Kërkesa opozitës për shkarkimin e Nikollës, të enjten seanca drejtohet nga Felaj

15 Shkurt 2023, 22:03| Përditesimi: 15 Shkurt 2023, 22:41

  • Share

TIRANË- Seanca e kuvendit e parashikuar për të enjten do të drejtohet nga nën kryetarja Ermonela Felaj. Kjo, jo për shkak se Lindita Nikolla, Kryetarja e Kuvendit është jashtë vendit, por në respekt të rregullores së kuvendit, që parashikon që në seancën kur shqyrtohet kërkesa për shkarkimin e kryetarit të kuvendit, seanca drejtohet nga nënkryetarja.

Kujtojmë, që gjatë seancës së të enjtes do të shqyrtohet kërkesa e opozitës për shkarkimin nga detyra të Nikollës me argumentin se ka shkelur rregulloren e Kuvendit, duke mos i dhënë fjalën opozitës gjatë diskutimit të akteve ligjore në rend të ditës. Mazhoranca e bëri të qartë se do ta refuzojë kërkesën, pasi sipas socialistëve Nikolla e ka zbatuar me korrektësi rregulloren, pasi kuvendi ishte në situatë të jashtëzakonshme e kësisoj seanca nuk mund të vijonte normalisht dhe duhej kaluar menjëherë në votim.

Të premten e shkuar Këshilli Legjislacionit mbylli punimet pa dakordësi duke depozituar për seancë plenare dy raporte, një të opozitës, ku u kërkua shkarkimi i Nikollës dhe një i mazhorancës ku refuzohej kërkesa e opozitës. Raporte që do të votohen në kuvend këtë të enjte.

Në një deklaratë për mediet, pas përfundimit të punimeve në Këshillin e Legjislacionit, deputetja e PD, Dhurata Çupi tha se, në mbledhje u lexua vetëm raporti i Partisë Socialiste, ndërsa nuk u lexua raporti i PD, sepse deputeti Gazment Bardhi u përjashtua nga Kuvendi për një afat 10-ditor.

Sipas saj, përjashtimi i deputetëve të PD-së është bërë me qëllim që të kalojë për votim nga mazhoranca ky raport.

“Mbledhja nuk u lejua të ishte e hapur me prezencën e gazetarëve. Seancën e kaluar nuk e ngritëm këtë shqetësim. Këtë mbledhje debatuam dhe nuk lejuan që kamerat të jenë në sallë në transparencë me publikun dhe median. Në mbledhjen e kaluar u vendos që ditën e premte të lexoheshin raportet nga palët përkatëse. Relator u caktua Gazment Bardhi. Pasi u mbyll Këshilli i Legjislacionit të mërkurën, Bardhi u përjashtua për 10 ditë nga mbledhjet e komisionit. Kjo ishte arsyeja pse opozita depozitoi raportin e përgatitur nga ana e opozitës, por nuk ishte i pranishëm Bardhi, për shkak se është përjashtuar pas mbledhjes”, theksoi Çupi.

“Ne kërkuam që Bardhi të ishte i pranishëm. Kjo nuk u miratua nga kryetarja e seancës së radhës, zonja Felaj dhe nuk u mbështet as nga mazhoranca. Këshilli i Legjislacionit është në raport 5 me 5 anëtarë dhe ata përjashtuan Bardhin, që me votën e kartonit të vendosnin që mbledhjet të mos ishin live dhe raporti të mos lexohet nga Bardhi”, tha Çupi.

Ndërsa deputeti tjetër i PD, Saimir Koreshi tha se, ky komision duhet të kishte marrë vendim para 6 ditësh.

“Shpejtësia me të cilin marrin këtë vendim është se, në momentin kur do kalojë në Kuvend, 9 deputetë demokratë nuk do jenë të pranishëm. Në tejkalim të afateve 48 orë, u bë pas 6 ditësh. Është kaluar në datën 8 shkurt, ndërkohë që rregullorja e Kuvendit parashikon që brenda 48 orëve ky sekretariat duhet të kishte marrë vendim. Këta e kanë si me qejf të hënën ta fusin raportin, por dhe të enjten prapë kolegët tanë s’janë. Ky komision duhet të kishte marrë vendim para 6 ditësh. Vetë e firmosën dhe pastaj vijnë të hënën. Ky është një maskaradë që bëjnë, por ndoshta përgjigjen e marrin nesër”, tha ai.

Tashmë veç deputetëve që ishin të përjashtuar nga java e shkuar, listës do t’i shtohen dhe katër deputetë të tjerë, Sali Berisha, Falmur Noka, Belind Këlliçi dhe Edi Paloka, përkatësisht 10 ditë ish kryeministri dhe 5 ditë të tjerët.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?