'Kjo vajzë do ti bëjë 40 mijë euro', skema e trafikut të femrave nga Shqipëria drejt Gjermanisë

13 Qershor 2020, 17:06| Përditesimi: 13 Qershor 2020, 17:09

  • Share

Një vajzë 20 vjeçare me inicialet M.M, falë ndërhyrjes së policisë së Rinasit, ka mundur të shpëtojë nga skema e trafikimit të saj, si prostitutë në Gjermani. E reja ishte mashtruar nga i dashuri i saj, Aljon Boriçi, ky i fundit një djalosh i martuar dhe punonjës pranë një kompanie nafte në Fier, por njëherësh i përfshirë në një grup të trafikimit të vajzave për prostitucion, nga Shqipëria në drejtim të Gjermanisë.  

Boriçi momentalisht është i arrestuar dhe ndodhet në burg ku tashmë është marrë i pandehur nga prokuroria e Tiranës. Ndërsa plani për trafikimin e të dashurës së tij M.M, drejt Gjermanisë, ka dështuar si pasojë e ndërhyrjes së forcave të policisë së komisariatit të Rinasit, të cilat nuk kanë lejuar 20-vjeçaren të kalojë kufirin dhe të hipi në avionin që kishte si destinacion Gjermaninë.

Pikërisht në këtë avion e priste dhe i dashuri Aljon Boriçi, i cili teksa qëndronte ulur në sedilje është përballur me efektivët e policisë, duke i kërkuar që Boriçi të vinte me ta, duke e arrestuar më pas.

Dosja penale e prokurorisë së Tiranës tregon të gjithë zanafillën e njohjes mes M.M dhe të pandehurit Aljon Boriçi, si dhe skemën e këtij të fundit për ta çuar vajzën për studime në Gjermani.

Por Boriçi, i ka propozuar të dashurës se sapo të vinte në Gjermani ditën do të shkonte në shkollë, ndërsa natën do të prostituonte, me klientë të ndryshëm. Në dosjen e saj prokuroria thotë se vajza M.M ishte studente në Universitetin e Vlorës. Ajo është njohur me Aljon Boriçin, nëpërmjet rrjeteve sociale “Instagram”, ku Boriçi, qëndronte në linjë me profilin “Viçente”.

Kjo njohje virtuale mes tyre ka vijuar rreth tre javë derisa janë takuar ballë për ballë dhe kanë pirë kafe. “…komunikimet elektronike mes tyre kanë vijuar dhe tre muaj pas njohjes kanë kaluar në intimitet, duke biseduar për jetën dhe ëndrrat e tyre…”-thotë në dosje prokuroria. Vajza i ka treguar të dashurit të saj se ka probleme me familjarët, kryesisht me babain, pasi ky i fundit e kërcënonte herë pas here, ku ajo nuk i zbatonte urdhrat e tij. “…nisur nga këto probleme në familje, Aljoni i ka propozuar vajzës të largohej nga Shqipëria dhe të vijonte studimet në Gjermani. Vajzës i ka pëlqyer kjo ide e propozuar nga i dashuri i saj.  

Pikërisht në këtë takim Aljon Boriçi, i ka fotografuar letërnjoftimin dhe i ka shpjeguar se do të aplikonte për të dhe do i kthente përgjigje. Kjo ka ndodhur në muajin gusht 2019 dhe në fillim të muajit Shtator 2019, Boriçi e ka marrë me makinë, kanë shkuar në drejtim të Cakranit dhe në makinë i ka treguar aplikimet…”-thotë në dosje prokuroria.

Pikërisht këto aplikime për në shkollë në Gjermani, vajza i ka pasur me vete në momentin kur është ndaluar nga policia në kufirin e Rinasit. Sapo ka marrë aplikimet nga i dashuri i saj, vajza ka njoftuar familjen duke i treguar se i kishte dalë shkolla në Gjermani, por pa i treguar për marrëdhënien që kishte pasur gjatë tërë kësaj kohe me Aljonin.

Për këtë arsye, kur e kanë pyetur prindërit se kush do e priste në Gjermani ajo i është përgjigjur se do e priste shkolla. Sakaq me lejen e prindërve vajza ka aplikuar për tu pajisur me pasaportë biometrike, të cilën e ka marrë pas dy javësh. Një foto të pasaportës ja ka nisur me “Whatsapp” të dashurit të saj Aljonit.

“…në 25 shtator 2019, Aljoni i ka kërkuar vajzës që të niseshin drejt Tiranës dhe më pas në Gjermani. Në Tiranë kanë takuar një person të quajtur “Toni”, i cili i ka çuar pranë një hoteli “Nurlon” që ndodhet në zonën e “Liqenit Artificial”. Teksa kanë qëndruar deri në orën 03:00 të mesnatës së 26 shtatorit 2019, vajza dhe i pandehuri Aljon Boriçi me anën e një taksie kanë shkuar në aeroport. I pari ka kaluar kontrollin e policisë Aljon Boriçi, i cili më pas është akomoduar në avion. Ndërsa vajza ka hyrë më vonë në kontroll, ku policia pasi e ka konstatuar të vetme dhe pa shoqëruar nga askush, ka filluar të kontrollojë mirë në sistem.

Pikërisht në këtë sistem, ka qenë një kallëzim i babait të saj, çka ka sjellë ndalimin e vajzës për të kaluar kufirin…”-shprehet në dosje prokuroria. Gjatë marrjes në pyetje më pas të vajzës ajo ka treguar në polici se atë mbrëmje ajo do udhëtonte në Gjermani me të dashurin e saj, që ndodhej në bordin e avionit që priste në pistën e Rinasit. Më tej vajza ka treguar se kur ka qëndruar në hotel me Aljonin ku i fundit i ka pohuar se gjatë kohës që do qëndronte në Gjermani, ditën do shkollohej natën do punonte si prostitutë.

Sipas saj, ajo e ka kundërshtuar këtë gjë por Aljoni i ka thënë “…tani ke pranuar dhe nuk ke punë tjetër…”. Aljoni nuk i ka treguar hollësitë se si do punonte, oraret dhe çmimet, por i ka treguar se vajza do punonte për të në Gjermani.

Sipas rrëfimit të vajzës, Aljoni komunikonte me një person të quajtur “Ermal DCH”, i cili ishte dhe njeriu që do priste Aljonin së bashku me vajzën sapo ata të zbrisnin në Dyselndorf të Gjermanisë.

Pas verifikimit të policisë dhe arrestimit të Aljon Boriçit, ka rezultuar personi pritës ka qenë Ermal Krasniqi nga qyteti i Cërrikut. Por ajo që e bënë akoma dhe më të rëndë këtë rast të trafikut të vajzave për prostitucion është një bisedë që u gjet nga policia në telefonit e të arrestuarit Aljon Boriçi.

Ky i fundit bisedon me gruan e tij, B.B, të cilës i ka nisur një foto të vajzës duke i shkruar: “…kjo vajzë do ti bëjë 40 mijë euro…”. Por kur është pyetur për kontekstin e kësaj bisede mes tij dhe gruas, Aljon Boriçi ka deklaruar në polici se: “…e kam shkruar pa menduar…”.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?