Foto ilustruese

Kombëtarja, ylli që shkëlqen Evropën! Nga Luiza Gega, Gersi Troka e Enkileda Carja, për të vijuar me sportet e tjera individuale! Viti 2023 ishte i Shqipërisë

31 Dhjetor 2023, 11:53| Përditesimi: 31 Dhjetor 2023, 16:16

  • Share

Viti 2023 po 'luan' orët e fundit dhe të gjithë janë me mendjen te pushimet, festa apo edhe përgatitjet për mbrëmjen e ndërrimit të viteve dhe kapërcimin te 2024. Është koha që sporti në vend të bëjë një bilanc, me 2023 që ishte "bujare" për kuqezinjtë.

Kulmi ishte sigurimi i finaleve Euro 24 nga Kombëtarja e futbollit, kjo për herë të dytë në histori. Forma e mirë e kuqezinjve, puna e Sylvinhos në stol dhe djemve në fushë, i dhanë një dozë të madhe tifozëve për këtë arritje. Partizani, kampion i Shqipërisë në futboll mbylli një edicion me pikë të barabarta me Tiranën. Pjesëmarrja në Europë nuk ishte ajo e duhura për "Demat e Kuq".

Nëse kalojmë te sportet individuale, Luiza Gega dhe Zelimkhan Abakarov siguruan pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike të Parisit 2024. Sukses edhe për Gersi Trokën në not, Eklent Kaçin në bilardo, Ertan Kofshën dhe Enkileda Carjan në peshëngritje, Lara Colturin në ski dhe Nelson Hysën në boks.

Kombëtarja e futbollit

Sylvinho u prezantua në 7 janarin e këtij viti si trajneri i Shqipërisë dhe në pak muaj ia doli të ketë gjithë kuqezinjtë me vete. Kombëtarja e futbollit siguroi kualifikimin në Euro 2024, që do zhvillohet në Gjermani nga 14 qershori - 14 korrikun e 2024. Të parët në grupin E kualifikues, Shqipëria la pas Çekinë dhe Poloninë. Tanimë në shortin e Europianit tanët do kenë përballë Spanjën, Italinë dhe Kroacinë në grupin B.

Padyshim që Sylvinho ishte ai që solli energjinë e duhur në skuadër, teksa zbulimi i tij ishte edhe Jasir Asani. Shqiptari i Maqedonisë së Veriut priti moshën 28-vjeçare për ftesën e parë në Kombëtare, teksa dy herë refuzoi edhe maqedonasit. Me tre perlat e tij nga jashtë zone, Asani ishte i duhuri që i dha pikët tanëve për të kaluar më tej. Megjithëse një sport kolektiv, që meritën e ka gjithë grupi dhe stafi, Asani shndërriu më shumë se të tjerët për gjithë ecurinë në ekip.

11 nëntor 2023 - Sulmuesi dhe kapiteni i Egnatias Raphael Dwamena humbi jetën në moshën 28-vjeçare gjatë ndeshjes mes Egnatias dhe Partizanit, e vlefshme për javën e 13-të në Superligë. Vetëm 24 minuta lojë u luajtën në fushë, me Dwamenën që i pashqetësuar u rrëzua në tokë në këtë duel pasi më herët ishte diagnostifikuar me probleme në zemër dhe ishte operuar. Pa defibrilator në zemër, Dwamena shkaktoi dhimbje me largimin e parakohshëm nga jeta, duke shënjuar vitin në futbollin shqiptar.

Atletikë - Luiza Gega siguroi pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike të Parisit 2024. Kampionia e atletikës edhe këtë vit nuk mundi të lërë "vesin" dhe theu dy rekorde kombëtare. Me kohën 5 minuta, 56 sekonda dhe 79 të qindtat, Gega e ka mbyllur e katërta garën në turneun Botëror të Atletikës, mbajtur në Zagreb të Kroacisë, për kategorinë "Gold".

Me kohën 5:56,79 sportistja kuqezi përmirëson me disa sekonda rekordin kombëtar në këtë disiplinë, të vendosur nga vetë ajo në 2019 me kohën 6:00.07. Koha 5:56.79 e regjistruar nga Luiza Gega në Zagreb është koha e dytë me e mirë në historinë e disiplinës 2000 metra me pengesa në Europë dhe e katërta më e mirë në botë.

Luiza Gega përmirësoi një tjetër rekord të sajin, duke bërë që me kohën 9:09.64 të thyente edhe rekordin kombëtar në garën e 3000 metrave me pengesa, në turneun "Diamond League" që u zhvillua në Zurich të Zvicrës.

Mundje - Zelimkhan Abakarov ka marrë të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë në Lojërat Olimpike "Paris 2024". Mundësi me origjinë nga Çeçenia prej vitesh tanimë garon për Shqipërinë, teksa 30-vjeçari i ka dhënë vendit tonë disa medalje. Rusi mori medalje bronzi në Botërorin e zhvilluar këtë vit në Serbi, kjo për peshën deri në 57 kilogramë, me KOKSH që konfirmoi se Abakarov do jetë në "Paris 2024" me ngjyrat e Shqipërisë.

Lara Colturi - Skiatorja 17 vjeçare, e cila përfaqëson dhe garon për Shqipërinë, ka arritur një rezultat historik në botërorin e skive, duke u renditur në vendin e 12. Colturi për herë të parë i ka dhënë pikë Shqipërisë në Sllalomin Gjigant dhe vijon të jetë në garë në Kupën e Botës, teksa pak ditë më parë siguroi vendin e 22-të. Duket se Shqipëria edhe në ski ka bërë mirë.

Peshëngritje - Peshëngritësi 18-vjeçar, Ertjan Kofsha është shpallur kampion bote për moshat U-20 në peshëngritje në stilin e shkëputjes gjatë 2023. Kofsha kaloi me sukses tri provat me 152, 156 dhe 159 kg, duke u shpallur kampion bote me rezultatin 159 kg, për ta ngjitur flamurin kuqezi në shkallën më të lartë të podiumit. Ai rrëmbeu medaljen në stilin e shkëputjes me 159 kg dhe u rendit i katërti në botë në total në dygarësh me 345 kg.

Tjetër sukses në peshëngritje edhe për Enkileda Carjan. 15-vjeçarja arriti një rezultat historik në kampionatin Europian U-15 të shtangës që u mbajt në Kishinau të Moldavisë, duke fituar tre medalje ari gjatë 2023. Sportistja e Elbasanit ka arritur të marrë një tjetër çmim dhe një arritje të madhe në këtë kampionat dhe ajo konsiderohet si një nga talentet më të mëdhaja të shtangës në vendin tonë, me rezultatet e saj që kanë ardhur gjithnjë e në rritje.

Shah - Sportistja e Teutës, Kler Çaku fitoi titullin kampion në shah për moshat deri në 14 vjeç gjatë vitit 2023. Sportistja shqiptare është kampione Europe në shah, kjo pas suksesit në Kampionatin Europian të zhvilluar në Slloveni. Vetëm 13-vjeçare, Çaku ia ka dalë që të sigurojë shtatë fitore dhe dy barazime në këtë turne, teksa në fund është shpallur kampione në kategorinë e saj.

Briken Calja dhe Erkand Qerimaj - Në Kupën e Katarit, Briken Calja mori medalje bronzi, teksa Erkand Qerimaj pikë për në Lojërat Olimpike të Parisit 2024. Sportisti Briken Calja ia doli që të ngrejë 155 kilogramë në shkëputje, duke marrë medalje bronzi (vendi i tretë) për kategorinë deri në 81 kilogramë. Ndërkohë sportisti i Tiranës, Calja, nuk mundi të ngrejë asnjë nga peshat në shtytje.

Nga ana tjetër, Erkand Qerimaj ngriti 336 kilogramë dhe zuri vendin e katërt në dygarësh, duke marrë edhe pikë për në Lojërat Olimpike. Shkodrani ngriti me sukses nga një provë në secilin stil garimi.

Gersi Troka - Gjatë 2023 Shqipëria ka kampionin e saj edhe në Lojërat Olimpike Speciale, që u mbajtën në Berlin gjatë verës. Notari Gersi Troka ia ka dalë të bëjë një performancë të shkëlqyer në garën 200 metra stil i lirë në not, duke marrë medalje ari. Troka ia doli të bëjë një performancë të shkëlqyer në çerekfinale e gjysmëfinale, duke lënë ndjeshëm pas rivalët e tij, teksa edhe në finale ia doli të vendosë kohën më të mirë (3:04.70), duke marrë medaljen e parë të Artë për Skuadrën Speciale shqiptare.

Nelson Hysa - Boksieri shqiptar ia doli të renditet në vendin e 22-të në botë gjatë 2023 dhe ka pak kohë që la Boksin Olimpik për t'u fokusuar te disiplina e re e peshave të rënda. Në ndeshjen e fundit, Nelson Hysës iu deshën vetëm 57 sekonda për të hedhur në tapet me "K.O" rivalin venezuelian, Luis Jose Marin Garcia. Boksieri shkodran me suksesin në Gjermani siguroi edhe titullin WBF Interkontinental për peshat e rënda. 14 fitore, mes të cilave 12 me "K.O", këto janë shifrat e shkodranit që ka kaluar edhe Florian Markun me fitore. Kampioni tjetër shqiptar që garon në peshat më të ulëta ka 13 fitore dhe një barazim.

Bilardo - Eklent Kaçi është shpallur kampion bote në sportin e bilardos në disiplinën e "dhjetëshit". Kurbinasi ishte më i mirë se spanjolli Francisco Sanchez Ruiz në Las Vegas, duke fituar me rezultatin 10-7. Ky ishte suksesi i tretë në tre vitet e fundit për Kaçin, që ka ngritur lart flamurin kuqezi.

S.DH/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Eklent Kaci: 31/12/2023 18:18

    Eklent Kaci eshte I paarritshem me i madhi qe ka nxjer Shqiperia ! Shume sportist I madh Eklenti

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?