Kronikë

Kërkohet shkarkimi dhe dalja nga sistemi i drejtësisë për prokurorin Besim Hajdarmataj, KPA shtyn seancën e radhës për në datën 3 gusht

29 Korrik 2021, 09:05| Përditesimi: 29 Korrik 2021, 10:23

  • Share

TIRANË-Shkarkimi dhe dalja përfundimisht nga sistemi i drejtësisë. Kjo është kërkesa e Komisionerit Publik për prokurorin e Tiranës, Besim Hajdarmataj. Por KPA nuk mori sot një vendim por ka shtyrë seancën për më datën 3 gusht, pasi është kërkuar një dokumentacion shtesë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, shkalla e parë e vettingut, një shkresë e cila mban komunikimet telefonike të njërit prej numrave që ka poseduar z. Hajdarmataj. 

Trupi e sotme gjykuese u kryesua nga Rezarta Schuetz, me relator Ardian Hajdarin dhe anëtarë Albana Shtyllën, Ina Ramën dhe Sokol Çomon.

Në seancën e zhvilluar më 16 korrik në Kolegjin e Posaçëm e Apelimit, teksa u shpalosën konkluzionet Hajdarmataj u akuzua se ka cenuar rëndë besimin e publikut të sistemi i drejtësisë. Sa i përket pasurinë prokurori Hajdarmataj u akuzua se ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm për kriterin e pasurisë dhe nuk e justifikon atë.

Ndërkohë që për integritetin dhe formimin profesional Komisioneri Publik theksoi se në pesë çështje të verifikuara, ku në disa raste Hajdarmataj ka qenë në rolin e prokurorit dhe në raste të tjera është vlerësuar në cilësinë e drejtuesit, paraqitën mangësi profesionale. Të gjithë këto shkelje sipas tij bëjnë që të jetë i pamundur konfirmimi në detyrë të Hajdarmatajt. Konstatimet e Komisionerit u mbështetën edhe nga vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs gjatë seancës së 8 korrikut, i cili e konsideroi të turpshme moskryerjen e hetimeve për tonelata drogë nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda, kur drejtohej nga Besim Hajdarmataj.

Besim Hajdarmataj ka kaluar me sukses në shkallën e parë të vettingut, pa asnjë kontestim, në të treja shtyllat e hetimit, pasuri, aftësi profesionalen dhe pastërti figure. Mirëpo, pavarësisht rezultateve në KPK, ishte Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, i cili i rekomandoi Institucionit të Komisionerit Publik, ankimin. Brenda afatit ligjor IKP ankimoi vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, duke konkluduar se konfirmimi i Hajramatajt është i cenueshëm dhe përmban shkaqe të mjaftueshme për kontroll edhe në apel.

Besim Hajdarmataj u konfirmua në detyrë më 16 tetor nga trupa e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Suela Zhegu dhe anëtar Roland Ilia dhe u referua për procedim disiplinor për një hetim të mbyllur të vitit 2010. Me rekomandim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM, vendimi u ankimua në Kolegj. Besim Hajdarmataj e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe përgjatë 20 viteve, ai ka mbajtur poste drejtuese në Prokurorinë e Tropojës dhe të Kurbinit.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?