Arbena Ahmeti

KLGJ i hap rrugën për në Gjykatën e Lartë gjyqtares së Administratives, Arbena Ahmeti

9 Shkurt 2022, 18:52| Përditesimi: 9 Shkurt 2022, 18:56

  • Share

Arbena Ahmeti, gjyqtarja e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë, është emëruar sot në Gjykatën e Lartë në fushën e të drejtës administrative. Miratimi është bërë sot nga Këshilli i Lartë Gjyqësor pas propozimit për emërim në një vend të lirë. Ky vendim i KLGJ-së vjen dy javë pasi Gjykata e Lartë konstatoi pamundësinë e thirrjes së mbledhjes së posaçme për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm me 10 anëtarë.

Gjykata e Lartë njoftoi më 26 janar se e ka të pamundur të thërrasë mbledhjen e posaçme pasi aktualisht përbëhet nga vetëm 9 anëtarë nga 19 që duhet të ketë. Për të thërritur mbledhjen e posaçme nevojitet edhe anëtari i 10-të. Gjykata e Lartë e bëri publik këtë konstatim pas miratimit nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të listës së katër kandidatëve për vendin vakant të ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatmir Hoxha dhe kërkesës për vijimin e procedurës.

Anëtarja e KLGj-së që relatoi projekt vendimin në mbledhjen e të mërkurës, Marçela Shehu shpjegoi se gjyqtarja Arbena Ahmeti është e vetme në garën për këtë pozicion dhe për rrjedhojë është vlerësuar se nuk ka vend për ndjekjen e kritereve që kanë të bëjnë me renditjen e kandidatëve. Shehu shpjegoi se për Ahmetin janë administruar dy vlerësimet etike dhe profesionale në të cilat është vlerësuar “shkëlqyeshëm”, ku për periudhën 2013-2016 ka grumbulluar në total 384 pikë, ndërsa për vitin 2019 ka siguruar 389 pikë. Në unanimet këshilli vendosi t’i propozojë për dekretim Presidentit të Republikës emërimin e Arbena Ahmetit për në Gjyakatën e Lartë.

Gjyqtarja Arbena Ahmeti u konfirmua në detyrë më 1 nëntor 2021, duke arritur të bindë Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK për barrën e provës për pasurinë, ashtu si dhe bashkëshorti i saj, prokurori Arens Çela – i cili e kaloi vetingun me formë të prerë, megjithëse me shumicë votash. Po ashtu, Ahmeti u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe u konsiderua se kishte arritur nivel kualifikues për profesionalizmin. Vendimet e konfirmimit të bashkëshortëve Çela – Ahmeti nuk u ankimuan nga Institucioni Komisionerëve publik dhe kanë marrë formë të prerë.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?