Këshilli Mbikëqyrës: Nga BSH 
u nxorr informacion 'top sekret'

25 Shtator 2014, 11:58| Përditesimi:

  • Share
TIRANE – Gjatë kohës që Banka e Shqipërisë u përfshi në skandalin e vjedhjes së thesarit, arrestimin e ish-guvernatorit Fullani dhe zhvillime të tjera që e pasuan, nga Banka Qendrore është nxjerrë informacion i klasifikuar. Në fakt ky konstatim erdhi më herët në formën e akuzës, nga ish-kryeministri Sali Berisha i cili tha se anëtarja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Ermelinda Meksi, kishte sjellë në parlament dosjen top sekrete të bankës qendrore.

Por këtë radhë, është vetë Banka e Shqipërisë që zyrtarisht thotë se nga institucioni më i lartë financiar në vend ka rrjedhur informacioni i klasifikuar.
Ky fakt është bërë publik në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të Bankës së Shqipërisë, pas mbledhjes që Këshilli Mbikëqyrës zhvilloi të mërkurën nën drejtimin e guvernatores në detyrë, Elisabeta Gjoni.

Keshilli Mbikëqyres i Bankës së Shqipërisë u njoh dhe vlerësoi masat e marra nga Banka e Shqipërisë për ecurinë normale të veprimtarisë operacionale të emisionit monetar dhe garantimin e sigurisë fizike të vlerave monetare. Banka e Shqipërisë siguroi se ka nën kontroll ruajtjen dhe sigurinë e vlerave monetare, përfshirë dhe ambientet ku ato magazinohen. Zhvillimi i ngjarjeve të fundit ka sjellë rrjedhje të informacionit të klasifikuar të niveleve të ndryshme sipas përcaktimeve ligjore, por Banka e Shqipërisë ka marrë dhe po ndërmerr masa për garantimin dhe forcimin e elementeve të sigurisë”, thuhet në deklaratën për shtyp të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. 

Në mbledhje e djeshme, Banka e Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit të lekut në 2.5 %. 

Sakaq, akuzat e bëra ditën e sotme nga ish-Kryeministri Sali Berisha ndaj anëtares së Këshillit Mbikëqyrës së BSh, kanë sjellë reagimin e menjëhershëm të Ermelinda Meksit. Berisha akuzon anëtaren e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Ermelinda Meksi se i ka dhënë Parlamentit dosjen me sekretet e institucionin më të lartë financiar në vend.
 
Berisha: Meksi ia ka dorëzuar Ramës dosjen sekrete të Bankës

Pasi Këshilli Mbikqyrës ka bërë zyrtar faktin se në Bankën e Shqipërisë ka patur rrjedhje të informacionit të klasifikuar, ka reaguar në Facebook ish-Kryeministri Sali Berisha.

Sali Berisha ka hedhur akuza ndaj antares së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë Ermelinda Meksi, se ajo ka dorëzuar tek mazhoranca, ose siç i cilëson Berisha, tek kriminelet që vodhën serverin e tatimeve, dosjen top sekret të Bankës së Shtetit. 

berisha

“Banka e Shtetit pohoi se eshte vjedhur dosja "top sekret" e saj, që ka kodet, çelësat, hyrjet sekrete në kasafortat e bizhuve, të floririt dhe diamanteve, monedhave, lingotave të floririt dhe kartmonedhave të vendit. Pak kohë më parë njoftuam se Ermelinda Meksi ka dorëzuar vjedhtas, kriminelëve që vodhën serverin e 20 mijë deklaratave të tatimeve, në Parlament dhe u mohua me shpifje të ulta. Pse u vodh dosja dhe u dorëzua ne Parlament, vetkuptohet”, -shkruan Berisha në rrjetin social Facebook.



Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?