Klasikja pa fitues, Partizani i dyti një javë para fundit të kampionatit! Egnatia merr shpërblimin 10 milionë lekë, Laçi zyrtarisht në 'play-out'

8 Maj, 18:14| Përditesimi: 8 Maj, 23:09

  • Share

1 javë para mbylljes së Superligës Partizani ka arritur të ngjitet në vendin e dytë, falë fitores minimale 0-1 të arritur në transfertën e Kukësit, si dhe për shkak të barazimit 0-0 në derbin e Shqipërisë mes Tiranës dhe Vllaznisë. Të kuqtë në qytetin verilindor i nderoi goli i Mehmetit në minutat e para të ndeshjes, që i ngjiti në vendin e dytë në kuotën e 60 pikëve, 1 më shumë se Vllaznia që zbriti e treta.

Në derbin me Vllazninë, Tirana u munduan më shumë të merrte fitoren, por u ndal me shifrat 0-0. Megjithatë pika e fituar mban në lojë të besuarit e Erbim Fagut, që në javën e fundit, të luftojnë për t’u futur në final-four. Vendi i katërt pas javës së 35 mbahet nga Skënderbeu, që barazoi 1-1 në shtesë kundër Laçit. Kurbinasit ishin shumë pranë fitores, por dy pikët e humbura vulosën fatin e tyre që këtë sezon është vendi i tetë dhe për rrjedhojë janë zyrtarisht në ‘play-out’.

Ndërkohë me fitoren 0-1 kundër Dinamos Egnatia zyrtarizoi edhe matematikisht vendin e parë. Rrogozhinasit janë kampionë të sezonit të rregullt, pasi shkuan në kuotën e 63 pikëve, 3 më shumë se Partizani, por kanë avantazhin e fitores në ndeshjen direkte, ndaj nuk rrezikojnë në përballjen e fundit.

Tre pikët tejet të rëndësishme mori Teuta kundër Erzenit. Durrsakët fituan 0-3 ndaj shijakasve të rënë më herët në kategorinë e parë, duke siguruar matematikisht qëndrimin për sezonin e ardhshëm, ndërsa në javën e fundit kanë mundësi të luftojnë edhe për një vend në ‘final-four’. Tirana, Teuta dhe Dinamo janë në kuotën e 47 pikëve, vetëm 1 më pak se Skënderbeu i vendit të katërt. Për të mësuar skuadrën e fundit që do kap final-four, formulën e re të Superligës, duhet pritur java e fundit e kampionatit që luhet të shtunën, po në orën 16:00.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?