Gjykata Themelore në Prishtinë ka pezulluar vendimin e Qeverisë së Kosovës për ulje të pagave për gjyqtarë dhe prokurorë.
Një njoftimin e kësaj gjykate, thuhet se shtyhet ekzekutimi i vendimit të Qeverisë, i datës 23 nëntor, derisa ky organ të marr vendim përfundimtar gjyqësor për këtë çështje.
Më 29 nëntor, Shoqata e Prokurorëve të Kosovës kishte paditur Qeverinë e Kosovës, dhe përvec kërkesës së anulimit të këtij vendimi, aty kërkohej dhe caktimi i masës së përkohshme deri në marrjen e vendimit përfundimtar. Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës vendosi për ulje të pagave për gjyqtarë dhe prokurorë. Më ketë vendim, pagat e tyre u kthyen në nivelin që ishin më 2017.
Në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit, figuron se paga vjetore e një gjyqtari para vitit 2017 ka qenë rreth 13 mijë euro, kurse paga vjetore aktuale është mbi 25 mijë euro.
Në ditën kur Qeveria e mori këtë vendim, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), vendosi që të reduktohet puna në gjykata si dhe të pezullohet bashkëpunimi në çdo aktivitet që organizohet, apo ku janë të pranishëm përfaqësues të Qeverisë së Kosovës.
KGJK-ja kërkoi anulimin e këtij vendimi, duke e quajtur në kundërshtim më Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Këshilli tha se vendimin e Qeverisë e konsideron si përpjekje për të ndikuar në punën e sistemit gjyqësor dhe për të zvogëluar pavarësinë e këtij sistemi. Në vitin 2017, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Ramush Haradinaj, pati marrë vendim për rritje 100 për qind të pagave për kabinetin qeverisës.
Me rritjen e pagave për zyrtarët e Qeverisë, u rritën edhe pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në atë periudhë, kjo çështje ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese, nga deputetë të atëhershëm të Vetëvendosjes, që ishin në opozitë. Mirëpo, përmes një vendimi, kjo Gjykatë kishte thënë se rritja e pagave nuk është në kundërshtim me Kushtetutën. REL
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pasi gjykata Themelore e Prishtinës pezulloi vendimin e qeverisë për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Nëpërmjet një deklarate për mediat, ai tha se konstatonte se kur bëhej fjalë për gjyqtarët, Gjykata rezulton të jetë shumë efikase ndërsa dosje të tëra i lë të pluhurosura në Ministrinë e Drejtësisë.
“Ne nuk mund të merremi me vendimet të cilat i bënë gjyqësori, por më duhet të konstatoj me keqardhje që kur vije puna për vetvete po dalin të jenë shumë efikas, për dallim prej lëndëve të panumërta që janë pluhurosur në sirtarët e Pallatit të Drejtësisë, që lëngojnë aty e nuk trajtohen as me kohë e as siç duhet. Pra, është për të ardhur keq që shpejtësinë dhe efikasitetin po dëshmojë atëherë kur kanë interes vetë, interes të ngushtë“, u shpreh Kurti.