Kina lehtëson masat e COVID-19 në disa qytete të mëdha

3 Dhjetor 2022, 10:52| Përditesimi: 3 Dhjetor 2022, 10:49

  • Share

Pas protestave të fundit, autoritetet kineze njoftuan sot lehtësimin e masave të vendosura për të parandaluar përhapjen e COVID-19 në disa qytete të mëdha, raportojnë mediat e huaja.

"Disa qytete të mëdha, përfshirë kryeqytetin Pekin dhe Tianjin në bregun verior, po heqin kërkesën që vizitorët të tregojnë teste negative për COVID-19 përpara se të hyjnë në ndonjë qendër tregtare apo vend publik", raportoi "Global Times".

Nga e hëna, banorët e Pekinit nuk do të kenë nevojë të kenë çertifikata të vaksinimit për të treguar nëse ata janë negativ ose jo në përdorimin e autobusëve ose metrove.

Një qendër e madhe tregtare në kryeqytet u rihap në fundjavë pasi ishte e mbyllur për më shumë se një javë.

"Global Times" njoftoi se qytete të tjera si Chengdu dhe Guangzhou në jug të Kinës dhe Jinzhou në provincën Liaoning gjithashtu kanë lehtësuar disa nga masat.

Javën e kaluar në disa qytete u mbajtën protesta masive kundër politikave strikte në luftën kundër pandemisë.

Protestat shpërthyen pasi 10 persona humbën jetën nga zjarri në një ndërtesë apartamentesh në Urumqi, në rajonin perëndimor të Xinjiangut, i cili raportohet se ishte në karantinë për shkak të COVID-19.

Shumë pretenduan se masat e marra kundër koronavirusit e vështirësuan situatën, pasi u deshën tre orë për të shuar zjarrin. Autoritetet mohuan pretendimet, duke thënë se ndërtesa nuk ishte e mbyllur dhe banorët u lejuan të largoheshin.

Kina, me një popullsi prej mbi 1.4 miliardë banorë, ka konfirmuar deri më tani 5.233 vdekje dhe 331.952 raste me COVID-19.

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?