Kolonjë/ Familja Çaushi rrezikon jetën në banesën e prishur nga tërmeti: Jetojmë me makth! Zv.prefekti: Shtëpi të re pas zgjedhjeve vendore

24 Mars 2023, 16:45| Përditesimi: 24 Mars 2023, 16:56

  • Share

Në këtë ngrehinë që rrezikon të shembet jetojnë 4 anëtarët e familjes Çaushi në fshatin Qafëzezë të Kolonjës. Kushtet janë të mjerueshme e sikur të mos mjaftonte, Festimi me të shoqen duhet të kujdesen për vajzën me probleme të shëndetit mendor. Muret e çara dhe tavanin i kanë zënë me rroba për të mos hyrë shiu, ndërsa çdo natë i druhen lëkundjeve që mund të rezultojnë fatale për ta.

“Në 2019 fillimisht morëm një çadër. Kanë ndejtur atëherë gruaja me vajzat në çadër, ndërsa unë qëndroja këtu (në shtëpi). Kryetari i bashkisë, Erion Isai, i ka premtuar vajzës që e kam të sëmurë me prapamendje mendore të moderuar, se do ta rregulloj shtëpinë, që nga ajo ditë e deri më sot s’kam marrë asnjë ndihmë nga bashkia”, tha kryefamiljari Festim Çaushi.

Tërmeti i vitit 2019 shkaktoi dëme të mëdha që u thelluan nga ai i prillit 2022.

“Erdhën ekspertët e Institutit të Ndërtimit të cilët thanë se banesa është e pabanueshme. Unë jam i rrezikuar, ndaj kam thirrur median, se po të jetë për institucionet nuk ka ardhur fare, s’më kanë dhënë përgjigje as kurajo”, vijoi ai.

Fillimisht banesa u vlerësua me dëme të pjesshme dhe bashkia vendosi për rikonstruksion, por disa muaj më pas Instituti i Ndërtimit e shpalli banesën e pabanueshme. I kontaktuar me telefon, N/Prefekti i Kolonjës, Sergei Peshtani pranon se Procesi i Rindërtimit është i vonuar, por justifikohet me faktin se Bashkia ka ofruar bonus qiraje për familjen Çaushi. Ai thekson se puna për ndërtimin e shtëpisë së re do të nisë pas zgjedhjeve lokale të 14 Majit, pasi tashmë investimet kanë “ngrirë” për shkak të fushatës elektorale.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 24/03/2023 22:04

    Me pare duhet te japesh voten, qe te te ndertojne shtepine! S.d.q,keto jane pasojat kur shtepite i ndertoni vete,vetem me njohurite minimale te ndertimit dhe nuk ndertohen nga eksperte,apo te zotet e punes.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?