Foto ilustruese

Kompania kineze pranon se përdori të dhënat e TikTok-ut për të gjurmuar gazetarët

23 Dhjetor 2022, 11:39| Përditesimi: 23 Dhjetor 2022, 11:43

  • Share

Punonjësit e kompanisë kineze të teknologjisë, ByteDance siguruan qasje në të dhënat nga platforma e mediave sociale, TikTok, për t'i gjurmuar gazetarët në një përpjekje për të identifikuar burimin e rrjedhjeve të informacioneve në media, pranoi kompania të premten. TikTok-u ka bërë përpjekje të mëdha për t'i bindur klientët dhe qeveritë e tregjeve kryesore si Shtetet e Bashkuara se privatësia e të dhënave të përdoruesve mbrohet dhe se nuk përbën kërcënim për sigurinë kombëtare.

Por, kompania amë, ByteDance, i tha AFP-së të premten se disa punonjës patën qasje në të dhënat e dy gazetarëve si pjesë e një hetimi të brendshëm për rrjedhjet e informacionit të kompanisë në media. Ata kishin shpresuar të identifikonin lidhjet midis stafit dhe një gazetari të Financial Times dhe një ish-gazetari të BuzzFeed, u tha në një email nga këshilltari i përgjithshëm i ByteDance, Erik Andersen, i parë nga AFP-ja.

Të dy gazetarët raportuan më parë për përmbajtjen e materialeve që kanë rrjedhë nga kompania. Secili prej punonjësve që u zbulua se ishte përfshirë, u pushua nga puna nga ByteDance, tha Andersen, megjithëse ai nuk bëri të ditur se sa ishte numri i tyre.

Në një deklaratë për AFP-në, ByteDance, tha se e dënon "iniciativën e gabuar që shkeli rëndë Kodin e sjelljes të kompanisë". Punonjësit kishin marrë adresat IP të gazetarëve në një përpjekje për të përcaktuar nëse ata ishin në të njëjtin vend me kolegët e ByteDance të dyshuar për zbulimin e informacionit konfidencial.

Megjithatë, plani dështoi pjesërisht sepse adresat IP zbuluan vetëm të dhëna të përafërta të vendndodhjes. TikTok është sërish në qendër të vëmendjes në Shtetet e Bashkuara, ku Kongresi është gati të miratojë një ndalim mbarëkombëtar për përdorimin e aplikacionit jashtëzakonisht të popullarizuar të videove të shkurtra në pajisjet qeveritare për shkak të rreziqeve të perceptuara të sigurisë. Dhoma e Përfaqësuesve mund të miratojë këtë javë një ligj që ndalon përdorimin e TikTok-ut në telefonat profesionistë të nëpunësve civilë, një veprim që do të pasonte ndalimet në rreth 20 shtete të SHBA-së. TikTok-u ka kërkuar t'i bindë autoritetet amerikane se të dhënat e SHBA-së mbrohen dhe ruhen në serverët e vendosur atje.

Por, pas raportimeve të mediave, ajo ka pranuar gjithashtu se punonjësit me bazë në Kinë kishin qasje në të dhënat e përdoruesve amerikanë, megjithëse kompania këmbënguli se ishte në rrethana strikte dhe shumë të kufizuara./ REL

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?