Presidenti i SHBA-së Joe Biden dhe presidenti i Koresë së Jugut Yoon Suk-yeol

Bota

Koreja e Veriut po përshpejton zhvillimin e arsenalit bërthamor, Biden nga Seuli: Do punojmë për një çarmatim të plotë të Gadishullit Korean

23 Maj 2022, 09:55| Përditesimi: 23 Maj 2022, 10:02

  • Share

Presidenti amerikan Joe Biden dhe ai i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol sinjalizuan në Seul një pozicionim më të fuqishëm ushtarak ndaj kërcënimit nga Koreja e Veriut, e cila së fundmi kreu një numër provash raketore.

Ndërsa Koreja e Veriut synon të përshpejtojë zhvillimin e arsenalit të saj bërthamor, Koreja e Jugut, një aleate e ngushtë e Shteteve të Bashkuara, dëshiron të rrisë gatishmërinë ushtarake.

“Për kërcënimin gjithnjë në rritje bërthamor dhe atë të raketave balistike nga Koreja e Veriut, unë dhe Presidenti Biden ndamë shqetësimet serioze dhe ramë dakord për nevojën për t'i dhënë përparësi atyre mbi çdo çështje tjetër”, tha Yoon Suk-yeol

Në një konferencë shtypi me presidentin e sapo inauguruar Yoon Suk-yeol në Seul, Presidenti Joe Biden ra dakord të diskutonte zgjerimin e stërvitjeve ushtarake me Korenë e Jugut.

“Duhet të punojmë së bashku për të përballuar sfidat e sigurisë rajonale, duke përfshirë kërcënimin nga Koreja e Veriut, duke forcuar më tej masat frenuese dhe duke punuar drejt një çarmatimi të plotë bërthamor të Gadishullit Korean”, tha Presidenti Biden.

Stërvitjet ushtarake mes aleatëve u pakësuan gjatë pandemisë dhe për shkak të përpjekjeve të administratës së mëparshme të zotit Trump për ta angazhuar në bisedime udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un. Megjithatë, Koreja e Veriut vazhdoi zhvillimin e programeve të saj të armëve dhe ka kryer 16 prova me raketa vetëm këtë vit.

Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se Pheniani mund të kryejë prova të tjera me raketa dhe madje prova bërthamore ndërsa Presidenti Biden vazhdon vizitën në Azi.

E.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Propozimi i PS, a na duhet një reformë e re anti-korrupsion?