Koliqi-Krujës,ja planet e organizmi
kundër komunizmit në mërgim

16 Korrik 2016, 08:17| Përditesimi:

  • Share
Letërkëmbimi i dhjetë viteve  (1948-1958) mes Mustafa Krujës dhe Ernest Koliqit përfshirë në vëllimin e dytë të “Kuvend letrash me miqtë”, zbulon veç shumë detajeve me interes rreth atmosferës politike të emigracionit shqiptar,  edhe vështirësitë e shumta në veprimet mes grupeve e partive, mosbesimin dhe ndasitë, paqartësia për të ardhmen dhe pesha e sakrificave morale dhe ekonomike që iu desh të përballonte një grusht i vogël idealistësh atdhetarë që jeta i detyroi të përjetonin emigrimin politik pas ardhjes në fuqi të komunistëve në Shqipëri. 

Sikurse edhe letrat që Mustafa Kruja shkëmben në vitet 1945 -1958  me shumë intelektualë të tjerë në mërgim edhe këto letra që ai këmben me Koliqin tregojnë shumë për dhimbjen  e tyre për të afërmit që kishin lënë pas në Shqipëri, të cilët po përballeshin me burgun dhe internimet. E mëgjithëatë ata ishin ende plot shpresa se do të gjenin zgjidhje për të ardhmen e vendit e do t’ia prisnin rrugën rrezikut që po sundonte Shqipërinë me ardhjen e komunistëve në krye të pushtetit.

Nga ky letërkëmbim kemi zgjedhur sot për lexuesit tanë tre letra të Koliqit drejtuar Mustafa Krujës, të viteve ’48-‘49, ku ai rrëfen për atmosferën dhe lajmet që qarkullojnë në Itali për organizimet politike të forcave opozitare në megrim, por edhe për fatin e rëndë të familjarëve që kanë mbetur në Shqipëri, si vëllai i poetit, Dom Mikel Koliqi, famullitar i Shkodrës, i cili ishte burgosur fill pas çlirimit të vendit.
Letërkëmbimi mes tyre, i përmbledhur në vëllimin e dytë “Kuvend letrash me miqtë”, shtrihet nga 30 prilli 1948 deri më 10 dhjetor 1958. Më poshtë sjellim të plota tre letrat e përzgjedhura që Koliqi ia dërgon Mustafa Krujës nga Rapallo, një provincë afër Xhenovas në Itali me 23 shtator 1948 (letra e parë), 21 mars 1949 (letra e dytë) dhe 26 dhjetor 1949 (letra e tretë).
Ad.Pe.
 
 
Letra e parë
Rapallo, 23.IX.1948
Via Aurelia Orientale,  45
 
I dashuni Mustafë,
Tekembrâmja kam rá në fashë në kët heshtje plot dritë të kalthërt të Rapallo-s dhe po mundem me u mbledhë nji herë mendt e me blue në qetësí përshtypjet e gjalla të verës, plot peritina, qi shkoi.
Me 14 gusht mbërrijta në Romë me nji bankjer sirian e u solla me të, aty e në Salsomaggiore e në Milan, deri me 3 shtatuer. Puna, për të cilën u dogja në diell të Misirit, dështoi kryekëput. Nxora vetëm shpenzimet e udhëtimit. Tue qënë se n’at punë kisha ngulë shpresa të mëdhaja për nji zgjidhje të përkohëshme të problemit t’amëshuem të familjes s’ime, lajmi i dështimit më ka tronditë dhe m’a ka lanë shpirtin mbushë me idhënim.
Prap njaty më 10 shtator u nisa për Romë e pardje kam këthye. Këtë herë pata rasë me bisedue mâ gjatë me Kapidanin, me Ismailin dhe me tjerë. Ndoshta, edhe për dobi të çâshtjes, s’âsht keq qi këtu me t’i tregue shkurtas disa përshtypje dhe idéna të mija.
Të lutme, gjithmonë merr parasŷsh ndryshimin e atmosferës s’Aleksandrís me atë të Romës. Jo pse unë u jap randësi thanethashavet të horave, por me të bâ me prekë me dorë ç’farë kandari përdoret aty dhe këtu. Po të kallzoj ç’opinione qarkullojnë në Romë. Në se atje dikush më paraqet si nji nxânës makiavelik jezuitësh qi në nji ânë flet për bashkëpunim dhe në  tjetrën këtë e saboton dhe e siluron, këtu (në Romë) thonë disa se i jam shitë Zogut dhe kam për qëllim të mshefët zhgatrrimin e Blokut.
Ti e din se atje unë mprova sinqerisht thezën e Blokut, pa tërthorzime; këtu fola çiltas për sa i përket nevojës së nji bashkëpunimi të përzëmërt me Legalitetin. Kemi fatin, këtu, qi âsht Kapidani, i urtë e i arsyeshëm. Nji fjalë e matun e tija vlen sa nji qind fjalime t’ona, qi e mbajmë veten të pajisun me kulturë akademike. Edhe Ismaili âsht i nderuem dhe peshon. Tjerët lëshohen, shumica, në hysterizëm e tash mbështetun në nji anë dhe të nesërmen pa kurrfarë vishtirsije në të kundërtën. Mjerisht Ekrem Libohova, njerí i ekuilibruem dhe ekuilibrues, âsht shtri në dyshek me nji smundje qi zor se ka për t’a falë. Por me forcue prirjet e njerzvet t’urtë i a arrini me kohë Xhafer Deva, i cili me energjinë e njoftun zhdavariti shum mosmarreveshje qi e kishin bazën në nji shitje t’ime hypotetike në treg të Zogut (Po t’u bânte shitja me peshë, nuk do t’ishte keq për mue....!? me tul qi më rrethon anëkand.). Shkurt  triumfoi tendenca e urtís e, mbas sodit, do t’i kushtohet i gjithë kujdesi afrimit, bashkëpunimit, besëlidhjes. Këto deshire laçë në Romë. Përgjegja e letrës së Legalitetit niset në këto ditë.
Pa nji koalicjon të forcave t’emigracjonit nuk e besoj se i a arrijmë (asnjâni grup) m’e vu n’udhë problemin shqiptar për zgjidhje. Deri tash ky ishte nji opinjon i emi, tashti âsht bâ aksiomë. E ja pse.
Gjatë qindrimit t’im në Romë prej 14 deri në 24 gusht, Ministria e Jashtme më kishte kërkue gjithkah. Më gjetën e shkova tash (me 14 shtatuer).
Nji funksjonar shum i naltë më tha:
“Si mbas fjalës qi ju dhamë në fund të majit, kjo Ministri âsht interesue pranë Departamentit të Shtetit për çâshtjen e juej. Departamenti i Shtetit na ka përgjegjë se pak gjâ din mbi problemin shqiptar, se ajo shka din âsht krejt negative: n’Amerikë i vetmi komb qi me mish e me shpirt mpron komunizmin janë Shqiptarët, këta në kët mënyrë kanë marrë nji rrymbë antiamerikane dmth. veprojnë kundra interesavet të vendit qi i hospiton; - asnji zâ kundërshtar s’ka dalë me thye kompaktecën e shumicës. Departamenti i Shtetit tregohet shkeptik dhe mbi seriozitetin e nji lëvizjeje refugjatësh antikomunista mbasi qi këta paraqiten krejt të dám. Me gjithë këtë do të pëlqehej nga Departamenti i Shtetit nji interesim i italjanvet, tue qenë se këta kanë eksperiencë në çâshtje shqiptare, i cili interesim të kishte për qëllim nji koalicjon të grupeve politike shqiptare n’emigracjon. Funkcjonari më siguroi se ai s’ishte i autorizuem të më thonte për t’i a tregue eksponentave shqiptarë të ndryshëm, natyrisht atyre qi s’e përhapin ndër kafehane por dijnë se ç’âsht diskrecjoni në të tilla punë delikate.
Po u realizue nji koalicjon ndërmjet shumicës së grupevet, pasaportat për Amerikë janë gati për delegatë dhe ndoshta shpenzimet e udhëtimit. Në rasë t’arrijtjes shtypi do të flitte – me shtytje të Departamentit të Shtetit. – mbi çâshtje shqiptare dhe nji antar i delegacjonit t’onë do t’u pranonte në Komitet formue nga eksponentat e vendeve danubiane-ballkanike robnue nga Sovjetët, komitet qi ka për kryetar  Mikolajcik  (burrë shteti polak). Si e  shef puna ka baza të shëndosha. Kam folë edhe për bursa e shefi i sekcjonit përkatës më ka premtue 10 (dhetë) për vjetin e ardhëshëm akademik. Për Koço Mukën dhe Ali Këlcyrën i kërkova visa-t dhe më premtuenë me i dërgue sa mâ parë.
Si e shef un këtu, n’at t’emen, jam përpjekë. Mos rrini pa punue ju atje. Koalicjoni i partive nuk duhet të trembi askënd, i vjen dobí çâshtjes së kundrueme në dritë të realizimit dhe qet jashtë e derrmon utopit qesharake të parvenu-vet  në politikë.
Të fala të gjithë shokvet e ma fort posaçërisht Ago Agajt e Nexho Qorraliut.
Të përqafoj.
Ernesti
Ka edhe gjana tjera por nuk mund të shkruhen me letër: duhet me punue për formimin e nji komiteti, pse munden me e bâ tjerët para nesh!
 
 
Letra e dytë
Rapallo, 21.III.1949
 
     I dashuni Mustafë,
     Për smundje t’ande s’diejshem askurrgjâ. E mora vesht në fillim të frorit në Romë nga Kapidani. Mâ mirë: pse mora vesht njajzi smundjen edhe shërimin. Këtu në shtëpí jemi gzue të gjithë e Shani pa prá më pyetë. Uroj qi tifoja t’i két marrë të gjitha të ligat!
     Falem nderit për fjalë të mira qi më shkrueni për vajzë. Vajzë e ndiellshim, si muë si ime shoqe, e vajzë e fali Zoti. Në Shqipní mue më ka mbetë vllau qi vjen fill mbas meje. D. Mikel Koliqi, famullitar i Shkodrës. Tash katër vjet në burg. Deri sod ka shpëtue për mrekullí, veç shokvet. Mbas sodit, në dorë të Madhit Zot!
     U gëzova qi Zogu kënka sjellë hijshëm me Tý. Këto sende bâjnë përshtypje e përhapin ndienja besimi e vllaznije.
     Ali Klissura vazhdon tue e akuzue Blokun se bân manovra e nuk don koalicjonin e forcave të refugjatvet. Kam folë edhe me Kapidanin e Ismailin: siguroj se na besëlidhjen e duem me mish e me shpírt; jo vetëm, por na âsht mbushë mendja se pa tê, as na as tjerët nuk munden me vú kurrgjâ n’udhë për zgjidhjen e të vetmit problem qi sod për sod ka randësi: shlirimi i Shqipnís nga zgjedha sovjetike. Na e çmojmë Alín edhe sinqeritetin e tij. Por edhe ai duhet të na lëshojë do kredí morale. Jemi të mendimit qi qêndra e besëlidhjes të vendoset n’Italí, pse këtu – sa të krijohet – kemi për të pasun përkrahje m’u futun me paritet tagrash në vallën e tjerave organizata të popujvet balkano-danubjanë. E ndoshta me çue përfaqësues në Washington. Me letrën, s’mund të shkruej mâ gjatë. Për sa marrim vesht na, këtu gjinden njerzit qi interesohen për çâshtje t’onë e nuk flas për breshkagjí, ndonse edhe këta mund të na ndihmojnë shum pse sod punojnë për llogarí të të mëdhejvet.
Aliut i kam shkrue e besoj se e kam bindun qi na duem bashkëpunim me të gjithë antikomunistat e vërtetë.
Me Petrottën kam folë gjatë si për Tý si për Bashkimin. Ai sot âsht pjestar i qeverís regjonale e shi ministër i Shëndetësís e i Igjenës. Mundet me i gjetë punë Bashkimit, po u përdorë me zéll. Edhe Ismaili, në sý t’em, i âsht lutun mjaft. Besoj se do t’interesohet. Adresa e tij âsht: Corso Calatafimi 89 – Palermo – Adresa e Karl Gurakuqit, qi të kujton me simpatí e nderim, âsht: Via Francesco Perez, 193 Palermo – Karli âsht emnue sekretar i Centro Internazionale Studi Albanesí.
     Shani e tjerët të shtëpís të falen me shëndet.
                                                                Unë të përqafoj me mall
                           Ernesti
 
 
Letra e tretë
Rapallo, 26.XII.1949
Via Aurelia Orientale, 45
 
     I dashuni Mustafë,
     Sigurisht heshtja e gjatë e ime Të ka çuditë edhe, ndoshta, pak idhnue. Ké arsye të plotë. Me mënd sa herë Të kam shkrue. S’e kapa pênden në dorë për shum arsyena. Mâ e para ajo qi friga se lexohen letrat do të më shtrëngonte mos m’u shprehë lirisht. Ngjarjet e ndryshme qi patën e gjithënji kanë si shkenë Romën lypin zhvillime e komente të gjâna. Tue bisedue me shokë e pám me udhë qi mos me lëshue ndër letra informata delikate. Ndou e mori përsipër me të shkrue herë mbas here lajmet e  domosdoshme.
     Shqipnija në këto kohnat e fundit âsht bâ objekt interesimi prej shum anash. Por ka konfuzjon të madh. Na druem se po biejmë prej fterës në zjárrm. Këtu bota e vogël shqiptare gjithëhera nji lloj: sa kréna aqë mendime. Do t’ishte koha sot m’e shikue çâshtjen jo nga pikpamjet sentimentale, por teknike. Kjo lypë harmonizim energjish e forcash dhe drejtim të njâjtë. Jemi larg. Komiteti i ashtuquajtun i Lirimit të Shqipnís nuk po difton asnji aktivitet. Ka dasína të thella në mes. Shum prej pjestarvet të tij kujtojshin se mjaftonte me qênë aty mbrêndë për me zhdrivillue nji nga nji problemet. Gabimi i shqiptarvet qi besojnë se vêndi bân njerín e jo anasjelltas. Kanë rá gjallë e ngusht, pse s’janë të zott me veprue. Kjo, veç, na damton të gjithvet. E mira do t’ishte me ia arrijtun nji riformimit në themel të Komitetit dhe me përfshí në tê, si të përtrihet, të gjitha forcat reale antikomuniste shqiptare. Atëherë nuk shkojnë kot, tue u shperdá, përpjekjet t’ona dhe përkrahja e të huejvet.
     Unë jam mirë. Gjithashtu em-át edhe pjestarët e tjerë të familjes. Rrij mâ shum në Romë se këtu. Këtu vîj për pushime. Kam fillue kursin n’Universitet e jam futë tashmâ kâmbë e krye në jetën shkollore. Kjo s’do me thânë se nuk merrem me punët  t’ona dhe Kapidanin e Ismailin edhe me shokët tjerë përpiqemi t’a kryejmë detyrën qi na rândon të gjithvet né t’ikunvet mbi shpírt. Jemi tue punue, besoj me mênd e me urtí. Mâ tepër s’mund të them në letër.
     Ti si po e çon? Fortuzi qi vjen prej andej na ep lajme të Tuja. Kapidani më thotë kur i shkruen. Motra apo msohet atje? Banoni në Kajro a n’Aleksandri?
     Si Tý ashtu edhe Motrës shum urime për Vjetin e Ri, edhe nga ana e të gjithë familjes s’ime.
                                                                Tý të përqafon me mall
                            Ernesti.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?