Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi

Politikë

Konflikti në PD me 2 Kuvende, Bardhi: Jo axhendë pengmarrje për partinë! Njerëzve të Berishës u kërkova bashkim dhe jo përçarje 

19 Nëntor 2021, 15:05| Përditesimi: 19 Nëntor 2021, 15:10

  • Share

Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi zbulon se PD zyrtare ka shtrirë dorën e bashkëpunimit ndaj mbështetësve të Berishës, duke u kërkuar në mbledhjen e shkuar të kryesisë të propozojnë çështje për diskutim në Kuvendin e 18 dhjetorit. 

E ndërsa kjo kërkesë sipas tij nuk u pranua nga deputetët e rreshtuar krah Foltores, Bardhi thotë se PD nuk mund të shërbejë për axhenda që marrin peng partinë për interesa personale. 

"Qëndrimi im në mbledhjen e Kryesisë ka qenë i qartë duke synuar bashkimin dhe jo përçarjen. Për shkak të respektit që kam për kolegun Gent Strazimiri, po konfirmoj se është e vërtetë që në mbledhjen e Kryesisë kërkova që të merrnim të gjithë sëbashku një periudhë reflektimi për të gjetur rrugën që na bashkon dhe jo atë që na ndan. Për këtë propozova pezullimin e vendimmarrjes në mbledhje për të marrë pak më shumë kohë. Për të bashkuar dhe jo për të përçarë u propozova disa prej kolegëve që të kërkonin shtesë të çështjeve që ata mendojnë se duheshin përfshirë në rendin e ditës së Kuvendit Kombëtar, për të përcjellë në rrugë institucionale zërin e pakicës që mendonte ndryshe nga Kryetari.

Ndërsa bëja këtë propozim, kolegën ndërhynë dhe refuzuan propozimin tim, duke ripërsëritur në mbledhje qëndrimin e shpallur paraprakisht nga z. Berisha në konferencë për shtyp se “Kryesia nuk merr dot vendim, Kuvendi do të zhvillohet në datën 11 Dhjetor dhe rendi i ditës është caktuar”. Në këtë moment kam theksuar se kështu provohet që qëllimi nuk është mbajtja e Kuvendit Kombëtar, dialogu mes demokratëve dhe ndërtimi i platformës së përbashkët për rrëzimin e regjimit të Edi Ramës. Me këtë qëndrim kolegët konfirmuan se qëllimi është mbajtja peng e Partisë Demokratike për hallin personal të z. Berisha. Askush nuk ka të drejtë të marrë peng Partinë Demokratike për hallet e tij personale. Problemet personale duhet të mbahen në shtëpi dhe jo të jenë axhendë pengmarrje për Partinë Demokratike. Partia Demokratike është e demokratëve që do të kuvendojnë në Kuvendin Kombëtar të PD më datë 18 Dhjetor 2021. Ky është Kuvendi i bashkimit të demokratëve dhe përgjigja e duhur institucionale ndaj cilitdo që prej më shumë se dy muajve i fryn vetëm zjarrit të përçarjes", shkruan Bardhi.

Kujtojmë se situata në PD është mjaft e nderë, me dy Kuvende Kombëtare, një i thirrur më 11 dhjetor nga Sali Berisha dhe një tjetër më 18 dhjetor thirrur nga kreu i PD, Lulzim Basha. Dy ditë më parë, pas takimit të zhvilluar me dyer të mbyllura me 71 kryetarët, Basha tha se kushdo që shkel vendimin e Kryesisë së Partisë, përfshirë këtu edhe Sali Berishën, fatin e ka të caktuar nga Statuti i Partisë. Me këtë ai ka nënkuptuar se kushdo që paraqitet në Kuvendin e thirrur nga Sali Berisha do të këtë pasoja.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?