Komedia “Të njihesh në internet”
në Pogradec e në Shkodë

12 Dhjetor 2013, 06:46| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Kiço Londo ka takuar një lloj spektatori që ka vërtetë uri për shfaqje. Ndërkohë që në institucionet zyrtare të Tiranës janë varfëruar premierat, ai udhëton nëpër Shqipëri me Teatrin Shëtitës. Dje ka bërë publike për mediat udhëtimin me komedinë “Të njihesh në internet”, të cilën e ka ngjitur në skenat e Fierit, Vlorës, Patosit, Korçës, Elbasanit, etj. Kjo komedi mw 13 dhjetor do ta shfaqet në Pogradec dhe më 15 dhjetor në Teatrin “Migjeni” në Shkodër.

Komedia “U njohëm në internet” e Cooney-t, e përkthyer nga Marelba Fushekati, luhet nga aktorët Blendi Naska, Roland Saro, Ermira Hysaj, Alesia Xhemalaj, Visjan Ukcama, Xhevahir Zeneli dhe Esela Pysqyli. Subjekti i komedisë është interesant. Një burrë është i martuar me dy gra dhe me të dyja ka nga një fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Fëmijët njihen përmes internetit dhe çuditen që të dy kanë të njëjtin emër babai, të njëjtin mbiemër, të njëjtën moshë. Vendosin të takohen, madje tentojnë të hyjnë në kontakt fizik me njëri-tjetrin. Kjo është e tmerrshme për sekretin e personazhit kryesor...

Ju keni një karrierë të gjatë si regjisor, pse nuk zgjodhët një pozicion më komod, por shfaqni premiera nëpër Shqipëri?
-Teatri Shëtitës është krijuar me një mision dhe e ka përmbushur me të gjithë potencialin e tij. Ne tani kemi katër premiera në repertor dhe jemi duke prekur qytete të braktisura, por edhe qytete qw edhe punohet me ato teatro që kanë si në Korçë, në Vlorë, në Durrës. Natyrisht kjo është pak, po të mendosh urinë që ka spektatori. Kështu, vitin tjetër do të ketë më shumë shfaqje nga teatrot e rretheve dhe në qendër, që publiku të reagojë dhe të qesh më shpesh në këtë kohë krize.
 
Ju u shprehët se ka një “uri” të spektatorit...!
-Po. Ne jemi ndjekur nga publiku në Rrëshen. Jemi ndjekur në Tepelenë, në Kavajë dhe në qytete ku më shumë se 20-25 vjet nuk ka shfaqje teatrore. Jemi ndjekur në veri dhe në jug të vendit. Kështu, brenda pranverës së vitit të ardhshëm ne do kemi 6 premiera në dispozicion për publikun. Pra, do të kemi një teatër repertori edhe pse nuk kemi asnjë trupë stabël dhe pa pasur asnjë financim publik. Pra duhet të falënderojmë të gjithë ata biznesmenë dhe donatorë që bëjnë të mundur ekzistencën e Teatrit Shëtitës, ashtu si munden. Kemi një trup, e cila nga përbërja është pothuajse sa trupa e Teatrit Kombëtar, dhe që nuk punojnë me rrogë si atje.
 
Si regjisor me përvojë ju po bëni një “vjelje’ të mirë talentesh, ku i gjeni?
-Mendoj që në vitet e fundit teatri shqiptar po zbrazet nga elita e vet. Aktorët e mëdhenj tashmë janë me pikatore, dhe unë nuk kam pse të mos jem entuziastë kur ndërsa largohen të parët për shkak të fatit dhe natyrës, vjen një elitë shumë e mirë e aktorëve të rinj, siç i ka Teatri Shëtitës. Por këta nuk janë vetëm, ka aktorë të rinj me profil të spikatur edhe te Teatri i Metropolit. Por, shtimi i talenteve duhet të përkojë me riformatimin e teatrit shqiptar dhe së dyti duke i rishpwrndarë me fantazi të ardhurat nga paratë publike. Ne do të mbetemi një formë teatrore jashtë linjës zyrtare, por e ftojmë edhe linjën zyrtare të teatrit që të reformohet sa më shpejt. Për shembull, Teatri Kombëtar duhet kuptuar si institucion me shumë vlera, por duhet kuptuar se nuk zhvillohet nëse aty ka edhe njerëz shumë të zotë, edhe njerëz që paguhen pa punuar për paaftësinë e tyre. TK ka vuajtur nga pesha banale e këshillave artistikë, e raporteve të mbrapshta me taksapaguesit.  
 
Keni ngritur disa shqetësime për teatrin në takimin e nëntorit me Ministren Kumbaro, si i sheh perspektivat e Teatrove Kombëtare me ndërrimin e drejtorëve?

-Ai ishte në takim rutinë. Nga takime të tilla  unë nuk pres shumë rezultate, por dëshiroj që vendimet të merren me përgjegjësi profesionale. Ministria e Kulturës t’i largohet idesë se duke rregulluar Teatrin Kombëtar do të rregullohet teatri shqiptar. Duhet filluar nga iniciativat individuale dhe nga celebrimi i iniciativave individuale, sepse fondet publike në Shqipëri për teatrin janë menaxhuar keq. Teatri zyrtar në Shqipëri po lëngon, dhe nëse nuk merren masa do të jetë në prag të kolapsit të plotë. Është e pamundur që të zgjidhte problemi i kulturës dhe krijimtarisë në Shqipëri, duke mos shkuar në qelizë. Thashethemnaja që ka nisur me Teatrin Kombëtar, me Teatrin e Operës, Qendrën Kombëtare të Fëmijëve se me ndërrimin e drejtuesve të këtyre institucioneve do të rregullohet problemi i kulturës dhe krijimtarisë në Shqipëri është, më lejoni ta them, një dështim...

Shkrimi u publikua sot (12.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?