëntor 2023, 12:52| Përditesimi: 8 Nëntor 2023, 14:26

  • Share

Pavarësisht përpjekjeve për dialog e marrëveshje me Beogradin, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Duke njoftuar themelimin e institutit për krimet e Serbisë, Kurti deklaroi se krimet nuk parashkruhen dhe nuk do të amnistohen.

“Vazhdon angazhimi ynë institucional për adresimin e të gjitha dëmeve krimeve të kryera gjatë luftës, angazhimi ynë për të matur dëmet e shkaktuara, andaj sot u bë një hap për ruajtjen e kujtesës kolektive, e cila do të na shërbej edhe neve edhe brezat pas nesh. Pra, e jetësojmë Institutin që do të adresojë krimet e Serbisë gjatë viteve 1998-1999”, ka thënë Kurti.

Gjatë mbledhjes së qeverisë, Kurti bëri edhe një bilanc të kërkimeve për të zhdukurit gjatë luftës.

“Plagët janë ende të njoma, janë të hapura për mijëra familjarë të mbi 1600 personave të zhdukur gjatë luftës. Po i japim prioritet fatit dhe vendndodhjes së të zhdukurve. Gjatë këtij viti janë kryer gërmime vlerësuese në 11 lokacione, prej tyre 5 nga to kanë rezultuar me gjetjen dhe zhvarrosjen e të paktën 6 viktimave të luftës, duke mos përfshirë gjetjet e fundit në Bishtazhinë, Gjakovë dhe Prizren”, ka thënë Kurti.

Drejtori ekzekutiv i Institutit për Krimet e kryera gjatë Luftës në Kosovë është emëruar Atdhe Hetemi. Ndërkohë, ministrja e drejtësisë bëri me dije se ndaj Serbisë po përgatitet një padi për gjenocid.

 

S.S//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?