Konferenca e Paqes në Paris 1919

Korrespondenca Kolea- Parashqevi Qiriazi e 1920-s, çështja shqiptare në Konferencën e Parisit

16 Qershor 2019, 10:07| Përditesimi: 17 Qershor 2019, 07:29

  • Share

Sotir Kolea ne Janar 1920 i kërkonte Parashqevi Qiriazit të ndikonte tek Presidenti amerikan për mbrojtjen e cështjes kombëtare: “Puna e jonë ka mbetur ndër duart e Amerikës m’u porsi puna e Fjumesë”

Kur çështja shqiptare në Konferencën e Parisit në fillimshek XX ishte në rrezik nga interesat shoviniste të fqinjëve, përpjekjet e një grupi patriotësh, që nuk ishin pjesë e delegacionit shqiptar, ishin të mëdha. Ata synuan gjetjen e përkrahësve të fortë për çështjen kombëtare në kancelaritë më të mëdha, ndërsa publiçistika e penave shqiptare në gazetat dhe revistat, që botoheshin nga patriotët  në emigracion, godiste fortë. Por për fatin e keq të kombit, për këto përpjekje, dallon gati si një mallkim fakti, që qysh para një shekulli, krahët politikë shqiptarë jo rrallë, punonin nën rogoz kundër çështjes kombëtare.

Në fondin Sotir Kolea në letërkëmbimet me Parashqevi Qiriazi në vitet 20 të shekullit të kaluar, kupton se cfarë ndodhte nën dhe mbi rogozet e atyre , që ne kemi konsideruar prej shumë kohësh dhe jo pak, si patriotë të mëdhenj të kombit. Arkivat ende të pastudjuara, kërkojnë urgjencë në zbardhjen e të vërtetave historike pa dorashka. 

Nga Lozana, në 9 Janar 1920,  Kolea me bashkëpunëtorin në revistën D’Albanie, Hilmi Këlcyra, në një letër Parashqevi Qiriazit, që aso kohe jetonte në SHBA, në Boston, kërkonin përpjekjet për të trokitur në cdo kancelari për cështjen shqiptare. Kjo çështje kërkonte njerëz besnikë të cështjes kombëtare. Një prej tyre ishte Parashqevi Qiriazi.

“Zonjë e ndershme dhe atdhetare e vlejturë,

Thika mbi shqiptarët arriti gjer më ashtë, tashti është lufta e fundit vdesim, o rrojmë, do të ndahet për pak kohë, andaj gjithë ata që kanë zemrën të zhuritur nga malli për Shqipërinë, gjithë ata që nuk kanë pasur ndë jetë të tyre tjetër endërr përvec lirijëse dhe mbarësijës së Atdheut, ngjan tashti më se kurdo, të vënë fuqinë e tyre për të prapsur dëshpërimin . Se dëshpërimi është vdekja, shqiptarët enish nuk kanë vdekur dhe Shqipëria nuk do të vdesinjë.

Ju zonjë që keni marrë një pjesë kaq të madhe ndë luftën e shenjtë , që keni vënë botë –a- botë fuqinë tuaj për ti bërë ballë rrezikut të jashtëm dhe për të shkundur fatkeqësijën e brendshme, ju prapë kini detyrë të madhe të përpiqi sa më shumë tashti, që është dhe ndahet fati i Shqipërijësë.

Puna e jonë ka mbetur ndër duart e Amerikës mu porsi puna e Fjumesë. Me gjithë që Amerika sikur paska dëftuar se nuk do përzihet ndë punë të Europëse, prapë të mëdhenjtë e kësaj ane nuk guxojnë të lidhin gjë prej gjëje pa volinë e pëlqimin e saj. Nevoja që kanë prej saj dhe frika që kanë për shoqi-shoqin, i shtërngon që të ecin ndë këtë udhë. Shpresat tona nga ana e përtej Atlantikut janë fare të ftohta.

Franca nuk ka ndryshuar mëndje qysh në 1912, e mahniturë prej grekëve të z. Venizell dhe pas sërbëve të z. Pashiq, nuk ka sy të shohë kombe të tjerë, as të dëgjojë klithmën e atyre, që gjinden ndë rrezik vdekje. Këtë gjë e patë më mirë dhe ju vetë sa kohë që ndenjët në Paris.

Italia, po ajo e gjithë jetës, diplomatët e saj kanë harruar ç’ është të skuqurit përpara gënjeshtrës, tashti ndë këtë luftë e sipër dhe pas saj, i vunë kulmin e turpërimit.  Zoti Klemaso u shtërngua të thotë ufiqërisht përpara botës se, diplomatët e Italisë hëngrën fjalën që u kishin dhënë Frëngjëjve dhe Inglezëve.  Pasi e mbaruan me Greqinë mbi kurriz të Shqipërisë, me Korçën, Gjinokastrën dhe Khimarën  do të paguhet Greqia, me Shkodrën dhe malësijën e fushës së saj do të paguhen Jugosllavët. Këto na punon mikja e Libohovasve, e Turhanit dhe e sogërijës së tyre. Tashti për së fundi, e rrëfyen plot gojën qëllimin e tyre pas fjalëve, u erdhi radha veprës. Gjaku që u derdh ndë Vlorë të 28-në e Vjeshtës së Tretë, gjaku dhe zjarri i Hormovës dhe kaq e kaq të tjera gjakëra dhe zjarre, na janë provë e aftëtë për jetën që na pret ndënë thonjët e Sonnino/Tittonervet. Sa për nga ana jonë, këto kishim si dhe ju trajtuam që në krye të herës, që kur pamë Qeverinë e Romës të përkrahnin gjithë sa vagabondë numurohen ndër shqiptarët  faqezezë, vepra e Kushullatës së këtushme me Turhan Përmetin, Tahsin Mesarenë (ata të Selanikut) Viska Dodaninë (atë të Dhjatës së Tërpos) dhe me ca zagarë të tjerë si këta, na qe me aftë, andaj që ndë krye të herës, nuk pushuam së protestuari dhe së ngrituri zërin kundër të punuarve të Italisë mbi kurriz të Shqipërisë. Një pjesë të madhe të telegrafëve që kemi rrahur, i shtypëm dhe i nxjerrim ndë fletën që kemi këtu kur ia kemi volijënë. Por janë aq shumë telegrafe e lutje e shkresa të tjera, që nuk mund t,u gjëjmë  vend ndë fletën tonë, ose se janë të shumta, ose sepse nuk na jep dorë t’i qisim ndë shesh të madh. Të fundit janë protestat tona për vrasjen e Vlorës, që keni për t’i gjetur këtu brenda.

Nuk vëmë asnjëfarë dyshimi  se me të dëgjuar këtë mënxyrë të papriturë, me gjithë shokët tuaj të mirë, kini ngritur zërin dhe keni qarë  brengën te Qeverija e Amerikës. Por kjo sot nuk është me aftë, veç veprës që duhet vështruar si të veprojnë gjithë po aq, edhe të tjerët.

Ndë Amerikë janë një gjëmë shoqërish dhe vëllazërish, që nuk u dimë adresat, se asnjë gazetë nuk u kujtua të përmbledhë një shënim të stërhollë, ndonjë adresë ndo për qëllimin e veprën e tyre. Këto tokica pra, janë një fuqi e madhe për ne dhe në ditën e sotme një e tillë fuqi nuk duhet lënë pa përdorur. Kjo detyrë rëndon mbi gjithë atdhetarët e vërtetë e të kthjellët, që janë dhe rrojnë ndë Amerikë. Kur ishte njëherë tjetër prapë për Vlorën, një farë Bahri Omari, që për fat të prapë, kishte mbirë redaktor i Diellit, bëri ç’ishte e mundur për me u mbajtur dorën atyre, që donin të hidhnin protesta e luta. Ndofta ashtu i jepte dorë z.Omarit, por tashti ky zotni u zhduk nga Dielli. Nuk besoj të ketë mbirë ndonjë tjetër kërpudhë si ay. Por sidoqoftë është barra juaj të kujdeseni, që të mos përsëritet gabimi i parë. Ne kemi shkruar ndë ndoca vise dhe do të shkruajmë edhe më mbi këtë çështje, por veprimi i tyre ndër atdhetarët e atyshëm, nuk mund të ketë rëndësijën tuaj, që e njihni vendin dhe njerëzinë, si tanët, edhe të huajt. Ndaj zonjëzë, ju lutemi të mos kurseheni. Me të urtë e me të butë, mbushuni mendjen edhe atyre, që mund të mos rrefehen aq të ngrohtë nga zemra .

Puna jonë nuk është aq e pashpresë. Italia mund të lidhë godija me dyzina, këto nuk e bëjnë punë sa pa ia qasur Amerika , se për këta të kësaj ane s’do as thënë, se ia kanë qasur me kohë. Andaj porta e Amerikës duhet trokitur sa më shpejt dhe sa më fortë.  Për këtë punë janë vëllezërit tanë të botës së re, sa kushdo tjetër ndë shkallë, të veprojnë me dobi e me fitim për atdheun.

Përveç të ngriturave, që ju zumë ndë gojë këtu sipër, dmth të telegrafëve për Mbretërijën e Tij, Mbretin e Italisë dhe për Parlamentin e për Kryesijën e Konferencës ndë Paris si dhe të këpujës, për të cilën ju bëmë fjalë, ju mbyllim këtu këto: 1-të lutjes që hodhëm Kumisijës së Senatit të Amerikës në 16.XII.1919; 2-të telegrafit që rahëm për bajlozat e Amerikës e të Ingliterrës ndë Paris më 13 të muajit që kaloi; 3-të telegrafit që u rrah në 13 të Dimëruarit të Parë zotit Klemanso; 4-të letrës që i shkruam kryesijës së Diligatës sonë më 31.XII.1919; 5-të letrave që I kemi shkruar Vatrës të 2 dhe 19 të Dimëruarit dhe të 3 të këtij muaji .

Duam të shihni ato, që ne bëjmë për veprën e zotërinjve të Vatrës e Djellit, të cilat na duket se nuk janë përkujdesur për punët që duhet të kujdeseshin, duke pasur gjithë atë fuqi te lëndët dhe moralin që u dhanë shqiptarët e Amerikës. Le të shpresojmë se do ndreqen të metat kështu e tutje pa u bërë vonë.  Tuke pritur lajme të mbara nga ana juaj, ju përshëndesin zonjë e ndershme dhe atdhetare. Për Redaksinë e De L’Albanie, firmat Sotir Kolea dhe Hilmi Këlcyra. (AQ, F 47, D 14, fl 8)

Çfarë ndodhte në Paris, tradhëtia e delegatëve shqiptarë 

Gjithçka prej një shekulli në historinë e kombit tonë, nga lufta për pavarësi, dhe demokraci, përgjegjësia kryesore u takon politikanëve. Ta quash “fatkeqësi”, është fjala më e butë që mund të zgjidhet, sepse mëkatet janë jo të vogla për pasojat që kanë lënë pas për kombin.  Për sa ka ndodhur para një shekulli nga ata që u morën me politikë, asgjë nuk mbulohet. Ndonëse historiografia e kohës së komunizmit, si kudo, edhe në arkiva bëri seleksionime jo pak sipas preferencave politike, sot nuk fshihen më, sepse arkivat tregojnë dhe flasin të vërtetat. Gjatë punimeve të Konferencës së Parisit kishte delegatë shqiptarë, që ishin shitur në armiqtë tanë si Italia, Greqia sdhe Sërbia për interesat e tyre meskine personale, që sot pa frikë quhen dhe “tradhëtare”.  Shumë prej tyre edhe nuk janë ditur, sepse janë mbuluar jo rrallë herë. 

Parashqevi Qiriazi kishte qënë disa muaj pranë Delegacionit shqiptar e dërguar nga Partia e saj nga SHBA në Konferenën e Parisit në vitin 1919. Ajo kishte parë dhe dëgjuar se çfarë dhe si punonin anëtarët e Delegacionit zyrtar shqiptar  atje dhe ishte tmerruar. “Të huajtë vërtet na kanë rënë në qafë, por unë do të them: në qafë na paçin ata shqiptarë, të cilët e kanë bërë kabull të bëhen veglat e atyre, që duan të vënë Shqipërinë nën zgjedhë”, i shkruante në 1 Shkurt 1920 nga US Parashqevi Qiriazi miqve të saj Sotir Kolea dhe Hilmi Këlcyra, që aso kohe drejtonin revistën “L ,Albanie” në Lozanë:

“Zotërinjve S.Kolea dhe H.Këlcyra, të nderuar zotërinj dhe atdhetarë të shquar,

Letrën e z/ suaj që më 9 të muajit që kaloi bashkë me kopjet e 11 shkresave që patët mirësinë të më dërgoni, i mora dhe ju faleminderit. Ajo që më gëzoi më fort është se në këto kohëra kaq kritike dhe kaq të rrezikshme, lipset medoemos që të gjithë kombëtarët e vërtetë, që kanë duart e lara, shpirtin e kulluar, ballin e hapët për me i dalë gjithkujt pa frikë, të mblidhen , ose të bëjnë radhitjet e duhura për letërkëmbim të rregullt dhe marrëveshje të plotë.

Kombëtarët e vërtetë çmojnë pa masë veprat e zotërisë suaj dhe kthjellësisht po ju them se këto vepra u kanë forcuar ndjenjat dhe u kanë dhënë fuqi të re të qëndrojnë të patundur në programin kombëtar.

U siguroj të nderuar vëllezër, se si gjer tani, kështu edhe pastaj, nuk do të rresht  së bëri detyrën time me sa mundet kundrejt atdheut të dashur, të cilit sikundër të gjithë kombëtarët e vërtetë, edhe unë i kam falur jetën. Është e ditur se të gjitha kombet kanë partira, shoqërira, ndryshim mendimesh, etj, por taksirati i Shqipërisë më duket se është shumë më i madh.

Tetë muaj në Paris u përpoqa me ditë e me natë me sa mundej, por ato që panë sytë e mij edhe sa dëgjuan veshët e mij, edhe ç,fare pune u bë, mbetet në fletët e historisë.

Puna e delegatëve tanë në Paris gjer sa isha unë atje, ishte një utter failure, sic  e thotë amerikani. Po përse? Sepse sa delegatë ishin, kaq programe të ndryshme kishin, edhe katër lloj shkresash dërgoheshin në Konferencë. Gjer sa një ditë, ardhi një duman nga Konferenca, e cila thoshte: “ç’është kjo që po bëni juve shqiptarët. Të gjitha kombet na dërgojnë nga një shkresë, por nga ju marrim katër të ndryshme. Kujt t’i zëmë besë?”, etj.

Të huajtë vërtet na kanë rënë në qafë, por unë do të them: në qafë na paçin ata shqiptarë, të cilët e kanë bërë kabull të bëhen veglat e atyre, që duan të vënë Shqipërinë nën zgjedhë. S’kam asnjë dyshim se Zotëria juaj kini patur raste kur të huajt kanë dashur t’u përdorin si vegla për të mbushur qëllimet e tyre, por patriotizma juaj , burrëria juaj s’e ka bërë kabull, se jeni besnikë e bij të kombit. Ku mund të rri e t’u tregoj sa janë munduar të huajt të na vënë në dorë. Po jo, kurrë nuk do të bëhem shkak të hynjë Shqipëria nën një tjetër zgjedhë. Italia kurrë, nuk ja ka dashur shëndetin  Shqipërisë dhe hidhërimi i gjithë kombëtarëve është pa kufi, kur shohin edhe njerëz të ditur, që bëhen vegla të saj.

Sikundër thoni edhe Z-ria juaj, sot vetëm këtu në Amerikë mund të bëhet gjësendi edhe pas fuqisë që kemi, asnjë rast nuku kemi lënë të na shpëtonjë. Por qysh të shohim pemët e këtyre përpjekjeve, kur një ndërton, dhe tjatri prish? 

Dy organizatat, si Vatra dhe Partia Politike, duheshe ta tundnin Amerikën me çështjen tonë, se është një cështje patethike dhe kështu do të fitonin zemrat dhe simpathinë e amerikanëve. Mirë po qysh bëhet kjo, kur Vatra është nën urdhërat italiane? Dielli dollarët nuku i ka prishur të kundërshtojë politikën greke dhe italiane edhe sërbe, por ka pesë vjet që pa reshtur lufton kombëtarët e vërtetë. Ky ishte shkaku që u organizua Partia Politike, që të mbrojë të drejtat e Shqipërisë. Edhe për pak kohë vate shumë mirë, më vonë sekretari ra krejt nën influencën e zotit Çekrezi , i cili ka qënë gjithmonë përkrahës i politikës Italiane edhe kështu ardhën ngatërrime të papritura, por prapë kemi shpresë për të rregulluar. Kryetari shkruante protestimet, etj. Sekretari kur i dërgonte, i këmbente.

Nevoja është e madhe që të kemi një kombëtar të vërtetë në Ëashington. Fatkeqësisht gjer më sot, s’është bërë gjë. Herë pas here kur zoti Dako, kur unë në Ëashington shkonim dhe po t’ja kishim volinë, do rrinte një prej nesh atje tërë kohën. Unë për së shpejti kam ndërmend të shkoj dhe ndë pastë ndonjë gjë me rëndësi, do t’u lajmëroj.

Këto të para që shkrova në këtë letër , sido që mund të na hidhërojnë, lipset kurrë të mos na dëshpërojnë. Mbetet një gjë për të bërë, të gjithë kombëtarët e vërtetë, të lirë nga propogandat e huaja, të vinë në një marrëveshje,të bëjnë një fuqi. Z-ria juaj besoj se më lehtë mund të merreni vesh me kombëtarët që ndodhen brenda në Shqipëri. Unë këtu do të vë tërë fuqinë time të bënj atë që mundet.

Nuku di nëse jeni në marrëvëshje me Dr Adhamidhin që gjendet në Gjenevë. Përpara ca kohe, Z.ria e tij kish dërguar një qarkore në gjuhën anglisht nëpër amerikanë të rendit të lartë. Një kopje e asaj qarkëtore, i ra në dorë Zotit Dako confidencialisht. Konkluzioni parashtron një projekt për të pritmen e Shqipërisë, midis të tjerave, kërkon Shqipërinë e 1913, po Vlorën, thotë, t’a mbajë Italia për pakë kohë, etj….dhe propozon një këmbim kufie në krahinë të Gjinokastrës për fitim të Grekëve!. Mbetem me nderime, P.D. Kyriaz

Ndikimin dhe rolin që kanë sot politikanët, nuk do të duhet më një shekull për të mësuar se sa mëkatarë janë mes tyre, duke shitur interesat e kombit për përfitime personale dhe politike.

Konferenca e Paqes në Paris 1919

  

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?