Komisioni Evropian

‘Konflikti në PD ka ndikuar jetën parlamentare’ Draft raporti i KE për Shqipërinë: Duhet më shumë bashkëpunim me opozitën dhe shoqërinë civile

11 Tetor 2022, 12:26| Përditesimi: 11 Tetor 2022, 13:28

  • Share

Komisioni Evropian pritet të miratojë më 12 tetor paketën vjetore të zgjerimit dhe raportet e progresit për secilin nga vendet e përfshira në këtë proces.

Për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut përmendet fakti se këto dy vende i kanë nisur negociatat e anëtarësimit, pas një pune intensive dhe kjo shënon një moment historik në raportet e këtyre dy vendeve me Bashkimin Evropian. Në rastin e Shqipërisë vlerësohet progresi në forcimin e strukturave për integrim në BE, por kërkohet që në këtë drejtim të ketë më shumë bashkëpunim me opozitën dhe shoqërinë civile. Aty nënvizohet se konflikti i madh i brendshëm me partinë më të madhe opozitare, Partinë Demokratike(PD,) ka ndikuar në jetën parlamentare në Shqipëri.

Vendi ynë ka vazhduar luftën kundër korrupsionit në nivel të lartë por i kërkohet më shumë përpjekje në parandalimin e pastrimit të parave.

Një çështje që Komisioni Evropian kërkon në mënyrë të veçantë në Shqipëri është angazhimi për të penguar emigrimin ilegal, sidomos të personave të mitur pa përcjellje.

Nga Shkupi kërkohet që të ketë më shumë vullnet politik për të reformuar sistemin zgjedhor. Edhe në Maqedoninë e Veriut Komisioni vë në dukje se polarizimet politike kanë ndikuar që Parlamenti të vonojë miratimin e disa ligjeve. Ndërkohë, sa i përket Kosovës, Komisioni Evropian i mbetet qëndrimit se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Aty, po ashtu, theksohet se Këshilli Evropian duhet të merret me urgjencë me këtë çështje. Ndërsa lidhur me Serbinë, sipas draft-raportit, vendi ka bërë kthim prapa” në përafrimin e qëndrimeve të saj me politikën e jashtme të BE-së, sidomos në rastin e sanksioneve ndaj Rusisë, të cilat Serbia vazhdon t’i refuzojë.

Një vend tjetër i rajonit, i cili do të ketë fokus të veçantë në paketën e zgjerimit këtë vit, është Bosnje e Hercegovina.

Komisioni Evropian pritet të shprehë zhgënjim për dështimin e forcave politike në këtë vend për të arritur një marrëveshje për reformat e sistemit zgjedhor, si dhe për reformat e kufizuara kushtetuese.

Për këtë shkak, në ditën e zgjedhjeve në këtë shtet, më 2 tetor, përfaqësuesi i lartë i bashkësisë ndërkombëtare për Bosnje e Hercegovinën, Christian Schmidt, është detyruar t’i përdorë kompetencat e tij dhe të imponojë disa ndryshime. Raportet vjetore të progresit analizojnë në detaje arritjet e secilit vend në fushat dhe kapitujt e negociatave të anëtarësimit në BE.

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?