Bajram Begaj në Asamblenë e OKB: Platformë unike për bashkëpunim global! Njihni pavarësinë e Kosovës

21 Shtator 2023, 21:43| Përditesimi: 22 Shtator 2023, 07:14

  • Share

Njohja e pavarësisë së Kosovës ka qenë kryefjalë e fjalimit të Presidenti të Republikës, Bajram Begaj në Asamblenë e OKB që është duke u zhvilluar në Nju Jork.

Në fjalën e tij, kreu i shtetit theksoi se OKB- në është një platformë unike për bashkëpunimin global duke ofruar shpresë për një botë më të mirë.

“Jam i nderuar të flas sot përpara jush dhe të shpreh vlerësimin tim të thellë për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Kjo asamble shërben si një platformë unike për bashkëpunim global dhe ofron shpresë për një botë më të mirë.

Që nga viti 1955, kur Shqipëria u bë anëtare e Kombeve të Bashkuara, shumëçka ka ndryshuar. Nga një vend i vetëizoluar, Shqipëria tani qëndron krenare si anëtare e NATO-s dhe ka nisur negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.”- tha Begaj.

Presidenti vlerësoi rolin e Shqipërisë në politikën e jashtme për kontributin e saj të madh për paqen e stabilitetin në Rajon. Ai gjithashtu theksoi se Kosova është ende një element shumë i ndjeshëm dhe se Shqipëria mbështet dialogun e vështirë të Kosovës dhe Serbisë.

“Si pjesë e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria vazhdon të japë kontribut të palëkundur për paqen dhe stabilitetin në këtë rajon.

Gjatë gjithë historisë sonë, Shqipëria i është përmbajtur një politike të marrëdhënieve të miqësisë dhe fqinjësisë së mirë. Jemi thellësisht të shqetësuar  për krizat e herëpashershme që përsëriten në marrëdhëniet mes fqinjëve. Si Shqipëria, ashtu edhe Kosova kanë mbrojtur vazhdimisht paqen mbi tensionet dhe konfliktet, dhe ne mbetemi të përkushtuar në këtë rrugë.

Shpresojmë të njihen kontributet tona dhe të mos lejojmë që përpjekjet që bëjmë të errësohen nga qasjet negative.

Në këtë kontekst, Shqipëria mbështet dialogun e vështirë, që po vijon midis Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga ndërmjetësimi i kujdesshëm i Bashkimit Evropian dhe mbështetja e fortë e Shteteve të Bashkuara. Në të njëjtën kohë, Shqipëria mbetet e ndjeshme ndaj integritetit dhe prosperitetit të Kosovës. Kosova ia ka arritur të shërojë shumë plagë të thella nga e kaluara tragjike.”- tha kreu i shtetit.

Presidenti bëri thirrje se Kosova meriton njohjen e pavarësisë pasi në vitet e vështira të luftës se dhimbja nuk ka nevojë për armiqësi.

“Të drejtat e serbëve në Kosovë pasqyrojnë normat dhe vlerat evropiane, e njëjta gjë duhet të vlejë edhe për pakicën shqiptare në Luginën e Preshevës, në jug të Serbisë.

Fatkeqësisht, ne mbetemi ende të shqetësuar për bërjen jo aktive të adresave të tyre të banimit dhe mungesën e investimeve të konsiderueshme, si dhe stimujve ekonomikë në atë rajon. Kosova ka dëshmuar se dhimbja nuk ka nevojë të lindë armiqësi; ajo duhet të përkthehet në mirëkuptim dhe mbështetje.  Gjithsesi Kosova është ende në pritje të njohjes së pavarësisë së saj nga shumë vende. Shpresoj që këto vende së shpejti do ta njohin kontributin e Kosovës për një komunitet global më të drejtë, më paqësor dhe do t'i japin Kosovës njohjen që meriton.

NJIHENI PAVARËSINË E KOSOVES!”- tha Begaj.

Begaj shtoi se vendi ynë i kushton një rëndësi të veçantë së drejtës ndërkombëtare. Ai shtoi se kjo u prova edhe në dënimin që Shqipëria i ka bërë vazhdimisht agresionit ushtarak rus në Ukrainë.

“Shqipëria, pavarësisht se është një komb i vogël me një demokraci të re, ka histori të shënuar nga luftëra që nuk i zgjodhi, si dhe pushtime që nuk i kërkoi dhe as i pranoi.

Edhe pse kujtime të dhimbshme, ato kanë dhënë mësime të paçmueshme.

Është pikërisht për shkak të historisë së saj që Shqipëria i kushton rëndësi të madhe të drejtës ndërkombëtare si mbrojtja e saj kryesore. Ne përqafojmë me vendosmëri parimet e rendit ndërkombëtar bazuar në rregulla, ku marrëdhëniet midis kombeve bazohen mbi respekt dhe jo mbi pushtet absolut. Ky angazhim është arsyeja përse ne e kemi dënuar vazhdimisht dhe pa mëdyshje agresionin ushtarak kundër Ukrainës dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë.”- tha ndër të tjera presidenti Begaj.

Ora 21:57
Begaj: Shqipëria komb i vogël me demokraci të re, por ka histori të shënuar nga luftëra që nuk i zgjodhi

Presidenti Bajram Begaj gjatë fjalës së tij në Sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që është duke u zhvilluar në New York tha se Shqipëria pavarësisht se është një vend me demokraci të re, ka shënuar luftëra që nuk i zgjodhi.

"Shqipëria, pavarësisht se është një komb i vogël me një demokraci të re, ka histori të shënuar nga luftëra që nuk i zgjodhi, si dhe pushtime që nuk i kërkoi dhe as i pranoi. Edhe pse kujtime të dhimbshme, ato kanë dhënë mësime të paçmueshme. Është pikërisht për shkak të historisë së saj që Shqipëria i kushton rëndësi të madhe të drejtës ndërkombëtare si mbrojtja e saj kryesore. Ne përqafojmë me vendosmëri parimet e rendit ndërkombëtar bazuar në rregulla, ku marrëdhëniet midis kombeve bazohen mbi respekt dhe jo mbi pushtet absolut. Ky angazhim është arsyeja përse ne e kemi dënuar vazhdimisht dhe pa mëdyshje agresionin ushtarak kundër Ukrainës dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë. Pavarësisht madhësisë sonë Shqipëria ka qenë e angazhuar në mënyrë aktive në arenën ndërkombëtare, si në nivel rajonal, ashtu dhe në atë global, në kërkim të paqes dhe sigurisë. Megjithatë, ne e pranojmë se zhvillimi i qëndrueshëm është një komponent integral i arritjes së paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Nga ana tjetër, zhvillimi i qëndrueshëm kuptimplotë është i paarritshëm pa pasur në themel paqen dhe sigurinë e vërtetë", tha ai.

Ai shprehu shqetësim për krizat në marrëdhëniet mes fqinjëve.

"Shqiptarët luajnë një rol vendimtar në Evropën Juglindore. Ne përbëjmë shumicën në dy Republika të pavarura, Shqipëri dhe Kosovë, formojmë një pakicë themelore në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi, si dhe pakicë të rëndësishme në jugun e Serbisë. Gjatë gjithë historisë sonë, Shqipëria i është përmbajtur një politike të marrëdhënieve të miqësisë dhe fqinjësisë së mirë. Jemi thellësisht të shqetësuar  për krizat e herëpashershme që përsëriten në marrëdhëniet mes fqinjëve."

Ora 19:42
Begaj takon Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, António Guterres

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj u takua ditën e sotme me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, António Guterres. Në nisje të takimit, Presidenti Begaj përgëzoi Sekretarin e Përgjithshëm për përkushtimin dhe vizionin e treguar në drejtimin e OKB-së.

Kreu i Shtetit nënvizoi kontributin e dhënë nga Shqipëria në dy vitet e fundit, për paqen dhe sigurinë, si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Sipas Presidentit Begaj, angazhimi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, është konfirmim i rolit të Shqipërisë si faktor stabiliteti jo vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe më gjerë.

Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm kanë qenë në fokus të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 78-të të Asamblesë së OKB-së, ndaj në këtë drejtim Presidenti Begaj i shprehu Sekretarit të Përgjithshëm angazhimin maksimal të Shqipërisë në zbatimin e OZHQ-ve dhe Axhendës 2030.  

Presidenti Begaj u ndal edhe te zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kreu i Shtetit nënvizoi se Shqipëria mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropain dhe mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, që do të mundësonte të dyja vendet si dhe të gjithë rajonin, të vazhdonin me sukses rrugëtimin e tyre integrues në BE.

Në tërësi, Ballkani Perëndimor po kalon një periudhë tejet dinamike, ndaj Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e saj në forcimin e bashkëpunimit mes shteteve, në funksion të stabilitetit dhe përparimit të tyre.

G.MO//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Partia: 21/09/2023 22:24

    Ooo me 30 vetë, shkova në OKB me 30 vetë. O Baromo na jep i kafe ne Gosë.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?