Konsulli Shqiptar i Nderit në Ukrainë flet nga Kharkiv për Report Tv: Çdo mëngjes mbledh vullnetarë për të luftuar! Ushtarët rusë u gënjyen, nuk e dinin që po shkonin në luftë

1 Mars 2022, 19:58| Përditesimi: 1 Mars 2022, 21:10

  • Share

Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainë, është përballur sot me bombardime nga ushtria ruse. Në një intervistë për Report Tv, Konsulli Shqiptar i Nderit në Ukrainë, Shahin Omarov thotë se nuk do të dorëzohen përpara ushtrisë ruse.

Në ‘Studio Live’ me gazetarët Arbër Hitaj dhe Migena Sotiri, Omarov tregoi se zgjohet çdo mëngjes dhe mbledh vullnetarë për të luftuar. Konsulli Shqiptar i Nderit në Ukrainë tha se kanë arritur ta zmbrapsin ushtrinë ruse nga Kharkivi me anë të luftimeve dhe mbrojtjes që kanë organizuar.

“Sot është dita e 6 që ka filluar lufta. Që kur ka filluar ofensiva në të gjithë vijën e frontit të Ukrainës zhvillohen luftime të përgjakshme. Për situatën në Ukrainë sesi po zhvillohet do të të tregoj më gjatë. Vetë ndodhem në Kharkiv. Unë që në orën 6 të mëngjesit dal në rrugë, mbledh edhe vullnetarë për të luftuar. Kharkiv ndodhet 40 km nga kufiri me Rusinë. Ditën e parë ata erdhën deri në rrethinat e Kharkivit, ne kemi organizuar mbrojtjen. Ne me mbrojtjen tonë që kemi organizuar dhe me luftimet, kemi bërë të mundur që të zmbrapsin ushtrinë ruse dhe i kemi nxjerrë jashtë qytetit. Kharkivi është qyteti i dytë më i madh në Ukrainë. Trupat ruse kaluan disa orë nëpërmjet Kharkovit dhe u drejtuan më pas për në Kiev. Ne i zmbrapsëm”, u shpreh Konsulli Shqiptar i nderit në Ukrainë për Report Tv.

Omarov tregoi në Report Tv se ushtarët rusë nuk e kanë qenë në dijeni se do të nisen drejt luftës, por atyre u është thënë se do të kryenin stërvitje dhe më pas janë gjetur në frontin e luftës.

“Trupat ruse kanë pësuar humbje shumë të mëdha dhe morali i ushtarëve të tyre është shumë i ulët. Ushtarët rusë nuk e dinin ku shkonin. Nuk i kanë thënë që do shkonin në Ukrainë për të luftuat, por u kanë thënë që do shkojnë për stërvitje. Si rezultat i asaj që u ndaluan, ata filluan të bombardonin nga ajri. Ata për tu hakmarrë filluan të bombardonin nga ajri çdo ndërtesën spital, shtëpi banimi, kudo që mund të godisnin, ata godisnin me bomba. Ata përpiqen që të shtypin shpirtin tonë luftarak, po ata nuk do munden asnjëherë, sepse çdo viktimë që ndodh këtu do merret 10-fish haku”, tha Omarov për Report Tv.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?