Kronikë

Kontrolle në akset e qarkut të Elbasanit, makinat 'fluturojnë' me shpejtësi nga 174 deri në 224 km/h, vihen disa gjoba

4 Shtator 2021, 20:43| Përditesimi: 4 Shtator 2021, 20:54

  • Share

I lartë vjon të jetë numri i shoferëve që shkelin rregullat e qarkullimit pavarësisht ndëshkimeve dhe aksidenteve të vazhdueshme. Gjatë kontrolleve me radar e drone në disa akse kryesore të qarkut të Elbasanit ka rezultuar se disa shoferë qarkullonin me shpejtësi përtej limiteve që varionin nga 174 km/h deri në 224 km/h. 10 leje drejtimi u tërhoqën vetëm në aksin Elbasan Tuneli i Krrabës-Elbasan, ndërsa u vunë 29 masa administrative.

Njoftimi i policisë:

Kontrolle me radar në rrugën interurbane Elbasan- Krrabë - Elbasan. Kontrolle edhe me dron në rrugën nacionale Elbasan - Librazhd dhe Elbasan - Cërrik për të ndëshkuar ata drejtues mjetesh që kryejnë parakalime të gabuara, rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore me pasoja për jetën. Policia Rrugore e Elbasanit, gjatë 24 orëve të fundit ka vijuar kontrollet në rrugën interurbane Elbasan - Tuneli i Krrabës - Elbasan, për të parandaluar shpejtësinë tej normave të lejuara, e cila është rrezik potencial për aksidente rrugore.

Gjatë kontrollit, në të dyja kahet e lëvizjes janë konstatuar shpejtësi tej normave të lejuara, që varonin nga 174 km/h deri në 224 km/h, në kulmin e trafikut. Si rezultat janë tërhequr 10 leje drejtimi për shpejtësi tej normës së lejuar. Drejtuesi i mjetit tip Audi, shtetasi A.S., nga Tirana është konstatuar me shpejtësi 224 km/h, i cili u ndëshkua me masë administrative 15.000 lekë të rinj, 6 muaj pezullim të lejes së drejtimit dhe zbritje të pikëve nga leja e drejtimit. Shtetasi E.H, rezident në Itali u konstatua me 174 km/h, i cili u ndëshkua me masë administrative 40.000 lekë të rinj. Gjithashtu janë vendosur 29 masa administrative për shpejtësi dhe manovra në rrugë, si dhe janë vendosur 3 masa administrative maksimale me vlerë 40.000 lekë të rinj pasi drejtuesit e mjeteve ishin shtetas të huaj.

Kontrollet kanë vijuar edhe me dron në rrugën nacionale Elbasan - Librazhd, dhe Elbasan - Cërrik ku janë evidentuar e ndëshkuar për parakalim të gabuar 21 drejtues mjetesh me masë administrative 5.000 deri në 15.000 lekë të rinj. Gjithashtu gjatë 24 orëve të fundit janë pezulluar 5 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, si dhe janë vendosur 12 masa administrative me vlerë deri 15.000 lekë të rinj për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, por pa sanksionin plotesues të pezullimit të lejes së drejtimit. Drejtues mjetesh, qarkulloni brenda limiteve të lejuara që destinacioni juaj të jetë i sigurt, mos fluturoni  se shpejtësia vret. Në të gjitha akset nacionale nga Rruga e Kombit deri në Sarandë e nga Korça në Berat si dhe në qendrat kryesore urbane ka patrulla të Policisë Rrugore me radarë, alkooltestues, dronë, kamera e aparatë fotografik.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?