Kemi një qiell magjik

15 Gusht 2015, 11:55| Përditesimi: 25 Gusht 2015, 16:23

  • Share
Në parkun astronomik Sidereus të Salves, në Salento, krahina italiane mu përballë jugut tonë, presim të errësohet, të dalin yjet. "Më vjen keq që kemi këtë ndotje nga dritat" - na thotë Vito, djali gjeni që në 15 vite, teleskop pas teleskopi, ka ndërtuar këtë vend magjik, i vetmi në Italinë e Jugut.
 
"Ahh, ju në Shqipëri keni një qiell magjik, të mrekullueshëm. Aty mund ta shihni Rrugën e Qumështit mes sy të lirë. Uroj të mos vini kaq shumë drita sa ne në Itali". E pat thënë dhe Saviano në vizitën e parë në Tiranë: "Këtu gjeta një qiell të mrekullueshëm".
 
 
E vërtetë! Kur bie nata në Dhërmi, për shembull, në kampet e fundit ku mbaron dhe ndricimi i rrugës, yjet shkëlqejnë me gjithë bukurinë e tyre të jashtëzakonshme. Do të doja që kjo bukuri e rrallë të hynte thellë në shpirtërat tona për të na qetësuar e përmirësuar.
 
Nuk janë shumë njerëzit që shohin qiellin, rrugëve të Tiranës më bie të vëzhgoj shpesh kalimtarë të kërrusur e me vështrimin në ecje vetëm përtokë, të rënduar nga mendimet e duket dhe nga hallet.
 
Dhe hallet në Shqipëri nuk janë pak dhe sidomos nuk ndikon në lehtësim e përmirësim dhe klima konfliktuale e sforcuar që te elitat.
 
As lajmet që vijnë nga kronika e përditshme nuk ndihmojnë: njerëz të plagosur në pafajësinë e tyre duke ngrënë akullore, të lënë në dorën e një sipërmarrësi që hap bombolën e gazit me çekic... Apo historia e motrave Kajtazi... Më duket si shpërthimi i një tenxhereje me presion që tregon sëmundjet e familjeve shqiptare të tranzicionit. Familje të lëna të kërrusura në 1 mijë halle, në një shoqëri pa rregulla e me shembuj që fiton kush bërtët më fort e kush është më i madh.
 
Nuk ka shumë për t'u pëlqyer njerëzorja jonë e këtyre viteve, në familje e kudo njerëzit flasin pa dëgjuar, e pa u dëgjuar dhe papritur zbulojmë që kemi "përbindësha" rreth e qark, individë të projektuar vetëm për të shkatërruar e jo për të ndërtuar e përmirësuar.
 
Prandaj do të doja shumë të shijonim natyrën. Ajo vazhdon të shpaloset në Shqipëri me gjithë magjinë e saj, por kërkon vetëm sytë tanë, vëmendjen tonë dhe lutjen për t'u mbrojtur e lulëzuar.

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?