Procesi i skanimit të drejtësisë shqiptare, për të evidentuar dhe nxjerrë jashtë sistemit elementët e korruptuar, ka hyrë në një tjetër fazë të ‘nxehtë’. Tridhjetë e dy gjyqtarë dhe prokurorë ‘luftojnë’ aktualisht në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, në rrjetën e dytë dhe të fundit të Vetingut, për t’u bërë pjesë e drejtësisë së re. 13 subjekte janë konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit, organi bazë i Vetingut, por Komisioneri Publik dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kanë kërkuar shkarkimin e tyre nga detyra.
Me propozim të ONM, Komisioneri Publik i ka kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit shkarkimin nga detyra të kryetarit të Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori, gjyqtarit Artur Malaj, gjyqtarit Gentian Medja dhe prokurorit Gentian Osmani. ONM ka kërkuar edhe shkarkimin e prokurorëve Bensik Cani dhe Adnan Kosova, por Komisioneri Publik nuk ka vendosur ende nëse do të apelojë vendimet për konfirmimin e tyre në detyrë, në Kolegjin e Apelimit. Më parë, ONM kërkoi edhe shkarkimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedes.
Rekomandimi u pranua nga Komisioneri Publik. Më pas, Kolegji i Apelimit vendosi të shkarkonte përfundimisht nga detyra Bashkim Deden. Ndërkaq, Komisioneri Publik i ka kërkuar Kolegjit të Apelimit, shkarkimin e 9 prokurorëve dhe gjyqtarëve të tjerë, të cilët kaluan rrjetën e parë të Vetingut. Ata janë prokurorët Besnik Muçi, Antoneta Sevdari dhe Arben Dollapaj si dhe gjyqtarët Artur Malaj, Nertina Kosova, Astrit Faqolli, Alma Brati, Edmond Islamaj dhe Alma Kolgjoka. Grupi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të lartpërmendur vazhdojnë betejën në Kolegjin e Apelimit për të qëndruar në sistemin e drejtësisë.
Të shkarkuarit
Nëntëmbëdhjetë gjyqtarë dhe prokurorë, të shkarkuar nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kërkojnë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit rikthimin në detyrë. Pjesë e grupit të dytë janë edhe anëtarët e Gjykatës së Lartë Shkëlzen Selimi Arben Broci, Artan Zeneli dhe Admir Thanza. Po ashtu, kërkon rikthimin në detyrë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese Gani Dizdari. Vendimin e shkarkimit e kanë ankimuar edhe prokurorët Ramadan Troci, Rovena Gashi dhe Dritan Rreshka. Po ashtu, vendimet e shkarkimit i kanë ankimuar edhe gjyqtarët Ervin Metalla, Alma Liçaj, Entela Prifti etj. Kolegji i Apelimit ka caktuar trupat gjykuese si dhe ka nisur procesin e shqyrtimit të animimeve për secilin gjyqtar dhe prokuror. Vendimet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit do të jenë vendimtare dhe përfundimtare për fatin e të dy grupeve në raport me drejtësisë.
Vendimet përfundimtare
Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, deri më tani, ka vendosur të shkarkojë përfundimisht nga detyra gjyqtarin Besim Trezhnjeva, anëtarin e Kushtetueses Fatos Lulo, anëtarin e Gjykatës së Lartë Tom Ndrecën, gjyqtarin Artan Lazajn, anëtarin e Kushtetueses Fatmir Hoxha si dhe anëtaren e Kushtetueses Altina Xhoxhaj. Gjithashtu, Kolegji i Apelimit ka lënë në fuqi vendimet e KPK, duke shkarkuar përfundimisht nda detyra prokurorët e Apelit Gentian Trenova, Luan Kaloçi dhe Besa Nikëhasani.
Gjyqtarët dhe prokurorët që presin vendimin nga Kolegji i Apelimit
Subjektet që duhet të përjashtohen sipas ONM
- Artur Malaj, gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Apelit të Tiranës, i konfirmuar nga KPK
- Gentian Medja, gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, i konfirmuar nga KPK
- Gentian Osmani, prokuror pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i konfirmuar nga KPK
- Xhezair Zaganjori, kryetar i Gjykatës së Lartë, i konfirmuar nga KPK
- Adnan Kosova prokurori pranë Prokurorisë së Përgjithshme (ende i pa ankimuar nga Komisioneri Publik), i konfirmuar nga KPK
- Besnik Cani prokuror pranë Prokurorisë së Elbasanit (ende i pa ankimuar nga Komisioneri Publik), i konfirmuar nga KPK
Subjektet që Komisioneri Publik kërkon të shkarkohen
- Besnik Muçi, Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, konfirmuar nga KPK
- Artur Malaj, gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë, konfirmuar nga KPK
- Nertina Kosova, gjyqtare në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, konfirmuar nga KPK
- Antoneta Sevdari, prokurore në Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, E konfirmuar nga KPK
- Astrit Faqolli, gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, konfirmuar nga KPK
- Alma Brati, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, konfirmuar nga KPK
- Edmond Islamaj, anëtar i Gjykatës së Lartë, konfirmuar nga KPK
- Arben Dollapaj, Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër, konfirmuar nga KPK
- Alma Kolgjoka, gjyqtare dhe Kryetare e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, konfirmuar nga KPK
Subjektet që janë shkarkuar dhe që kërkojnë të rikthen në detyrë
- Rovena Gashi, prokurore pranë Prokurorisë së Përgjithshme
- Shkëlzen Selimi, gjyqtar në Gjykatën Lartë
- Arben Broci, anëtar i Gjykatës së Lartë
- Ramadan Troci, prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme
- Adriatik Cama, prokuror pranë Prokurorisë së Tiranës
- Artan Zeneli, gjyqtar në Gjykatën e Lartë.
- Admir Thanza, gjyqtar pranë Gjykatës së Lartë
- Gani Dizdari, gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese
- Bledar Abdullai, gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë
- Elison Sadiku, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë
- Arben Nela, prokuror, zv.drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë
- Bujar Hoti, prokuror pranë Prokurorisë së Apelit Durrës
- Ervin Metalla, gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë
- Dritan Rreshka, drejtues i Prokurorisë Tiranë
- Ahmet Jangulli, gjyqtar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Shkodër
- Sotiraq Lubonja, gjyqtar pranё Gjykatës së Apelit Korçë
- Alma Liçaj, gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Vlorë
- Entela Prifti, gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Korçë
- Shpëtim Kurti, prokuror pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë