Stoltenberg: Ukrainës i duhen armë, jo flamuj të bardhë! Shefi i NATO-s reagon pas komentit të Papa Franceskut për Kievin

11 Mars, 20:36| Përditesimi: 11 Mars, 21:07

  • Share

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, u shpreh kundër komenteve të Papa Françeskut i cili tha se Ukraina duhet të ketë guximin të valëvisë flamurit të bardhë, duke sugjeruar gjithashtu se Kievi duhet t’i hapë bisedimet me Moskën për një fund të luftës së shkaktuar nga pushtimi rus.

I pyetur në lidhje me këto komente, Stoltenberg i tha Reuters se mënyra për të arritur te një zgjidhje atje është të ofrojmë mbështetje ushtarake për Ukrainën.

“Nuk është koha për të folur për dorëzim nga ukrainasit. Kjo do të ishte një tragjedi për ta dhe e rrezikshme për të gjithë ne”, tha Stoltenberg.

Për deklaratat e tij, Papa Françesku u kritikua edhe nga Ukraina dhe aleatët e saj rajonalë. Vatikani u mundua më vonë t’i tërheqë disa prej fjalive, duke thënë se Francesku nuk po fliste për “kapitullimin”.

Ati i Shenjtë ka sugjeruar, gjatë një interviste të publikuar pjesërisht më 9 mars, se Ukraina, përballë një disfate të mundshme, duhet ta ketë guximin për t’u ulur dhe për të biseduar me Rusinë për paqe, duke thënë se nuk është turp ta valëvitësh flamurin e bardhë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, reagoi duke thënë se kisha duhet të jetë me popullin dhe jo të ndërmjetësojë virtualisht mes dikujt që dëshiron të jetojë dhe dikujt që dëshiron të shkatërrojë.

Zelensky ka ngulur këmbë se nuk do të flasë drejtpërdrejt me Rusinë, nëse kushtet e “formulës” së tij për paqe nuk plotësohen.

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?