Koleksioni/ Fotot e Sotirit rrëfejnë
 Shqipërinë e 1900-s në Bruksel

29 Prill 2015, 09:00| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Tridhjetë e pesë fotografi të zgjedhuara nga koleksioni i mjeshtrit të fotografisë shqiptare, Kristaq Sotiri (1883-1970), do të ekspozohen në Bruksel. Ekspozita e titulluar “Shqipëria nga një epokë në tjetrën” ka për kuratorë hulumtuesit e fotografisë Loïc Chauvin dhe Christian Raby-n, profesor i Historisë së Fotografisë në Universitetin “Chikago” të Parisit. Kjo ekspozitë do të hapet më datën 2 maj, ndërsa do të qëndrojë e hapur për një javë në ambjentet e shoqatës kulturore “Faik Konitza” të Brukselit. Përveç fotografive, kuratorët Chauvin dhe Raby do të prezantojnë edhe librin me fotografi të Kristaq Sotirit. Libri ka të njëjtin titull me ekspozitën.

Loïc Chauvin, duke qenë hulumtues i fotografisë shqiptare, është njëkohësisht edhe autori që nxori botimin e parë kushtuar dinastisë “Marubi” me titull “Shqipëria fytyra e Ballkanit”, në vitin 1995. Ndërsa Christian Raby është bashkëpunëtor me të gjatë hulumtimit të fotografisë shqiptare.

Po cilat janë imazhet që kanë përzgjedhur kuratorët Chauvin dhe Raby. Kryesisht ata kanë përzgjedhur për ekspozitën imazhe të njerëzve të veshur me veshje tradicionale shqiptare të viteve ‘20-‘30, qytetarë të atyre viteve në Korçë të veshur me modën e asaj kohe dhe foto historike. Fotografi shqiptar, Kristaq Sotiri, ka dokumentuar ndryshimin rrënjësor të shoqërisë shqiptare nga epoka e Perandorisë Osmane deri në krijimin e shtetit shqiptar. Në vitin 1912, gjatë kohës kur jetonte në Amerikë, ai ka realizuar autoportrete.

Në ekspozitën e Brukselit janë portreti i nënës së tij, si dhe portreti i këngëtares Tefta Tashko dhe i disa grave të tjera të njohura si Sabiha Kasimati në Liceun e Korçës, që më vonë u pushkatua nga diktatura. Po ashtu ka dhe një foto të diktatorit Enver Hoxha në Liceun e Korcës. Pjesë e kësaj ekspozite janë edhe  një grua myslimane me shami në kokë, portreti i një prostitute, foto të personaliteteve të larta, si dhe fotografitë lypsarëve në rrugë, etj. Prandaj përmes fotografive të tij, publiku në Bruksel për herë të parë do të ketë rastin të njohë më shumë historinë e shqiptarëve, dhe fazën e shndërrimit të shtetit shqiptar pas viteve ‘40.

Genti Metaj, drejtor i shoqatës kulturore “Faik Konitza” pohon se eskpozita vjen falë kontributit të Loïc Chauvin, i cili ka vite që merret me hulumtimin e fotografisë shqiptare. Shumë kohë më parë ai ka hulumtuar edhe për fotot e Marubit. “Loïc Chauvin, së bashku me Christian Raby-n, kanë shkuar shpesh në Shqipëri për të parë arkivat e shtetit dhe ato private, të familjeve që i kanë të trashëguar këto arkiva”, pohon Meta.
 
Kush është Kristaq Sotiri
 
Kristaq Sotiri u lind më 1883 dhe vdiq në vitin 1970 në Korçë. Në vitin 1923 do të shkonte në ShBA, ku punoi si fotograf në New York dhe Los Angeles. Të njëjtin vit 1923 ai u kthye në vendlindjen e tij, në Korçë. Me piktorin Vangjush Mio hapi studion “Sotiri”. Sotiri ka fotografuar një pjesë të rëndësishme të historisë së shqiptarëve. Krijimtaria e Kristaq Sotirit përmblidhet brenda një periudhe 40-vjeçare. Ai ka lënë pas vetes një fond me rreth 15 mijë fotografish. Fotografia më e vonshme e tij daton në vitin 1952. Kristaq Sotiri renditet ndër fotografët e mëdhenj shqiptarë para Luftës së Dytë Botërore.
Foto Sotiri



















Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 29 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?