Lufta në Ukrainë/ Kina ndihmë ushtarake për Moskën? SHBA po planifikon sanksione të reja! Pekini: Akuzat të pabaza

23 Prill, 10:41| Përditesimi: 23 Prill, 15:14

  • Share

Shtetet e Bashkuara po planifikojnë të ndërmarrin sanksione që  të ndërpresë disa banka kineze nga sistemi financiar global, duke shpresuar se do të ndalojnë mbështetjen tregtare të Pekinit për prodhimin ushtarak rus, raporton Wall Street Journal. 

Ndërsa Sekretari i Shtetit Antony Blinken mbërrin sot në Pekin, pyetja është nëse edhe kërcënimi i Shteteve të Bashkuara për të përdorur një nga mjetet e tyre më të fuqishme të detyrimit financiar mund të dëmtojë tregtinë komplekse dhe të lulëzuar midis Pekinit dhe Moskës që ka lejuar Kremlinin të rindërtojë një ushtri e cila ishte dëmtuar rëndë nga dy vite luftime në Ukrainë.

Megjithatë Kina i ka quajtur ‘të pabaza’ akuzat e SHBA-së për mbështetjen ushtarake të Pekinit për Rusinë e përfshirë në luftën e saj kundër Ukrainës.

Kështu tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Wang Wenbin, përpara vizitës së Sekretarit të Shtetit amerikan Antony Blinken.

Ora 15:11
Bomba ruse në Donetsk, 5 të plagosur

Pesë persona u plagosën sot në një sulm rus në qytetin Kostyantynivka, në rajonin Donetsk, në jug të Ukrainës.

Lajmin e bëri të ditur kreu i Administratës Ushtarake Rajonale, Vadym Filashkin në Telegram, shkruan Rbc-Ukraine.

“Këtë mëngjes rusët hodhën një bombë ajrore të drejtuar mbi qytet. Pesë persona u plagosën ndërsa dy janë në gjendje të rëndë.

Tre shtëpi, një makinë dhe një objekt infrastrukture u dëmtuan në sulm”,tha Filashkin.
 

Ora 11:44
Senati amerikan pritet të miratojë sot paketën 60 mld dollarë për Ukrainën

1713637139_ukraine.jpg

Senati amerikan pritet ta hedhë në votim sot paketën me ndihmë ushtarake për Ukrainën, në vlerën e 60 miliardë dollarëve, pasi Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi atë 3 ditë më parë.

Paketa, e cila përmban ndihmë tejet të nevojshme për ushtrinë e Ukrainës, pritet të kalojë në Senat gjatë ditës së sotme dhe t’i dërgohet presidentit amerikan, Joe Biden, deri në fund të javës për ta nënshkruar.

Gjatë një bisede telefonike, Biden i tha dje presidentit të Ukrainës se shumë shpejt, SHBA do të ofrojë paketa të reja dhe të rëndësishme të ndihmës për t’i plotësuar nevojat e Ukrainës për t’u mbrojtur.

Zelensky shkroi në rrjetin social X se Biden i kishte thënë se do ta nënshkruante paketën me ndihmë për Ukrainën menjëherë, sapo ta pranonte atë nga Senati.

Senati mund ta kalojë paketën e madhe, 95 miliardë dollarë që përfshin edhe ndihmën për Izraelin dhe Tajvanin, këtë pasdite.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?