Kosova përkujton ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari  dhe 23 vjetorin e UÇK-së

28 Nëntor 2020, 16:05| Përditesimi: 28 Nëntor 2020, 16:08

  • Share

23 vjet më parë, u shfaq për herë të parë publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës, më 28 nëntor të vitit 1997, në fshatin Llaushë të Skenderajt. Shkak i bërjes së tyre publike ishte vrasja e mësuesit të shkollës së Llaushës, Halit Geci nga ana e forcave serbe.

Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi, kanë qenë të parët që kanë dalë për herë të parë publikisht para opinionit publik, në varrimin e tij, si ushtarë të UÇK-së.

Ndërkohë që sot në Kosovë përkujtohet edhe ditëlindja e Komandantit legjendar Adem Jashari. Ai ka lindur më 28 nëntor të vitit 1955 në Prekaz të Skenderajt. Adem Jashari, Komandanti i cili me luftën e tij të drejtë u bë simbol për Lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Emri i tij u bë i njohur në fundin e nëntorit 1997, në Rezallë të Re.  Në këtë betejë ushtarët shqiptarë i ndërprenë rrugën autokolonës serbe, në krye qëndronte Adem Jashari dhe Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi, Ilaz Kodra, Ilaz Dërguti, duke shënuar edhe fitoren e parë të UÇK-së.

Nuk do të kalonte shumë kohë dhe policia serbe do të sulmonte shtëpinë e Jasharëve. Më 5 mars 1998, filloi edhe sulmi ndaj familjes Jashari.  Aty do të humbiste jetën Adem Jashari dhe familja e tij, për t’u bërë tanimë të pavdekshëm në historinë dhe memorien e kombit shqiptar.

Kjo luftë heroike, në historinë e re të Kosovës njihet me emrin Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?