Koronavirusi/ Burgjet zëvendësojnë takimet, të dënuarit videocall me familjarët

10 Mars 2020, 17:49| Përditesimi: 10 Mars 2020, 18:29

  • Share

TIRANË - Takimet e të burgosurve me familjarët do të zëvendësohen me videocall dhe telefonata për të shmangur kontaktin fizik. Është kjo një nga masat e marra në kuadër të planit të veprimit të ndërmarrë në ambientet e burgjeve pas evidentimit të rasteve të para me koronavirus në vendin tonë.

Në një prononcim për ReportTV këshilltari i ministrisë së drejtësisë për burgjet, Edis Ibrahimi shpjegoi se si do të zhvillohet ky komunikim teksa shtoi se për të parandaluar virusin do të reduktohen edhe takimet e të burgosurve.

“Do merren masa që të limitohen takimet me familjarët sa është e mundur, por për ti paraprirë kësaj dhe për ti mos pezulluar takimet me familjen janë marrë masa për të shtuar dhe ndryshuar orarin e veprimeve për kryerjen e telefonatave që mund të bëjnë me familjarët e tyre. Duke rritur edhe numrin e telefonatave për të cilën atyre u takon. Do të jetë edhe mundësia e kontaktit dhe komunikimit të këtyre të dënuarve me familjarët e tyre nëpërmjet videocall ose komunikimit me skype. Pra do të mundësohet që në çdo IEVP do instalohen disa kompjuterë me këtë program të instaluar dhe do të bëhet e mundur komunikimi dhe me video me familjarët e tyre.” - u shpreh këshilltari i Ministrisë së Drejtësisë Edis Ibrahimi.  

Gjithashtu Ibrahimi shtoi se të dënuarit që hynë për herë të parë në qelitë e paraburgimit dhe burgut gjatë kësaj periudhe do duhet të kalojnë 14 ditë në karantinë krahas kontrollit të detajuar që do tu nënshtrohen.

“Të dënuarit e rinj dhe të paraburgosurit që vijnë për herë të parë në institucion ata do ti nënshtrohen një kontrolli më të detajuar si nga ana shëndetësore por edhe nga verifikimi i historikut që këta mund të kenë pasur nga kontaktet me personat që mund të kenë ardhur nga zonat e nxehta të Italisë por edhe nëse vet ato kanë qenë vetë në këto zona. Këta edhe do të vetëkarantinohen por është edhe një procedurë e brendshme e institucioneve të IEVP që kur një i ri hy në institucion ai vendoset në një ambient observimi për 10 ditë por që në me urdhër të ministrisë ky observim të jetë 14 ditë siç e parashikon dhe OBSH”- u shpreh këshilltari i ministrisë së drejtësisë Edis Ibrahimi. 

Pjesë e planit të masave janë edhe trajtimi i veçantë i të burgosurve mbi moshën 60 vjeç të cilët vuajnë nga sëmundje kronike dhe që janë më të ekspozuar ndaj rrezikut për tu prekur nga ky virus vdekjeprurës.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?