Kontrata me “Rapiscan”, Spiropali:
Skanimi i kontenierëve nuk zbatohej

1 Nëntor 2014, 14:40| Përditesimi:

  • Share
SHKODER -Drejtorja e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali foli per here te pare per kontraten e koncesionit të skanimit të konteinerëve, lidhur ne kompanitë 2S Albania dhe Rapiscan, duke thene se nuk ishte e zbatueshme, ndërkohë që ankesat e biznesit për koston e lartë ishin të mëdha. Kontrata është bërë efektive nga qeveria Berisha dhe ka qenë objekt kritikash nga opozita dhe subjektet, sipas të cilëve këtë detyrë e kanë vetë Doganat. Sipas kushteve të saj, për çdo skanim konteineri kompania merrte 39 euro, shpenzim që mbulohej nga konsumatori fundor, pasi rriste koston e zhdoganimit.

“Qeveria ishte në një proces negociatash me kompaninë. Kontrata ishte e pazbatueshme”, deklaroi Spiropali gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit në Shkodër. Ndër, sa i takon gjykimit të ardhshëm në Arbitrazh, Spiropali shpjegoi se Avokati i Shtetit është institucioni i cili po merret me procedurat për mbrojtjen e shtetit shqiptar. “Nuk jam unë autoriteti kompetent për të folur për këtë çështje. Çështja po ndiqet nga Avokati i Shtetit, por mund të them se ka një problem shumë të madh me mënyrën si janë dhënë koncesionet dhe kontratat që janë lidhur” (nga qeveria e mëparshme), tha Spiropali.

Lidhur me procesin e skanimit në dogana, ajo shpjegoi se ky shërbim mund t’i mbetet shtetit. “Dogana nuk është autoriteti vendimarrës për këtë çështje, por në shumë vende të botës skanimi është një kompentencë shtetërore dhe nuk ka pse t’i jepet një kompanie të huaj, që rëndon biznesin”, tha Spiropali.

Marrëveshja koncesionare me këtë kompani është nënshkruar nga ish-ministri i Financave Ridvan Bode në nëntor të vitit 2011 dhe ishte parashikuar të zgjaste 15 vjet. Kompania amerikane Rapiscan, që operpnte më pas nëpërmjet kompanisë S1 Albania, e kontraktuar për skanimin e mallrave në doganë, i është drejtuar ndërkohë arbitrazhit ndërkombëtar në Vjenë me pretendimin e prishjes së kontratës në mënyrë të njëanshme nga qeveria shqiptare dhe ka kërkuar dëmshpërblim në shumën 359 milionë dollarë për fitim të munguar.

“Kontrata e koncesionit të skanerave në dogana ishte shumë abuzive, unë shpresoj të jetë e vërtetë ajo që thonë dhe zyrtarët e lartë të Ministrisë së Financave dhe Doganave, që ajo kontratë ka shumë probleme. Alternativa e fundit që ka pasur kjo kompani, që ta çojë në arbitrazh, është më shumë një tentativë e fundit për të përfituar diçka, se sa është e vlefshme për të pasur sukses në gjyq", tha Oltion Rrumbullaku, pedagog në Fakultetin Ekonomik. Ndërsa sa u përket përgjegjësve të krijimit të kësaj situate, Rrumbullaku thotë se duhet të jetë Prokuroria organi shtetëror që të vendosë për këtë, pasi, nëse ka shkelje ligji, natyrisht që ka dhe individë, të cilë e kanë lejuar atë.

Edhe dy koncesione të tjera po presin “gjykimin”
 
Pullat fiskale dhe markimi i naftës, objekt shqyrtimi
Në vitin 2012, qeveria Berisha dha me koncesion një tjetër shërbim, atë të pullave fiskale, mes debatesh të forta të opozitës së asaj kohe. Ky shërbim aktualisht është monopol në treg, çka ka bërë që biznesi të mos ketë zgjedhje tjetër, por të pranojë tarifat e përcaktuara nga kompania private. Që nga momenti i aplikimit të këtij shërbimi 2 vite më parë, përfaqësues të Partisë Socialiste deklaruan se për 10 vjet konsumatorët do t’i paguajnë firmës private 140 milionë euro, për një shërbim që mund ta kryejë shteti. Ministria e Financave tashmë po negocion për rishikimin e këtij koncesioni. Një gjë të tillë e ka pranuar edhe ministri i Financave Shkëlqim Cani kohët e fundit në Kuvend. Por e kishte thënë edhe në muajin janar të këtij viti vetë kryeministri Edi Rama, kur tha se do të ndërhyhet ndaj monopolit të prodhimit dhe shpërndarjes së pullës fiskale për mallrat me akcizë, e cila është kthyer në një problem dhe në një barrë për bizneset dhe vetë shtetin. Ky aktivitet i është dhënë me koncesion një kompanie zvicerane me çmime disa herë më shumë se ato të vendeve të rajonit.

“Ky koncesion mban erë të mirëfilltë korruptive dhe është bërë për t’i shërbyer një grupimi të caktuar ekonomiko-politik, i cili në këto dy vite koston e ka patur rreth 25 milionë euro. Kostoja është sa gati 10-fishi i pullave fiskale në vende të tjera të Bashkimit Europian dhe në Kosovë. Kosova e ka 3 euro, ne e kemi 28 euro", ka deklaruar Luan Bregasi, president i BiznesAlbania.

Nga ana tjetër, një koncesion i përfolur gjithashtu shumë po vihet në qendër të vëmendjes së qeverisë. Fjala është për markimin e karburanteve, për të cilin qeveria paraardhëse miratoi koncesionin 10-vjeçar, pa vendim parlamenti. Ky proces parashikon qe kompania të shënjojë naftën në treg, që ta bëjë të dallueshme nga nafta jocilësore. Por, veç rritjes së çmimit, nuk rezulton që kjo të ketë zgjidhur problemin e cilësisë së naftës dhe benzinës në treg. Kostoja plus për 10 vjet është 150 mln euro. 


Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?