Dhoma e Keshillimit në KPA

Kolegji i Apelimit shuan shpresat e ish-gjyqtares së Pogradecit për t'u rikthyer në sistemin e drejtësisë

16 Janar, 11:34| Përditesimi: 16 Janar, 11:37

  • Share

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi dje mospranimin e ankimit të ankueses Majlinda Salillari (Mançellari) duke shuar përfundimisht shpresat e ish- gjyqtares së Pogradecit për t'u rikthyer në sistemin e drejtësisë pas 23 vjetësh.

Ish gjyqtarja e Pogradecit ankimoi vendimin nr. 117, datë 17.09.2001, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, - zëvendësuar më pas nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.  

Gjyqtarja ishte shkarkuar në vitin 2001 nga KLD-ja e atëhershme, pasi ishte vënë nën hetim gjatë kohës së ish prokurorit të përgjithshëm Arben Rakipi për një vendimmarrje të dyshimtë në dosjen e njohur si ‘Martinelli”, trafikant italian makinash në rajon.

Gjyqtarja e çoi çështjen në Gjykatën e Lartë, ku kërkoi prishjen e vendimit  të një institucioni që nuk ekzistonte më, siç ishte KLD-ja. Gjykata e Lartë shpalli moskompetencën dhe ia kaloi çështjen për shqyrtim Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, që pas reformës në drejtësi, ka tagrin të shqyrtojë ankimet mbi vendimmarrjet e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë, sipas Juridiksionit Disiplinor të tij, krahas atij të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Njoftimi i Kolegjit të Apelimit:

Kolegji i Posaçëm i Apelimit , i përbërë nga Sokol Çomo kryetar, Albana Shtylla, Ina Rama, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JD) nr. 2/2023, datë 30.03.2023, që i përket ankueses Majlinda Salillari (Mançellari) kundër vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nr. 117, datë 17.09.2001, me subjekt të interesuar, Këshillin e Lartë Gjyqësor. 

Në përfundim të gjykimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronja “f” dhe 134, pika 1, shkronja “i” e Kushtetutës, si dhe neneve 71 dhe 72 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, në mënyrë unanime, vendosi: 

Mospranimin e ankimit të ankueses Majlinda Salillari (Mançellari), kundër vendimit nr. 117, datë 17.09.2001, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. 

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare. 

Marrë më 15.12.2023 

Shpallur më 15.01.2024 

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?