Foto ilustruese

Kina reagon pas vendimeve 'diskriminuese', ndalon lëshimin e vizave afatshkurtra për udhëtarët nga Koreja e Jugut dhe Japonia

10 Janar 2023, 16:34| Përditesimi: 10 Janar 2023, 16:39

  • Share

Kina ka ndaluar lëshimin e vizave afatshkurtra për individë që udhëtojnë nga Koreja e Jugut dhe Japonia si hakmarrje për kufizimet e Covid-it ndaj udhëtarëve kinezë.

Pekini thotë se pauza për vizat e Koresë së Jugut do të mbetet në fuqi derisa të hiqen kufizimet për udhëtarët kinez, ku sipas qeverisë vendase janë masa “diskriminuese”.

Japonia dhe Koreja e Jugut nuk janë të vetmet vende që vendosin kërkesa për hyrje për udhëtarët nga Kina, ku rastet e Covid janë në rritje, por masat e tyre janë ndër më të rreptat. Javën e kaluar, Koreja e Jugut ndaloi lëshimin e vizave turistike për ata që vijnë nga Kina, të cilat ministria e jashtme kineze i quajti “të papranueshme” dhe “joshkencore”. Vende të tjera si për shembull Italia kanë kërkuar testin e vaksinimit dhe testin ku tregohet që udhëtari, i cili vjen nga Kina është negativ me covid-19.

Japonia po lejon vizitorët kinezë të hyjnë në vend me kusht që të rezultojnë negativë për Covid-19 dhe kjo është e ngjashme edhe me vende të tjera, por ajo që ndryshon qëndron në faktin që Japonia po kufizon fluturimet nga kina për në disa qytete japoneze.

Ambasadat e Pekinit në Seul dhe Tokio konfirmuan kufizimet e reja të vizave për vizitorët në Kinë. Kina rihapi kufijtë e saj të dielën për herë të parë që nga marsi 2020 si pjesë e heqjes së politikës së saj “zero-Covid” .

Duke reaguar ndaj kufizimeve të fundit të vizave të Kinës, ministria e jashtme e Koresë së Jugut i tha BBC-së se politika e saj ndaj ardhjeve nga Kina ishte “në përputhje me provat shkencore dhe objektive”.

Sipas Agjencisë së Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve të Koresë së Jugut, rreth një e treta e të gjithë të ardhurve nga Kina rezultuan pozitive për Covid përpara se të vendoseshin kufizimet e vizave. Sipas raportimeve të mediave të huaja, qeveria e Kinës nuk deklaron numrin e saktë të personave të infektuar me covid-19 apo rastet e vdekjeve, ku sipas mediave të huaja numri i infektimeve dhe i vdekjeve qëndron ende i lartë dhe spitalet nuk kanë shtretër të mjaftueshëm për të përballuar situatën.

F.D/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?