Koronavirusi/ AMA mesazh mediave: Kujdesuni për personelin që mbani në punë! Respektoni rregullat

12 Mars 2020, 14:35| Përditesimi: 12 Mars 2020, 14:37

  • Share

TIRANË- Autoriteti i Mediave Audiovizive u ka dërguar një mesazh të gjithë mediave të cilat vijojnë punën në këto ditë kur koronavirusi është prezent, duke realizuar misionin e tyre për informimin e qytetarëve edhe pse është një moment i vështirë për vendin.

Një mesazh kujtese, që të kujdesen me përgjegjësi maksimale për personelin që angazhohet në redaksitë e lajmeve dhe studio.  Theksi vihet tek respektimi i distancës nga njëri-tjetri, shmangia e emisioneve me publike.

"Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, duke ndjekur situatën me përpjekjet që po bëhen për parandalimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, kujton subjektet audiovizive që të kujdesen me përgjegjësi maksimale për personelin që angazhojnë brenda mjediseve të redaksive e studiove të regjistrimit dhe transmetimit. Në këtë periudhë të ndalohet prezenca e publikut të përqendruar në programe televizive direkte ose të regjistruara. Në formatet informative apo forum, të mos ketë më shumë se 2 persona të pranishëm, duke respektuar distancat apo standardet që janë përfshirë dhe në udhëzimet që ka bërë publike së fundmi Ministria e Shëndetësisë, për parandalimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19.

Shtimi i lidhjeve direkte, në distancë, mënjanon rreziqet e transmetimit të virusit. Angazhimi dhe puna voluminoze e redaksive audio dhe audiovizive për raportimin dhe mbulimin e zhvillimeve në terren, duhet të marrë parasysh dhe shëndetin e personelit gazetaresk dhe mbështetës, për të mënjanuar efektet e padëshiruara nga raste të përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19. Duke vlerësuar shëndetin e qytetarit mbi gjithçka, AMA, nga data 12.03.2020 do të monitorojë transmetimet audiovizive dhe për rastet e evidentuara të neglizhencave apo shkeljeve të kërkesave të mësipërme do të fillojë procedurat administrative", shkruhet në njoftimin e AMA-s.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?