Korçë/Gruaja me probleme mendore aborton, ruan fetusin në shtëpi, e gjen bashkëshorti pas 1 muaji! 40-vjeçarja jetonte e vetme me fëmijën autik! Mjekja: Me kartelë prej 1 viti, por s'mjekohej

2 Maj 2022, 09:09| Përditesimi: 2 Maj 2022, 14:08

  • Share

Një dramë e vërtetë familjare ka ndodhur në Korçë, ku një 40-vjeçare me probleme të shëndetit mendor ka abortuar fëmijën dhe fetusin e ka mbajtur në një valixhe në shtëpi. Bashkëshorti i kthyer prej një muaji nga emigracioni, thotë se vetëm sot ka mundur të gjejë valixhen dhe ka njoftuar policinë.

Drama familjare bëhet më e rëndë kur fqinjët tregojnë se gruaja jetonte vetëm me një fëmijë autik 16-vjeç, ndërsa i shoqi qëndronte më shumë në Greqi.

Gruaja është transportuar këtë të hënë në maternitetin e Korçës, ndërsa mjekja neuro-psikiatre tregon se 40-vjeçarja prej 1 viti ishte diagnostikuar me depersonalizim, por nuk është mjekuar!

Sipas mjekes, gruaja vuan nga çrregullime serioze psikotike ndaj duhet të qëndrojë e shtruar në spital. Ende nuk dihet nëse shtatzënia ishte pasojë e një abuzimi seksual dhe as koha e kryerjes së abortit në kushtet e shtëpisë.

Ora 13:22
Foshnja e gjetur e pajetë në një valixhe në Korçë, mjekja neuro-psikiatre: Nëna me probleme të shëndetit mendor, por s'mjekohej! Jashtë realitetit

Mjekja neuro-psikiatre, Nikolina Bode, ka deklaruar se gruaja, e cila futi në një valixhe foshnjën e saj të sapolindur, që u gjet e pajetë sot, vuan nga probleme të rënda të shëndetit mendor. Ajo shprehet se gruaja është jashtë realitetit dhe se nuk është e përgjegjshme për veprimet e saj.

"Sipas familjarëve ishte prej 3 vitesh e sëmurë me probleme të shëndetit mendor dhe para një viti ka qenë e kartelizuar. Ka bërë një injeksion në muajin gusht, por terapinë orale të dhënë nga mjeku nuk e ka marrë rregullisht. Është e sëmurë, e pamjekuar, jashtë realitetit. Ajo e quan veten një person tjetër dhe se fëmija është lindur nga një person tjetër që nuk është ajo. Ajo është jashtë realitetit, e papërgjegjshme. Në këtë rast duhet shtrim i detyruar në spital dhe shtrim afatgjatë", thotë ajo.

Ora 12:44
Gjeti foshnjën e pajetë në një valixhe në shtëpi, burri: Nuk e dija që gruan e kisha shtatzënë! Kam qenë në Greqi

Klodi Hasimllari, i cili gjeti sot në banesë foshnjën e pajetë në një valixhe në banesën e tij, ka deklaruar se ai nuk e dinte se bashkëshortja, e cila vuan nga probleme të shëndetit mendor, ishte shtatzënë. Ai ka deklaruar se kishte vetëm 1 muaj që ishte kthyer nga Greqia, ku kishte ndenjur 6 muaj, duke pretenduar se fëmija nuk është i tij. Ai pretendon po ashtu se gruaja e tij ka kryer abort në shtëpi.

"Ndenja 5 muaj në Greqi, kam 1 muaj që jam kthyer. Dyshimet janë që ka abortuar para një muaji, pak para se të vija unë. Jetonte vetëm me djalin", tregon ai.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?