Konflikti në Nagorno-Karabakh, 20 viktima dhe qindra të plagosur pas shpërthimit në depo karburanti

26 Shtator 2023, 08:44| Përditesimi: 26 Shtator 2023, 15:22

  • Share

Të paktën 20 njerëz janë vrarë dhe pothuajse 300 janë plagosur në një shpërthim të fuqishëm në një depo karburanti në rajonin e Nagorno-Karabakh, ndërsa mijëra armenë etnikë u larguan nga territori separatist pasi ushtria e Azerbajxhanit mori kontrollin e plotë të tij në një ofensivë të papritur javen e kaluar.

Autoritetet lokale armene thanë se 290 njerëz u shtruan në spitale, dhjetëra prej tyre ende në gjendje kritike pas shpërthimit. Nuk dihet ende shkaku i shpërthimit, raporton The Guardian.

Ushtria e Azerbajxhanit shkatërroi forcat armene në një sulm 24-orësh javën e kaluar , duke i detyruar autoritetet separatiste të bien dakord për të lënë armët dhe për të filluar bisedimet për “riintegrimin” e Nagorno-Karabakut në Azerbajxhan pas tre dekadash sundimi separatist.

Ndërsa Azerbajxhani është zotuar të respektojë të drejtat e armenëve etnikë në rajon dhe të rivendosë furnizimet pas një bllokade 10-mujore, shumë banorë vendas u frikësuan nga hakmarrja dhe vendosën të largoheshin për në Armeni.

Qeveria armene tha se më shumë se 13,550 banorë të Nagorno-Karabakut kishin mbërritur në Armeni që nga mëngjesi i së martës. Moska tha se paqeruajtësit rusë në Nagorno-Karabakh po ndihmonin evakuimin. Rreth 700 persona mbetën në kampin e paqeruajtësve të hënën mbrëma.

S.S//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?