Kolec Topalli zbulon
thesaret e Hotit

5 Dhjetor 2013, 06:43| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Hoti, krahinë e fis i lashtë shqiptarësh, edhe pse ka një shekull që është ndarë padrejtësisht në dy shtete ruan në gjirin e vet thesare të mëdha. Akademik Kolec Topalli e quan të folmen e Hotit, “një thesar, jo vetëm për krahinën, por edhe për vetë shqipen, e cila pasurohet vazhdimisht prej gurrave të natyrshme që e ushqejnë, njëra prej të cilave është edhe ajo e Hotit”. Duke e ditur se banorët e trevës së Hotit kanë qenë trevat shqiptare më të izoluara nga kohët e pushtimeve, e si rrjedhojë mbetën më të lidhura me tradita më hershme shqiptare ato janë bërë burim faktesh për gjuhëtarët dhe alabanologët.

Pasioni prej studiuesi e ka çuar shpesh akademikun Topalli në këto treva për mbledhur fjalë të çmuara bashkë me akademikun Gjovalin Shkurtaj i cili është edhe autor i librit “E folmja e Hotit. Dialektologjia shqiptare II. Tiranë, 1974”. Akademik Topalli ka nisur punën për hartimin e “Fjalorit etimologjik të gjuhës shqipe”, që do të botohet në disa vëllime duke filluar nga viti i ardhshëm.  Sipas akademik Topallit kjo trashëgimi e gjallë ka bërë që të mbijetojnë fjalë tepër të rrala të etimologjisë shqipe, edhe pse krahina e Hotit u nda në fillimet e shekullit të kaluar me kufij padrejtësisht në dy shtete. Disa nga risitë e fjalorit etimologjik Akademik.Kolec Topalli i ka zbuluar në simpoziumin “Hoti në rrjedhat e shekujve” që u organizua nën kujdesin e Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, Qendrën shpirtërore të “Shën Palit” Rochester Hills dhe hotjanëve në shtetin e Michiganit.

Simpoziumi u zhvillua nga javën që shkoi në datat 25-27 nëntor dhe kumtesa e Akademik Topallit ka qenë shumë mbresëlnëse. Ai u shpreh sesi banorët e Hotit e kanë ruajtur identitetin “duke trashëguar në brezat më të rinj gjithçka të bukur që lanë të parët, gjyshat e stërgjyshat”. Kështu në kumtesën e tij ai ka bërë publike edhe një listë fjalëve të rralla të së folmes së Hotit që hedhin dritë në fjalorin etimologjik. Profesor Topalli karakterin konservativ të së folmes së Hotit e lidh me historinë e kësaj krahine, e cila e vendosur për t’i bërë ballë furive e rrebesheve armike të njëpasnjëshme, ka mundur të ruajë thuajse të paprekur visarin e trashëguar të gjuhës së të parëve.

“Gjatë punës sonë na është dashur të hulumtojmë e të nxjerrim në dritë shumë fjalë dialektore, fjalë plaka e të harrueme, siç thoshte Bogdani, pa të cilat shqipja nuk do të ishte ajo që është sot dhe nuk do të mund të frenonte sadopak valën e pandalshme të fjalëve të huaja, që po depërtojnë me shumicë në epokën tonë të globalizmit, tha Topalli, duke shtuar se: “studimi i të folmeve që kanë ruajtur shumëçka nga visari i trashëguar ka qenë një objektiv i punës sonë për të pasqyruar këtë pasuri leksikore në fjalorin e ardhshëm etimologjik të gjuhës shqipe.

Nga e folmja e Hotit, duke u mbështetur në mbledhjet në terren të akad. Gjovalin Shkurtajt, kemi nxjerrë shumë materiale të vlefshme për shpjegimet tona duke i dhënë dritë e shkëlqim edhe vetë kësaj krahine, që ka ruajtur thesare të mëdha gjuhësore”. Duke rrëfyer rolin e madh që luan një e folme e ruajtur si kjo e Hotit për shpjegimet etimologjike të fjalëve të shqipes, akademik Topalli ka paraqitur shembuj interesantë, të cilët sipas tij janë një “ndihmesë e vyer për të depërtuar drejt etimonit të fjalës”.
 
Ja disa nga zbulimet nga fusha e leksikologjisë
Dele, në të folmen e Hotit delme me prapashtesën -m, me të cilën formohet shumësi, si në rastin djalë ~ djelm. Trajta delme është një relikt gjuhësor, që ka mbetur aty-këtu në të folme të shqipes, në Kosovë dhe në Jug në Gjirokastër, në sintagmën qumësh i delmur. Sipas krahasimit që i kanë bërë ilirologët kësaj fjale, me trajtën delme është lidhur emri i një fisi ilir, Delmatae, si edhe krahina e Dalmacisë: DalmatiaDelmatia me kuptimin “fushë që ushqen delet”, e cila, sipas përshkrimit të kronistëve të botës antike, është quajtur kështu si vend delesh.

Ky relikt gjuhësor i së folmes së Hotit është treguar prodhimtar në krijim fjalësh të reja, si: delmer “bari dhensh”, që del me variantet delmuardylmyer, në arbërishten e Italisë dhe delmierdelmirdelmëtor në krahina të tjera. Me emrat delmere e dylmere quhet edhe “bishtatundësi, lat. Motacilla”, meqenëse ky zog i ngjitet tufës së bagëtisë, prandaj quhet edhe zog delesh apo zog dhensh. Fjala ka depërtuar edhe në toponimi, në pikën e quajtur Curri i Delmeres në Veri.

Puçik e ka e folmja e Hotit për “gropë të vogël nëpër rrasa e shkëmbenj të mëdhenj që mbushet me ujë shiu”, prej së cilës ka dalë kuptimi figurativ “gropëz e vogël që u formohet disa njerëzve në faqe kur qeshin”. Po ta gjurmojmë më tej, këtë fjalë e ka mbledhur Cordignanoja, për të cilën jep kuptimin “fossa rotonda che fa l’acqua anche nella pietra”. Dhe pranë saj është shënuar edhe një trajtë tjetër, puçigâ me shpjegimin “fossa, baratro, inferno, stagno”. Fjalët janë huazime prej italishtes; puçik nga pozza me prapashtesën -ikpuçigâ nga it.pozzanghera “pellg i vogël, gropë me ujë”, që ka marrë prapashtesën  nga -an brenda shqipes, duke u lidhur të dyja fjalët me it. pozzo prej lat. puteus “pus”.

Kripshë i së folmes së Hotit, me të cilën emërtohet “një shkurre me gjethe gjithnjë të gjelbra dhe me lule si vile, që përdoret kryesisht për dru zjarri, lat. Phillyrea media”, dëshmon formën më të vjetër të kësaj fjale, e cila ka edhe format më të reja krishëgrifshëkrefshëgrishë etj. Për etimologjinë e fjalës, emri i kësaj shkurreje ka dalë nga tufa a xhufka e saj, prandaj burimi i fjalës është emri krip “flokë”, që ka marrë prapashtesën -sh. Prandaj forma më e vjetër e fjalës është ajo që e ka ruajtur Hoti me formën kripshë, kurse krifshë është më e re dhe ka dalë me hapjen e bashkëtingëllores -p- para një mbylltoreje tjetër duke krijuar një grup bashkëtingëllor të njohur në gjuhën shqipe.

jes ~ jet e ka e folmja e Hotit për “mbes, mbet”. Nga këto dy folje, jet është më e vjetër, sikurse e dëshmojnë të folmet arbëreshe të Greqisë e të Italisë me formën vjetem për “mbetem”, si edhe Buzuku, ku fjala shfaqet për herë të parë: pā zhdo të tjerë tek jesënë endë trekt pā punë. Për burimin e fjalës, jet është forma e vetës II shumës të foljes es- “me qenë” në një paradigmë të hershme: jemë ~ *jetë ~ janë, ku forma e vetës II shumës është zëvendësuar nga forma më e re jeni me mbaresën e foljeve me -nṎōjeni si bani / bëni.

Kësisoj, folja jetkrahasohet në plan indoeuropian me format e vetës II shumës me mbaresën -t: gr. εστὲ, sll. vj. jeste, got. sijuþ. Kjo mbaresë, që në gjuhën shqipe del në të pakryerën ishit, në të kryerën e thjeshtë qetë e në mënyrën dëshirore qofshit, ka qenë edhe në të tashmen dhe gjurmët e saj kanë mbetur te folja jet, që ka zhvilluar një zgjedhim të plotë sipas shembullit të foljes mas ~ mat.

Një rrjedhojë e kësaj foljeje është emri jetë duke u lidhur si në gjermanishte, ku leben lidhet me bleiben.
bohet për “mbarset, çiftohet”, që është forma më e lashtë, e ruajtur në Hot, prej së cilës janë krijuar dëbojsbojzbojcbojbdojdvojvdoj, të gjitha variante me parashtesa, ku ka luajtur rol edhe metateza. Buzuku, ku fjala del së pari, ka bdonj, Matrënga ka dbonj e sbonj, Budi ka vdonj e Bogdani ka dvonj.

Kësisoj, kjo folje ka ndjekur rrugën e fjalëve të tjera me grupin bashkëtingëllor db-; prandaj aty ku ka borë ka edhe boj, ku ka dëborë ka edhe dëboj, ku ka zborë ka edhe zboj. Buzuku që ka bdorë, ka edhe bdonj; Bogdani që ka dvorëka edhe dvoj. Për burimin e fjalës, boj është formim me prapashtesën foljore -o, nga një rrënjë bi- me kuptimin “dy”, nisur nga çiftimi i kafshëve. Kështu, kuptimi i parë ka qenë “çiftoj, bëj çift”, prej së cilës kanë dalë kuptimet e tjera. Rrënja bi me kuptimin “dy” gjendet në shqipe te emri bigë dhe përjashta saj në lat. bis “dy herë”.
 
Shkrimi u publikua sot (05.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?