Komisioni i Jashtëm miraton projektligjin për shfuqizimin e Agjencisë së Diasporës

23 Janar, 11:46| Përditesimi: 23 Janar, 12:16

  • Share

Komisioni për punët e Jashtme miratoi projektligjin për shfuqizimin e Agjencisë së Diasporës, e krijuar në vitin 2017.

Zv.Ministrja e Punëve të Jashtme Artemis Malo tha se qëllimi është forcimi i mëtejshëm i politikave shtetërore lidhur me diasporën, çështjet e së cilët do t’i trajtojë kjo ministri.

“Funksionet administrative realizohen më mirë nëse është pjesë e ministrisë që merret me politikat e diasporës”, tha Malo.

Në 2022 u pa e arsyeshme nga qeveria për të rishikuar politikën e saj me diasporën për të përmirësuar dhe konsoliduar bashkëpunimin me diasporën.

Një element tjetër që u mor në konsideratë për hartimin e projektligjit është edhe mbivendosja e kompetencave, çka nëse do të vijohej me Agjencinë e Diasporës, do të reduktohej efiçenca në përmbushjen e detyrave.

Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi gjithashtu edhe Ratifikimin e Marrëveshjes, mes Kosovës e Shqipërisë për ushtrimin e profesioneve të avokatit dhe ndërmjetësit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Po ashtu, u miratua edhe projektligji për marrëveshje Shqipëri-Mali i Zi për programin IPA të Bashkëpunimit Ndërkufitar Mali i Zi - Shqipëri 2021-2027.

Projekti do të ketë një vlerë 13.7 milionë euro me financim nga BE dhe kontribut të pjesshëm nga të dyja qeveritë. Marrëveshja synon promovimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?