Kori Arbëresh ‘Lule Sheshi’ me muzikën e të parëve, jehon polifonia 6-shekullore

13 Mars 2022, 19:21| Përditesimi: 13 Mars 2022, 19:27

  • Share

Ato vijnë nga San Costantino Albanese, një katund arbëresh siç e quajnë në gjuhën mëmë…

“Unë ndihem arbëreshe. U rrita atje mes këtij komuniteti, mes njerëzve të mi, që këndojnë këto këngë e prej të cilëve i mësova dhe unë” thotë Lorenza, 27-vjeçe e pjesë e grupit.

Janë 5 vajza në korin polifonik “Lule sheshi”, që edhe emrin e grupit e marrin nga poezia arbëreshe e poetes Enza Scutari… Në Tiranë vijnë për të kënduar muzikën e të parëve…

Udhëhiqen nga profesori i etnomuzikologjisë e antropologjisë muzikore Nicola Scaldaferri, e në mbrëmjen e kësaj të premteje, sollën magjinë e Polifonisë Arbëreshe në teatrin “Metropol”.

“Ky është brezi i fundit i këngëtarëve të këtij katundi. Unë kam punuar me tre breza në Shën Konstantini të Arbëreshëve, ku ka një traditë kënge femërore, Mbahet si traditë familjare, sikundër ruhet edhe gjuha arbëreshe”, thotë prof. Scaldaferri.

E kanë ruajtur me zell polifoninë, sikundër traditat, kulturën e mbi të gjitha gjuhën arbëreshe, pavarësisht se e vetmja mënyrë që kanë për ta përçuar brez pas brezi është përmes familjarëve.

“Trashëgohet në familje, sepse nuk ka një shkollë të posaçme. Shpresoj shumë që edhe në brezat që vijnë jo vetëm gjuha por edhe kjo polifoni do të trashëgohet”.

Me jehonën e polifonisë Arbëreshe, “Lule Sheshi”, në dy breza i jep Festivalit “Metrosound” të këtij viti traditën muzikore të shqiptarëve duke udhëtuar në më shumë se 6 shekuj më parë…

J.GJ.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?