Klosi në Laç: Ata që ankohen për
vende pune, le të marrin një zanat‏

19 Shkurt 2016, 15:44| Përditesimi:

  • Share
Ministri i Mirëqënies Sociale e Rinisë, Blendi Klosi iu ka bërë thirrje të gjithë punëkërkuesve të papunë që të marrin një zanat dhe të mos ankohen për mungesën e një vendi pune.

Teksa ka qenë në Laç, ku Klosi ka vizituar ambientet e kompanisë “ALBA shoes, Laç”,  ai inspektoi për kushtet e punës dhe me kërkesat e investitorëve jo vetëm për mbështetje financiare në kuadër të nxitjes së punësimit, por edhe për punonjës të kualifikuar. 
 
Dua t’u bëj thirrje të gjithë njerëzve që ankohen se s’ka punë të drejtohen jo vetëm në këto biznese, por të shkojnë në zyrat dhe në qendrat tona të arsimit profesional për të marrë një kualifikim apo një zanat, pasi kjo është rruga më e mirë dhe më e sigurt për të gjetur një punë”, tha Klosi duke iu referuar pikërisht kërkesës së përfaqësuesit të kompanisë.

Mbështetja e punësimit të grave dhe vajzave mbetet për qeverinë shqiptare një nga prioritetet e saj në fushën e punësimit. Për këtë qëllim, programet e nxitjes së punësimit që qeveria ka miratuar për këtë vit, një pjesë të mirë të fondeve i kanë përcaktuar të shkojnë për ato biznese që mundësojnë punësimin e grave dhe vajzave.

Ministri Klosi ka theksuar se pikërisht për t’i ardhur në ndihmë biznesit, MMSR ka nisur të aplikojë një politikë që intensifikon marrëdhëniet e punëkërkuesve me arsimin dhe formimin profesional.

Më tej, ai shtoi se zyrat e punës duhet të bashkëpunojnë fort, si me biznesin, ashtu edhe me sistemin e arsimit profesional, që kurrikulat të orientohen drejt kërkesave të tregut të punës.

Gjithmonë e më shumë duhet të jemi pranë biznesit, atyre njerëzve që e dinë se për çfarë ka nevojë tregu i punës. Arsimi profesional duhet t’i mbështesë këta njerëz, programet e punësimit duhet t’i mbështesë këta njerëz, ashtu si edhe politika duhet t’i mbështesë këta njerëz, sepse këta janë ata që drejtojnë sot realisht jetën e vendit”, - shtoi Klosi.

Më tej ai shtoi se arsimi dhe formimi profesional është zgjidhja më e mirë edhe për ata që ndërtimin e jetës së tyre e shikojnë jashtë vendit. Kjo pasi sipas ministrit Klosi, rruga e vetme për të emigruar në vendet e BE-së, mbetet pa dyshim ajo ligjorja dhe nëpërmjet programeve të emigracionit të vendeve të BE-së, të cilat gjithmonë e më shumë kërkojnë profesionistë.

Edhe nëse mendon të emigrosh mund ta bësh këtë vetëm si një punëtor i kualifikuar. Prandaj them me shumë forcë që të mendoni të kualifikim dhe arsim profesional, pasi zanati është ai që e mban një njeri me punë të denjë. Natyrisht një zanat të rrit mundësinë që edhe në tregun e punës të paguhesh më mirë. Për këtë qellim do doja t’ju shtyja që të ndiqni një kurs profesional”, - u shpreh Klosi.

Ndërkohë që duke iu referuar të dhënave zyrtare të zyrës së Punës, Laç, ai bëri të ditur se falë politikave të ndjekura nga qeveria dhe orientimit të njerëzve drejt arsimit profesional, është bërë i mundur përgjysmimi i numrit të punëkërkuesve të papunë.

Numri i punëkërkuesve të papunë vetëm në zyrën e Laçit është reduktuar. Në vitin 2014 ka qenë 6500 dhe sot kemi një numër vetëm 3800, pra kemi thuajse një përgjysmim të numrit të punëkërkuesve të papunë dhe kjo vetëm duke i orientuar njerëzit drejt biznesit dhe arsimit profesional”,  tha Klosi.

Ndërkohë që administratori i  “ALBA shoes” në fjalën e tij përsëriti edhe një herë kërkesën për mbështetje nga qeveria nëpërmjet programeve të nxitjes së punësimit, si dhe theksoi nevojën për të pasur punëtorë të kualifikuar.

Ne kemi shumë kërkesa për punëtorë, pasi kemi investuar kaq shumë dhe në makineri dhe për këtë arsye duam njerëz që të dinë t’i përdorin. Nuk diskutohet që kemi nevojë si për specialistë, ashtu edhe për punëtorë të thjeshtë, pa fund”, - u shpreh administratori i “Alba shoes”.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?