Kina e dyta pas Italisë për shkëmbimet tregtare me Shqipërinë! Gjermania del nga lista e 4 partnerëve kryesorë

17 Janar, 14:22| Përditesimi: 17 Janar, 15:33

  • Share

Viti 2023 u mbyll me bilanc negativ për tregtinë e mallrave. Raporti i fundit i Institutit të Statistikave tregon se eksportet e mallrave përgjatë 12 muajve arritën në vlerën 440 miliardë lekë duke rënë me 9.5% në raport me vitin 2022.

“Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -4,5%, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -2,8%, “Tekstile dhe këpucë” me -1,8%. Ndërsa pozitivisht ka ndikuar grupi: “Ushqime, pije, duhan” me +0,8%”, thuhet në raportin e INSTAT.

Ndërsa nga ana tjetër me 8.2% është ulur edhe vlera e importeve, pasi bizneset vendase kanë blerë jashtë vendit produkte me vlerë 873 miliardë lekë. Ndikimin më të fortë në uljen e importeve e ka dhënë energjia elektrike me 7.3% për shkak se gjatë vitit të shkuar vendi ka ulur sasinë e energjisë së blerë për shkak të prodhimit të lartë vendas, duke bërë që të ulet edhe vlera monetare e importeve.

Po ashtu është ulur me 1.5% importi i materialeve të ndërtimit, dhe me -0.8% importi i tekstileve dhe këpucëve. I vetmi grup që ka performuar pozitivisht ka qenë importi i makinerive dhe pjesëve të këmbimi, që ka pasur rritje me 2.7%.

Ndërkohë deficiti tregtar në fund të vitit 2023 zbriti në 432 mld lekë thotë INSTAT, duke u ulur me -6,7 %, krahasuar me vitin 2022.

Shkaqet kryesor për uljen e tregtisë, janë zhvlerësimi i valutave kryesisht i euros dhe i dollarit i cili ka bërë që fitimet e kompanive të ishin më të ulta kur behej konvertimi nga valutë në monedhën vendase. Por po ashtu ka ndikuar edhe ulja e çmimeve për mallra të ndryshime si karburanti apo energjia në tregjet e huaja.

Sa i takon partnerëve tregtar kryesor për vitin 2023, INSTAT thotë se ishin Italia që mban 29.2% të peshës së shkëmbimeve tregtare ndjekur nga Kina me 7.9%, Turqia me 6.8% dhe Greqia me 6.5%. Në raport me vitin 2022 kanë rënë pozitat e Turqisë dhe të Gjermanisë, kjo e fundit nuk është në listën e 4 partnerëve kryesor dhe është fuqizuar më shumë prezenca e produkteve kineze bë vendin tonë.

PARTNERËT KRYESORË PËR VITIN 2023
Italia 29.2%
Kina 7.9%
Turqia 6.8%
Greqia 6.5%
PARTNERËT KRYESORË NË VITIN 2022
Italia 29%
Turqia 8,4%
Greqia 6,9%
Gjermania 6,3%

 

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë) 

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?